Kërkohet edhe dialogu Prishtinë-Mitrovicë

Ambasadori francez ne Prishtine, Jean Francoise Fitou / Foto arkiv
Parisi pret që pas krijimit të qeverisë së re në Serbi, Kosova të angazhohet në dy procese të dialogut: të vazhdojë dialogun për çështje teknike me veriun dhe të nisë dialogu me përfaqësuesit e qytetarëve të veriut.
“Nuk duhen ngatërruar dy proceset. Dialogu në Bruksel është teknik dhe është treguar i frytshëm. Si i tillë duhet të vazhdojë, por Prishtina duhet të nisë të bisedojë edhe me Mitrovicën nëse mund të them kështu, qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me qytetarët e veriut, me përfaqësuesit e tyre atje”, i ka thënë gazetës “Koha ditore” ambasadori francez, Zhan Fransua Fitu (Jean François Fitou).
Diplomati francez ka thënë se BE ja duhet të bëjë presion te të dyja palët që marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e lehtësuar nga Robert Cooper të zbatohen.
Procesi i dialogut teknik që ka prodhuar gjithsej shtatë marrëveshje ka hyrë në qorrsokak.
Sipas burimeve të gazetës, kryeministri Thaçi po mendon tre emra të stafit të tij, si përfaqësues të mundshëm të Kosovës në dialogun për veriun, që pritet të nisë në shtator.
Këshilltari i tij, Bekim Çollaku, ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ose ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, janë tre emrat e përfolur si udhëheqës të dialogut të ri me qytetarët serbë në veri të Kosovës, ku pritet që pas një kohe palë të jetë edhe Beogradi. / Kosova.com