E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja nis të martën turin e protestave për të larguar qeverinë



Eljona Ballhysa
Ditën e martë të javës së ardhshme Partia Socialiste do të rinisë protestat për largimin e qeverisë në mbarë vendin. Deklarata është bërë dje nga vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai tha se turi i protestave u ndërpre për shkak të situatës së rëndë të shkaktuar nga përmbytjet në zonën veriperëndimore të vendit. Sipas Ramës, protestat do të kenë si qëllim largimin e pushtetit të korruptuar të Berishës, i cili, sipas kryesocialistit, nuk po bën gjë tjetër veçse po zvarrit çdo ditë e më shumë krizën politike në vend. Rama gjithashtu bëri të ditur se Partia Socialiste do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Sipas tij, Parlamenti ende nuk ka shqyrtuar asnjë nga propozimet e opozitës si për të bërë transparencën e zgjedhjeve, ashtu dhe për të miratuar planin për t’u ardhur në ndihmë zonave të përmbytura.
Protestat
“Të jeni të sigurt që protestat do të vazhdojnë dhe do të vazhdojnë sipas kalendarit të paracaktuar. Ka pasur vetëm një moment ndërprerjeje thjesht për shkak të situatës së krijuar dhe qysh nga e marta e ardhshme dhe më tutje protestat do të vazhdojnë, duke filluar aty ku u ndërprenë, në qytetin e Durrësit”, - është shprehur dje kryesocialisti Rama. Qëllimi i protestave të PS-së do të jetë kërkesa për largimin e qeverisë “Berisha”. “Është tërësisht normale që opozita dhe qytetarët të gjithë së bashku të reagojnë me këmbëngulje për ta larguar një qeveri të kësaj natyre dhe për t’i hapur rrugë një procesi qeverisës, i cili duhet të bazohet te vota e lirë dhe duhet të përfaqësojë interesat e njerëzve. Përsa i përket aspektit të krizës politike, është e qartë që ka një përpjekje tani më të stërnjohur për t’i zvarritur pafundësisht gjërat, për të marrë pafundësisht kohë të çmuar dhe për të bërë të mundur që zgjedhjet e ardhshme të grabiten njësoj si zgjedhjet e shkuara, në mungesë të transparencës dhe në mungesë të mekanizmave që i mbrojnë zgjedhjet nga korrupsioni. Kjo është qasja e qeverisë, kjo është qasja e Saliut, i cili ka dështuar me qeverisjen e vendit dhe kërkon të qëndrojë me pahir në krye të vendit duke vjedhur e rivjedhur votat e popullit”, - është shprehur Rama. Kryesocialisti gjithashtu pohoi se marrëdhënia e PS-së me Parlamentin do të vazhdojë të mbetet e kushtëzuar.
“Marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin dhe përpjekje në Parlament për t’i dhënë zgjidhje krizës politike, për të adresuar drejt problemet e vendit, për të trajtuar përmes mocionit për debat që edhe ai është zvarritur padrejtësisht dhe paturpësisht nga spikerja e Kuvendit për në fund fare të sesionit, çështjes së marrëdhënieve mes vendit tonë dhe BE-së në kushtet e refuzimit të statusit të kandidatit dhe e mosçeljes së negociatave për anëtarësim në BE”,- është shprehur Rama.
Përmbytjet
Përsa i përket situatës së përmbytjeve, Rama tha se zgjidhja mbetet adresimi me seriozitet i problemit duke shqyrtuar planin e propozuar nga PS-ja. “Ne kemi bërë një propozim konkret, i cili, njësoj si propozimi për zgjidhjen e krizë politike, nuk është marrë aspak seriozisht, përkundrazi, është trajtuar në të njëjtën mënyrë duke u justifikuar me procedura e me burokracira, të cilat nuk kanë të bëjnë me krizat dhe me thelbin e krizave në një vend ku demokracia funksionon dhe në mënyrë të posaçme pala që qeveris është e interesuar që t’u jap zgjidhje problemeve dhe jo e interesuar që t’i zvarritë pafundësisht zgjidhjet me qëllim që të mbajë medoemos pushtetin”, - është shprehur kryesocialisti. Sipas Ramës, realizimi i operacionit kundër përmbytjeve i jep zgjidhje problemit, ndërkohë që fondet shkojnë për banorët dhe zonat që kanë nevojë dhe nuk shkojnë për prerje shiritash elektoralë. “Ne jemi të bindur që propozimi që ne kemi bërë për të ndërhyrë duke realizuar një operacion radikal në territorin e vendit kundër përmbytjeve është një propozim plotësisht i realizueshëm, por jemi të vetëdijshëm se ata që sot qeverisin janë sa të paaftë që ta kuptojnë këtë propozim. Ata janë të painteresuar që të zëvendësojnë shiritat e parashikuar elektoral me interesat e qytetarëve dhe të komuniteteve që vuajnë sot nga përmbytja dhe do të vuajnë edhe nga përmbytja e radhës pikërisht për arsye se fondet të cilat duhet t’i kushtohen zgjidhjes së këtij problemi të madh të tyre dhe të gjithë vendit, në fakt janë copëzuar dhe sipas të gjitha gjasave do mbeten të copëzuara për interesat e pushtetit dhe fushatës së ardhshme elektorale”, - është shprehur Rama.

Berisha: “Banorët e përmbytur do të dëmshpërblehen për dëmet”

Kryeministri Berisha deklaroi për herë të parë dje se banorët në zonat e përmbytura do të dëmshpërblehen për dëmet. “Ky është një vend i lirë dhe ka një ligj që quhet ligji i digave, që detyron dëmshpërblimin e plotë të dëmeve të krijuara në zonat nën diga. Ne jemi vend i shtetit ligjor dhe zbatojmë plotësisht ligjet tona. Sikundër ka një moral. Ai që është në fatkeqësi, ndihmohet dhe ky është një moral universal i shoqërive të lira e të qytetëruara. E kemi edhe në ligj, edhe në moral. Ndaj të përpiqemi të përballojmë si deri më sot problematikën e përmbytjeve dhe të mendojmë ndërhyrje ndër më të fuqishmet shumëplanesh, pas përmbytjes”,- është shprehur Berisha. Më tej, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha akuzoi ashpër kreun e PS-së duke thënë se Rama po e përdor situatën e vështirë të krijuar për shkak të përmbytjeve, për kapital politik. “Dua gjithashtu të shpreh më shumë se keqardhjen time për ata, të cilët që në fillim të përmbytjes e gjer më sot përpiqen të krijojnë kapital politik, duke organizuar protesta në një kohë, kur Shkodra mbytej dhe jo për Shkodrën, por për karrigen e tyre. Në një kohë kur Shkodra gjendej në ujë, ata shfrytëzonin angazhimin e anëtarëve dhe drejtuesve për të ndihmuar qytetarët dhe mblidhnin banda për të bërë zgjedhje sipas ligjeve të shpellave, dhe jo sipas statuteve demokratike të partive. Dje dëgjoja zotin Rama të sulmonte sepse kam deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk kemi humbje në jetë njerëzish dhe kjo është kryesorja. Në fillim nuk u besova veshëve, por më pas ai e përsëriti disa herë. Më duhet t’i them zotërisë se ajo që ke deklaruar dje është e paimagjinueshme. Ajo të demaskon e të nxjerr dhjetë herë më keq sesa ke dalë në plazh dikur, sepse në çdo rrethanë e situatë jeta e njeriut është më e para dhe më e kushtueshmja”, - është shprehur Berisha, i cili, në përfundim të fjalës së tij garantoi se qeveria i ka të gatshme projektet e ndërhyrjes dhe do të fillojë së shpejti me ndërtimin e bypass-it dhe me thellimin e Bunës.

Patozi: “Rama përpiqet të spekulojë me shtyrjen e seancës parlamentare të së enjtes”

Pas deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste për shtyrjen e seancës parlamentare të ditës së enjte, ka reaguar dje kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Gjatë fjalës së tij Patozi akuzoi kryesocialistin Rama se po spekulon me shtyrjen e seancës parlamentare. “U bënë dy ditë që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po përpiqet të spekulojë me shtyrjen e seancës parlamentare të së enjtes, për shkak të gjendjes së rëndë në Shkodër, duke akuzuar për këtë maxhorancën. Së pari, i gjithë procesverbali i Konferencës së Kryetarëve u vu në dispozicion të shtypit dhe aty del fare qartë që përfaqësuesit e opozitës ranë dakord që seanca e së enjtes mund të mos zhvillohej për arsyet e mësipërme. Në fakt, kam qenë unë që e kam kërkuar një gjë të tillë në fillim të mbledhjes dhe pas diskutimeve të gjata është arritur edhe mirëkuptimi i dy drejtuesve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Së dyti, më duhet të sqaroj njëherë e përgjithmonë se përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk e kishin fare në axhendë shqyrtimin e propozimit për ndryshime në buxhet, siç po pretendon Rama. I vetmi shqetësim i tyre ishte shqyrtimi i kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e shkuara”, - është shprehur Patozi.

11 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›