Berisha: Emrat, pas konsultimit me kryesinë. Dule:Nano kandidat konsensual
Ka zgjatur vetëm 15 minuta, takimi mes Kryeministrit Berisha dhe kreut të PBDNJ-it Vangjel Dule, në kuadër të negociatave për zgjedhjen e kreut të ri të Shtetit.
Në një prononcim për mediat, kreu i PBDNJ-it Vangjel Dule ka deklaruar se është me rëndësi që presidenti i ri të vijë nga radhët e politikës ndërsa e ka cilësuar si jo serioze mungesën e kandidaturave për raundin e parë të votimit që do të jetë nesër.
“Një president jo nga radhët e politikës zhvlerëson rolin e politikës dhe politikanit në opinion pubik dhe shoqëri. Mendimi ynë është se ekzistojnë të gjitha kushtet për të gjetur president konsensual që të kalojë dhe kërkesën për 84 vota. Nuk do të jetë pozitive që nesër të shkojmë pa kandidatura, një proces serioz”, shtoi Dule.
I pyetur nga "Ora News" për një diskutim të mundshëm për emrat e kandidatëve, Dule theksoi se : “Emra konsensualë ka në radhët e politikanëve të të gjitha forcave, aktivë apo të tërhequr. Për kandidaturën e Nanos ne po konstatojmë se bëhet edhe më e pranueshme për palët dhe ka gjasa që do të arrijë konsensusin” shtoi Dule.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ka theksuar se emrat e kandidatëve për president të shtetit mund të publikohen pas konsultimit me kryesinë e PD-së por ka shtuar se është rënë dakort me LSI-në që kandidatët të cilët do të përzgjidhen do të jenë në tre fusha, nga politika, drejtësia dhe diplomacia.
“Patëm një takim të frytshëm për zgjedhjen e presidentit. Do vazhdojmë sot gjatë ditës ndërsa në orën 13:00 do mblidhen kryetarët e partive të mazhorancës. Unë ftoj opozitën se është në intersin më të mirë të vendit të angazhohet në këtë proces në të cilin ne jemi të vendosur pavarësisht faktit që marrëveshja e 2 shtatorit 2009 përcakton angazhimin e PD dhe LSI për ta zgjidhur me njëra me tjetrën. Ne jemi të vendour që këtë mirëkuptim ta shtrijmë në të gjithë spektrin parlamentar dhe të arrijmë me një kandidat i cili të votohet gjerësisht. Unë dua ta ftoj opozitën sepse gjykoj që është edhe interesi i saj më i mirë në investimin me mbështetje të një personaliteti që do të zgjidhet bashkërisht dhe në 5 vitet që vijnë do të mund t`i qëndrojë besnik kushtetutës edhe për detyrimin që ka nga votëbesimi që i bëhet nga i tërë spektri politik, që do të parakuptonte për të një detyrim madhor për qëndrime jopartiake por kushtetuese” shtoi Berisha.
Ai ka theksuar se PD-ja është në kërkim të konsensusit por pranoi se është e vështirë të arrihet konsensusi deri nesër, kur është edhe raundi i parë i votimit të presidentit të ri. “Ne jemi në kërkim të konsensusit, të them që deri nesër do arrihet konsensusi është e vështirë ta parashikojë, por mundet. Por nëse në kërkim të konsensusit me opozitën do të shtyhet votimi kjo nuk përbën ndonjë problem”- ka thënë Berisha.
I pyetur në lidhje me deklaratën e kreut të PBDNJ-it Dule se mund të arrihet një konsensus për Fatos Nanon, Berisha iu përgjigj: "Dule lobon fuqishëm për Nanon dhe unë nuk jam në dijeni të rezultateve të lobimit, por ne e kemi shprehur qëndrimin tonë".
Berisha e ka vlerësuar jo të fisme mbledhjen e një tryeze partish për konsensusin për presidentin. “Dy gjëra duhet të parandalonim, por jo domosdoshmërisht, një tryezë e të gjitha partive do tu garantoj që ajo përbën një moment shumë të pafijsshëm, sepse merr dhe hiq emra të duket se bën një proces jo të fisëm, të gjejmë mënyrën mes komunikimeve me opozitën të sigurta dhe ta shndërrojmë këtë në një proces dinjitoz mirëkuptimi të mundshëm”shtoi më tej ai.
I pyetur për një takim me Ramën, Berisha është shprehur se marrëveshjet më të rëndësishme i kanë arritur pa u takuar.