E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Falë hidrocentraleve nga gumëzhimat e gjeneratorëve u bëmë eksportues të energjisë”

17-05-2013 / Gazeta 55

Inaugurohet sistemi i ri Dispeçer, në Kashar, investim me vlerën e 17 milionë euro

Kryeministri Sali Berisha inauguroi sistemin e ri të kontrollit dispeçer ( OST SCADA/EMS), në Kashar, Tiranë, si një investim që kap vlerën e 17 milionë eurove. Kreu i qeverisë Sali Berisha në prani të ambasadorit Italian Gaiani, bëri të ditur punën e madhe që është bërë mbi investimet mbi projektet për energjinë elektrike. “Nga gumëzhimat e gjeneratorëve u bëmë eksportues të energjisë. Se atyre u interesonte ndërprerja masive e energjisë, duke iu paraqitur qytetarëve, mashtrimin se kaq mban rrjeti dhe se nuk mund të importojnë dot më shumë. Në të 4 anët e vendit gumëzhinin gjeneratorë dhe qytete të tëra vendoseshin në agoni energjetike. Nëse analizoni kohën e cila është gjithnjë e më e çmuar, ndikojnë faktorë të tjerë, por ka një faktor që kohën pothuaj e ndalon, pothuaj e zeron, dhe ky faktor është vullneti politik. Përgëzoj punonjësit e tërë sistemit energjetik, ju e patë qartë se vullneti politik është që qytetarëve shqiptarë të mos u mungojë asnjë minutë energjia elektrike, ne vendosëm një standard bazë që duhet të kenë qytetarët e një vendi, kjo politikë u konsolidua”, theksoi Berisha.
Sipas tij vetëm katër vitet e fundit në sistemin e energjetikës shqiptare janë investuar 730 milionë euro, duke apeluar punonjësit që të përqendrohen në rritjen e efiçencës së përdorimit të energjisë. “Vetëm këto katër vite në sistemin e energjetikës shqiptare, sektori publik ka investuar 730 milion euro. Në katër vitet e fundit, qeveria nuk lejoi rritjen as edhe një qindarkë të çmimit të energjisë, por kompensoi Entin Energjetik. Kompensoi edhe shumë më tepër, për shkaqe  të njohur tani edhe nga problemet e mëdha të krijuara nga thatësira e zgjatur, por edhe problemeve të padiskutuara të krijuara me keq menaxhimin. Ne nuk lejuam që qytetari shqiptarë të paguajë e ti rritet çmimi. Nuk lejuam, sepse koha është e vështirë dhe përsëri ne qëndruam  në mbështetje të sipërmarrjeve tona energjetike, qëndrojmë në mbrojtje të konsumatorit shqiptarë, por në mënyrë të ndershme”, theksoi ai.
Më tej Berisha theksoi se lidhur me energjinë, qeveria gjithmonë ka marrë në mbrojtje konsumatorin. “Dikush mund të më thotë se dhe rritja e çmimit të energjisë është normale jo nuk është normale. Ka vende që në 30 vite kanë pasur rritje progresive ekonomikë por kanë pasur vetëm 30% të rritjes së çmimit të energjisë, por janë përqendruar tek eficensa e përdorimit të burimeve”.  Berisha theksoi se energjia është fokusi kryesor i qeverisë dhe në këtë drejtim u ndal në projektet e hidrocentraleve, duke thënë se çdo burim që mund të prodhojë energji elektrike të përdoret në këtë drejtim. “Qeveria do të vendosë se shpejti për të ndërtuar një linjë të re nënujore në partneritet publik-privat, që lidh Shqipërinë me Italinë, një treg  gjigant energjetik. Pas 30 vitesh kohe të ndalur në ndërtimin e hidrocentraleve, nga viti 2007 e deri më sot, ne ia kemi dalë të ndezim në Shqipëri garën më të pa shembull më të pa precedent në hidroenergjetikë. Janë firmosur  127 kontrata, për ndërtimin e 363 hidrocentraleve, janë ndërtuar 53 dhe janë 103 të tjera në ndërtim e sipër. Nisën punimet në historinë më të madhe të energjetikës shqiptare Kaskadës së Devollit. Janë përgatitur studimet dhe janë të gatshme për ndërtimin e Skavicës dhe Kaskadës së Vjosës. Ne të gjitha rrjedhjet e lumenjve shqiptarë  janë bërë studimet për shfrytëzimin e  tyre në Kaskadë.  Ne synojmë absolutisht çdo burim, që mund të prodhojë energjinë elektrike ta përdorim për prodhimin e energjisë elektrike. Së shpejti do të shpalosim kuadrin e ri, për hidrocentralet më të vogla, në mënyrë që çdo burim uji ta shndërrojmë edhe në burim energjie elektrike. Investimet janë të mëdha në këtë fushë”, nënvizoi Berisha.
Kryeministri theksoi se së shpejti do realizohet edhe eksporti i energjisë në rajon si një vend superenergjetik. Më, tej kreu i qeverisë u ndal edhe tek projekti i gazsjellësit TAP, i cili sipas tij ka rritur vlerësimin e Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar. “Me Italinë mike dhe Greqinë po punojmë me intensitet të madh për projektin më madhor energjetik në Europë që është gazsjellësi TransAdriatik. Kjo ka rritur shumë vlerësimin e komunitetit energjetik ndërkombëtar për Shqipërinë. Ky projekt është i një rëndësie të jashtëzakonshme sepse do bëjë të mundur qytetarët shqiptarë të gatuajnë, të ngrohen me çmime shumë më të leverdishme”, theksoi Berisha. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Berisha premtoi se shumë shpejt do të nisi puna për ndërtimin e një linje nënujore Shqipëri - Itali për transportin e energjisë elektrike. Gjithashtu, kreu i qeverisë u shpreh se janë pranë përfundimit projektet për të lidhur Tiranën me Prishtinë dhe me Maqedoninë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›