E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Evakuimi nuk do të jetë afatshkurtër, moti do të përkeqësohet”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha njoftoi dje se evakuimi i banorëve të zonave të përmbytura nuk do të jetë një plan afatshkurtër. Ai tha se banorët do të qëndrojnë për një kohë të pacaktuar larg shtëpive të tyre, për shkak se situata vazhdon të mbetet kritike dhe se parashikimet e motit flasin për një përkeqësim të mëtejshëm të tij. Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha tha se qeveria ka marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura dhe deri tani arritja më e madhe është se nuk është regjistruar asnjë jetë e humbur. Më tej kryeministri tha se qeveria ka projekte madhore që do të investohen në zonën e Shkodrës në mënyrë që të mos përsëriten më situata të tilla.
Evakuimi
“Nuk do të mund të ketë një evakuim afatshkurtër, siç do të mund të donim. Në të gjithë këtë përmbytje ballkanike ana më lehtësuese ka qenë situata e digave, të cilat, fatmirësisht, u mbajtën nën kontroll. Dje dhe sot koha ka qenë në favor, shkarkimet nga kaskada janë të rendit jo mbytës, po t’i marrim në kushte normale dhe ka një rënie. Rënia është në zonën e Berdicës, në zonën që ka lidhje me shkarkimet e kaskadës. Edhe në liqen ka rënie, por rënia në liqen është e papërfillshme, por liqeni është shumë lart. Moti sot është i mirë, por ditët që vijnë të dhënat janë që mund të ketë sërish përkeqësime”, - është shprehur Berisha. Ai kërkoi shfrytëzimin e këtij momenti për të realizuar operacione të suksesshme në ndihmë të banorëve. Sipas Berishës, kjo përmbytje ka bërë që të shpërngulen mbi 12 mijë banorë nga shtëpitë e tyre. Ai vlerësoi faktin se deri tani nuk ka asnjë jetë njerëzore të humbur. “Operacioni ka bërë të mundur që deri sot, në këtë moment që po flasim, të mos kemi asnjë jetë të humbur dhe ne përcaktuam që në fillim përparësinë absolute. Është ndërhyrë në dhjetëra dhe qindra raste, janë shpëtuar dhe evakuuar jetë njerëzish, janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të përmbajtur ujërat, aq sa ka qenë e mundur. Në mënyrë të veçantë, një kërcënim madhor ka përbërë diga e Torovicës. Është punuar dhe punohet ditë e natë, në mënyrë që të parandalohet një vërshim me pasoja katastrofike në këtë luginë të ngushtë, e cila do të përcillte ujin drejt derdhjes dhe më tutje. Duke u përpjekur të mbrohen nyjat jetësore, është bërë një përpjekje e madhe për të furnizuar me ushqim dhe ujë popullatën. Ky ka qenë një aksion jashtëzakonisht i komplikuar dhe duhet të pranojmë se më i komplikuar së kudo ka qenë në qytetin e Shkodrës. Ndoshta pothuaj gjysma e tij është Venecia sot dhe furnizimi më bukë dhe ujë i këtyre familjeve realizohet vetëm me varka”, - është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se po bëhen përpjekje për shtimin e numrit të varkave.
Projektet
Kryeministri gjithashtu garantoi se krahas ndihmës urgjente, qeveria ka hartuar projekte afatgjata për t’i realizuar në të ardhmen, në mënyrë që të mos përsëriten situata të tilla. “Dua t’i garantoj qytetarët e Shkodrës se qeveria, krahas ndërhyrjeve imediate, ka të gatshme projektet për të nisur ndërhyrjet afatgjata, të cilat, pa dyshim, janë ndoshta ndërhyrjet më të kushtueshme të të gjitha kohërave, por ato do të fillohen dhe do të ecet me vendosmëri drejt atyre ndërhyrjeve që bëjnë të mundur zvogëlimin në një shkallë të madhe të përmasave të përmbytjeve. Ky është një projekt i madh, ka lidhje me Bunën, me argjinaturat, me Skavicën dhe në ndërhyrje të tjera, por ne do të bëjmë gjithçka të ecim me shpejtësinë më të madhe të mundshme drejt realizimit të këtij kompleksi projektesh. Sikundër garantoj qytetarët e qarqeve të tjera se ndonëse përqendrimi më i madh është aty ku fatkeqësia natyrore është e përmasave më të mëdha dhe gjigante, por vëmendja e kësaj qeverie është gjithashtu në çdo qoshe të këtij vendi dhe kudo ku ka problematikë”, - është shprehur Berisha.

Shtyhen festimet për 8 dhjetorin, Berisha kërkon shtyrje të seancës parlamentare

Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha bëri të ditur se do të shtyhen festimet për ditën e demokracisë. Ai tha se më e rëndësishme është që deputetët në këto ditë të vështira të gjenden pranë banorëve në zonat e tyre elektorale. “Vetëm pak ditë na ndajnë nga njëra prej ngjarjeve më të mëdha në historinë kombëtare të shqiptarëve, dhe kjo ngjarje është themelimi i pluralizmit dhe i Partisë Demokratike. Kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe të demokratëve në mbarë Shqipërinë, që këto festime do të shtyhen duke përparësuar para së gjithash angazhimin e plotë dhe total të gjithanshëm në zonat e situatës kritike dhe më pas, sigurisht që ne kemi të gjitha mundësitë për të kremtuar këto ditë me të gjithë dinjitetin që ato meritojnë”, - është shprehur Berisha. Po kështu ai kërkoi edhe shtyrjen e seancës parlamentare. “Unë e kuptoj se në komisione ju presin ligje dhe ato janë shumë të rëndësishme. Unë e kuptoj se veprimtaria e Parlamentit është themelore, por, nga ana tjetër, ju jeni të pazëvendësueshwm për zgjedhësit dhe qytetarët shqiptarë, prania e deputeti është e pazëvendësueshme, ndaj mendoj se edhe Parlamenti mund ta shqyrtojë seancën parlamentare të kësaj jave, mbasi ka shumë nevojë të jemi në krye të një fronti jashtëzakonisht kritik dhe delikat”, - është shprehur kreu i qeverisë.

Rama në zonën e plazhit në Durrës: “Të gjitha investimet e 2011-s, kundër moçalizimit”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u takua dje me banorët e prekur nga përmbytjet në zonën e plazhit në Durrës. Rama kërkoi rishikimin e buxhetit të vitit 2011 me qëllim rialokimin e fondeve për investimet që do të shmangnin përmbytjet në vend. Sipas Ramës, duhet ndërhyrë me forcë sot që situata të mos bëhet më keq në të ardhmen. “Këtu është gjithë Shqipëria që po kthehet në moçal. Gjithandej po dalin prapë kënetat. Këtu nuk është çështja e një shtëpie, këtu janë me mijëra dhe me dhjetëra mijëra shtëpi, sa në Shkodër, sa këtu në Durrës, sa poshtë në Vlorë e në Fier, sa në Maliq të Korçës; po kthehet prapë Shqipëria në moçal. Kjo është një çështje që duhet ta trajtojë e duhet ta zgjidhë shteti. Shteti nuk mund ta zgjidhë këtë punë në qoftë se qeveria nuk e ndryshon 100% buxhetin për vitin e ardhshëm. Ne duhet të ndryshojmë 100% buxhetin”, - është shprehur Rama, ndërsa propozoi që shumica e investimeve të shkojë për zonat e përmbytura. “Të gjitha investimet në infrastrukturën publike duhet t’i fusim për t’i rihapur dhe për të rivënë në punë të gjitha kanalet. Për të rregulluar shtretërit e lumenjve që janë sakatuar dhe shkatërruar, për të filluar dhe për t’u mbrojtur nga ky shkatërrim, i cili tani ka filluar të japë pasoja të tmerrshme. Është bërë uji fatkeqësi në Shqipëri, ndërkohë që duhet të ishte pasuri. Po kaloi dhe ky moment pa vënë dorë dhe po të vazhdohet me arna sa të kalojmë këtë radhë dhe pastaj shohim radhës tjetër, do të bëhet e pakontrollueshme”, - është shprehur kryesocialisti.

Arvizu: “SHBA-të, të gatshme të ndihmojnë për përballimin e situatës”

Ambasadori i ri i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, i ka telefonuar dje kryeministrit Berisha, të cilit i ka shprehur mbështetjen dhe gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar në përballimin e situatës së vështirë që po kalon vendi nga përmbytjet. Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan vullnetin për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve. Ndërkaq, Arvizu, po gjatë ditës së djeshme i ka paraqitur Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Gjatë takimit, presidenti Topi ritheksoi vendosmërinë e shtetit shqiptar dhe angazhimin për të qenë gjithnjë partner i vendosur përkrah SHBA-ve, në të gjitha sipërmarrjet e saj, në funksion të thellimit të reformave demokratike, të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në botë. Kryetari i shtetit vlerësoi mbështetjen, kontributin dhe rolin e jashtëzakonshëm të SHBA-ve si aktor i rëndësishëm në thellimin e proceseve reformuese demokratike, forcimin e institucioneve në Shqipëri dhe përmbushjen e standardeve në funksion të integrimit euroatlantik të vendit. Në vijim, Presidenti i Republikës bëri një panoramë të zhvillimeve të fundit në vend, duke u përqendruar në përpjekjet konkrete të shtetit shqiptar në reformimin e sistemit gjyqësor dhe atij të drejtësisë, konsolidimin e institucioneve dhe shoqërisë demokratike, në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar etj. Nga ana e tij, ambasadori Arvizu vuri në dukje vlerësimin e tij pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët si një vend dhe popull që kanë një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan. “Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë dy vende mike të ngushta dhe aleate në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe promovimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në mbarë botën siç e ka demonstruar roli pozitiv dhe moderator në rajon dhe kontributi i forcave paqeruajtëse shqiptare në Irak dhe Afganistan”, - theksoi ambasadori Arvizu.

7 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›