E Shtunë, 31 Tetor 2026

“One Stop Shop” edhe në Postën Shqiptare, prezantohet projekti i internetit



Shumë shpejt të gjitha shërbimet për qytetarët si verifikime apo tërheqje dokumetancioni do të kthehen në një qendër “One Stop Shop”. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha gjatë prezantimit të shërbimit më të ri të Postës Shqiptare, atë të ofrimit të internetit falas në çdo zyrë postare në të gjithë vendin. Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea e quajti këtë shërbim si, mjaft të rëndësishëm pasi sipas tij krijon lehtësira për qytetarët duke shmangur burokracitë. Shërbimin e internetit pa pagesë, qytetarët do të kenë mundësi ta përdorin në 550 zyra postare në të gjithë vendin, njëkohësisht duke përdorur edhe shërbimet on-line që ofron Posta Shqiptare. “Posta Shqiptare të shndërrohet në një ‘One Stop Shop’ që do t'u ofrojë qytetarëve shqiptarë disa nga shërbimet më të nevojshme”,- kjo ishte kërkesa e kryeministrit, Sali Berisha gjatë prezantimit të "Projektit të Internetit". Duke iu referuar përpjekjes së qeverisë për “Shqipërinë Dixhitale”, kreu i qeverisë e konsideroi këtë një hap të rëndësishëm dhe brenda këtij konteksti, vlerësoi ndryshimet thelbësore që janë arritur në Postën Shqiptare dhe shërbimet që ajo ofron. "Komunikimi është sot një nevojë absolutisht nga më jetiket për njeriun modern. Pikërisht për këtë arsye, qeveria shpalli në vitin 2008 Shqipërinë Dixhitale, si njërin nga objektivat më madhore të saj. Ne e bëmë këtë në një kohë kur shkalla e penetrimit të internetit në këtë vend ishte gjithsej 4.5 për qind",- është shprehur Berisha. Kryeministri tha se, “Shqipëria po ndërton me shpejtësi moshën teknologjike dixhitale dhe në këtë drejtim shërben edhe krijimi i një ‘One Stop Shop’ në Postën Shqiptare, që do t'i ofrojë qytetarëve në gjithë vendin disa nga shërbimet themelore. Në botë sot po punohet me përparësi për revolucionin e shërbimeve dhe për të drejtën e qytetarit për të pasur shërbimet më të mira. Ndaj dhe uroj që në këtë garë dhe konkurrencë Posta Shqiptare të qëndrojë në krye”. Në këtë drejtim, Berisha theksoi se në buxhetin e shtetit për vitin 2011, përcaktohen me përparësi fondet për infrastrukturën dixhitale dhe atë rrugore të vendit.

11 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›