E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: FMN kërkoi të mos rritet borxhi, ne rishqyrtojmë buxhetin

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e qeverisë se marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) janë të shkëlqyera. Sipas tij, kushti i marrëveshjes së Shqipërisë me FMN ka qënë vetëm borxhi publik, por jo se FMN ka kërkuar nga qeveria shqiptare rritje taksash dhe ulje shpenzimesh.

“Ne nuk rrisim borxhet, ndaj ne bëjmë një rishqyrtim të buxhetit, por borxhi nuk do rritet në asnjë lloj mënyre”, tha Berisha, por pa shpjeguar se ku do të ndërhyet në buxhet.

Duke quajtur trillime deklaratat se qeveria nuk dëgjon FMN, Kryeministri theksoi më shumë se një herë se FMN nuk e kushtezoi qeverinë të mos rrisë pagat e pensionet apo të ulë investimet, pasi sipas tij nuk ka një marrëveshje të tillë të nënshkruar mes paleve. Marrëveshja ka si kusht të vetëm që borxhi publik të mos ndryshojë, u shpreh Berisha, duke shtuar as taksat nuk do të ndryshojnë.

“Të gjitha komentet që bëhen se gjoja qeveria nuk po dëgjon këshillat e FMN janë vetëm trillime. FMN e ka bërë të qartë, cdo vit ka theksuar me të madhe në gjithë dokumentat e saj suksesin e Shqipërisë”.

“Kemi marrëveshje me FMN dhe marrëveshja është firmosur për mosrritje borxhi dhe jo për mosrritje rrogash. Ne nuk po shkelim asnjë lloj premtimi. Ne nuk kemi marrëveshje për rritjen e taksave me FMN. Jemi shprehur qartë, e kemi të qartë në ligjin tonë, do rrisim rrogat. Marrëdhniet janë shumë të mira dhe do vazhdojnë të jenë të tilla”.

Më tej kryeministri shtoi se deklarata e FMN për ulje shpenzimesh ka qënë këshillë dhe jo kusht.
“Ka një këshillë nga ana e FMN, të ngrijmë rrogat dhe pensione dhe kjo është dashamirëse, nuk ka qëllim tjetër vecse dashamirësi. Ne mendojmë se cështjet që duhet të krijohen duhen zgjidhur me performancën më të mirë. Rëndësi të jashtëzakonshme ka mbajtja e regjimit të ulët e taksave si kush për të përmbushur zhvillimin promotor të vendit”, deklaroi sot Berisha në mbledhjen e qeverisë.

Sipas Berishës në rast se do të ndërpritej rritja e rrogave, ndërprerja e investimeve, atëhere vendi do të mbetej i pazhvilluar. Sa për borxhin, Berisha tha se do punohet që niveli i borxhit të mbetet i palëvizur nga ai i vitit të kaluar.
“Nuk do rrisim borxhin dhe kjo është deklarata jonë, 54% ka qënë vjet, kaq do jetë dhe sivjet. Rrogat e pensionet do rriten, rrugë do ndërtohen se nuk mund të mbetemi vend i prapambetur, Kemi projekt për Shqipëria e zhvilluar, nuk do lemë komunat, rroftë energjia elektrike dhe të jenë si në Mesjetë.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Berisha: FMN kërkoi të mos rritet borxhi, ne rishqyrtojmë buxhetin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›