E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 23 qershor, me vota do firmoset anëtarësimi i Shqipërisë në BE

17-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prezanton në Elbasan ekipin fitues të koalicionit të Qendrës, Qendrës së Djathtë dhe të Së Djathtës. Në sheshin qendror të qytetit, entuziazmi dhe pjesëmarrja kujtonte plebishitin properëndimor të 1992-it. Deklarata: “Blushi pat deklaruar se nëse ndërtohej tuneli Tiranë-Elbasan, do merrte teserën e PD, tani struket si fatorino në autobus me shefin e tij”
“Brenda mandatit të ardhshëm do liberalizojmë vizat me SHBA-të”
Arben Imami: “Më 23 qershor shqiptarët do ta nxjerrin Edi Ramën në qoshe”

Nën brohoritjet dhe entuziazmin e mijëra të pranishmëve në sheshin “Gensher”, në Elbasan, kryeministri Sali Berisha prezantoi dje ekipin fitues të Partisë Demokratike. Duke u zotuar se kandidatët për deputetë të PD-së nuk do të jenë deputetë të PD-së apo qeverisë së ardhshme, por të qytetarëve të Elbasanit, Librazhdit, Gramshit, Peqinit, Cërrikut, shefi i demokratëve theksoi se “4 vitet që vijnë do bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të reja të punës për punësimin masiv të qytetarëve të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë”. “Përpiqemi më shumë se për çdo gjë tjetër për punësimin e qytetarëve. 4 vitet që vijnë do të jenë vitet që ne do të krijojmë 250 mijë vende pune në Elbasan dhe mbarë Shqipërinë”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se, “bizneset e Elbasanit janë pothuajse dyfishuar falë reformave dhe lehtësirave fiskale të qeverisë”. Ai vuri në dukje se kjo bëri të mundur që Shqipëria të marrë 4.2 miliardë dollarë investime të huaja. “Të ketë 316 % rritje të investimeve të huaja, ndërsa vende të tjera kanë pasur ulje drastike të tyre. Ne që arritëm të thithim në 4 vite, 4.2 miliardë dollarë investime të huaja, me të cilat u krijuan dhjetra mijëra vende pune, ju garantojmë se me ligjin e ri të heqjes së taksës mbi çdo makineri apo mjet tjetër për prodhim, investimet e huaja do të arrijnë në 6 miliardë dollarë”- theksoi Berisha. Kryeministri u shpreh se gjatë mandatit të ardhshëm do të realizohen edhe dy projektet e mëdha të vendit Kaskada e Devollit dhe gazsjellësi TAP, të cilat gjenerojnë mijëra vende pune. “Për ne puna është bekim i zotit, jemi përpjekur dhe do përpiqemi më shumë se për çdo gjë tjetër për punësimin e shqiptarëve, katër vitet që vinë do krijojmë 250 000 vende të reja pune. Plani ynë është një plan konkret, në eksperiencën e deritanishme dhe vizionin për të ardhmen. Ne bëmë që Shqipëria të jetë një nga vendet e preferuara, nëse renditemi të 18 për tërheqjen e investimeve të huaja, me paketën e re ju garantoj se do renditemi në vendet e para të Europës dhe planetit, katër vitet që vinë Shqipëria do marrë 6 miliardë dollarë investime. Vërtet u desh kohë por tani Banja është në dorën e njëshit në Europë dhe botë për ndërtimin e hidrocentraleve. Po afrohet gjithnjë e më shumë projekti gjigant, TAP. Autostrada po përfundon, u jap fjalën se do bëj gjithçka për zonën e lirë industriale të Elbasanit. Në katër vite ne kemi financuar në qarkun tuaj 5000 projekte për zonat rurale, ju jap fjalën se ky financim do trefishohet, duke i hapur rrugën krijimit të vendeve të reja të punës. Katër vitet që vinë ne do kemi 7 milionë turistë dhe vizitorë, kjo do të thotë punësim për shqiptarët direkt dhe indirekt. Katër vitet që vinë dio jenë vitet e bumit të madh të teknologjisë dixhitale”- tha më tej Kryeministri. Jo vetëm punësim, por edhe mirëqënie garantoi shefi i mazhorancës, duke garantuar kështu rritjen e rrogave dhe pensioneve. Duke u ndalur me konkretisht tek mësuesit, ai tha se nuk do të ketë rrogë më të vogël se 700 dollarë. “Nuk është vetëm punësimi, qëllimi ynë është mirëqënia. Në Elbasan kam bërë premtimin për dyfishim të rrogave të mësuesve, për dyfishim të pensioneve, vi sot i kënaqur se sëbashku i kemi realizuar. Ju garantoj se ne do vazhdojmë përsëri rritjen e tyre edhe për katër vitet që vinë. Garantoj mësuesit se në mandatin e ardhshëm nuk do kenë rrogë më të vogël se 700 dollarë, në administratë ka njerëz më të rëndësishëm se ju, por nuk ka misionarë më të rëndësishëm se ju, ndaj do të jeni në vëmendjen kryesore të qeverisë”- vijoi kryeministri. Ndërkohë, Berisha akuzoi opozitën se ka penguar më parë liberalizimin e vizave me BE-në dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO, ndërsa ironizoi edhe turin e Ramës me autobus – ndërkohë që mazhoranca përfundon projektet e mëdha infrastrukturore për zhvillimin e Shqipërisë. “Alternativa tjetër ka vetëm akuza, mohim dhe mashtrime. Motoja e saj është “ç’më duhet mua se çfarë them unë”. “Në tetor të vitit të kaluar komisioni vendosi që të rekomandojë statusin për Shqipërinë, me kusht që të votoheshin 3 ligjet, për të cilat vetë KE kishte ndërmjetësuar, dakordësuar plotësisht për të votuar. Ligjet u përdorën për të shkelmuar aspiratën, interesin, idealin e çdo shqiptari për të parë Shqipërinë vend me status për anëtar në BE. Zoti Rama nuk e ka të rastit qëndrimin e tij ndaj integrimit. Vetëm një pyetje shtrojini vetes, si ka mundësi që ky zotëri, i vetmi në Europë bllokon vendin e tij. Çfarë bëri ai për vizat? A kishte krim dhe mëkat më të madh t’i bllokojë vizat një kombi që ka 25% të vajzave dhe djemve në emigracion, e bëri dhe s’pyeti fare. Çfarë bëri ai për NATO-n, organizoi mitingje me portretin e Enver Hoxhës. Ata janë në autobus, ne do të bëjmë By-Passin. Ata janë në autobus, ne do të ndërtojmë parkun rekreativ të Krastës”, u shpreh kryeministri Berisha. Ai gjithashtu ironizoi kandidatin për deputet, që kryeson listën e Partisë Socialiste në Elbasan, Ben Blushi, i cili është shprehur se nëse ndërtohet tuneli Tiranë – Elbasan do të marrë teserën e PD-së. “E kishit ju dje këtu fatorinon e autobusit, e kishit. Përshëndeteni zotin Blushi dhe pyeteni ku e ke teserën e PD? Pse, kur morëm vendimin për ndërtimin e tunelit, Ben Blushi deklaroi publikisht se nëse Berisha ndërton tunelin, unë do marr teserën e PD-së. Kurse tani as që guxon t’i afrohet, struket si fatorino në autobus me shefin e tij”, tha kryeministri Berisha, duke ftuar qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, që në 23 qershor të firmosin për integrimin e Shqipërisë në BE. “Së bashku më 23 qershor do firmosim për integrimin, jo vetëm për statusin, por dhe hapjen e negociatave”.
Brenda 4 viteve të ardhshme, liberalizojmë vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/Kryeministri Berisha premtoi sërish dje nga Elbasani liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, ky premtim do të bëhet realitet falë reformave dhe vendosmërisë së qeverisë, me po të njëjtin ritëm siç u bë e mundur heqja e vizave me vendet e BE. “Sëbashku për liberalizmin e vizave me mikun e madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Askujt nuk i kërkojmë atë që s’e meritojmë, por do të plotësojmë çdo kusht, siç i plotësuam për liberalizimin e vizave me BE-në. Është kjo ëndrra jonë që do të realizohet gjatë 4 viteve që vijnë. Ata që më tregojnë A4-ën u them kontrolloni grupin parlamentar sesa të refuzuar keni për viza në atë vend”, u shpreh kryeministri Berisha. Ne, vijoi kreu i qeverisë, “do të bëjmë çdo reformë, çdo përpjekje. Liberalizimi i vizave me SHBA-të përbën një motiv të madh për ne, për t’u arritur. Motiv që gëzon çdo qytetar”- theksoi shefi i ekzekutivit.

Arben Imami: “Më 23 qershor ju do ta nxirrni Edi Ramën në qoshe”
Kryetari i grupit të Punës të PD dhe i pari në listën e deputetëve për Qarkun e Elbasanit, Arben Imami teksa shprehu falënderimet për mbështetjen e demokratëve dhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë, akuzoi liderin e opozitës, Edi Rama për bllokimin e integrimit, duke mosvotuar 3 ligjet e Komisionit Evropian. “Të jeni të sigurt që do bëjmë gjithçka për t’ju përfaqësuar më mirë. Dje Rama u fut në qoshe dhe ju në qoshe do ta vini më 23 qershor, ne kemi alternativën e mirë, të mbarë, të drejtë, e punësimit, zhvillimit, mirëqenies, integrimit, ata kanë alternativën e bllokimit dhe taksës të larta. Ne jemi integrimi, Edi Rama ishte kundër lëvizjes së lirë” - u shpreh z.Imami. Ai theksoi se PD është një alternativë e provuar tashmë nga qytetarët. “Do përfundojmë punën e nisur 4 vite më parë”. Për z.Imami, alternativa që ofron e majta politike dhe Rama me Koçon, është rritja e taksave dhe rrënimi ekonomik i Shqipërisë. “Në krye të Tiranës, Edi Rama vetëm rriti taksat, taksat e hoteleve, restoranteve, gjelbërimit dhe pastrimit; rriti taksën e tabelës e të reklamës për bizneset, madje ju vendosi dhe taksë për të hyrë në Tiranë. Ai kërcënon vendet e punës duke kërcënuar se do të heqë leje dhe koncesione të dhëna me proceduara të ligjshme dhe transparente. Ai kërcënon biznesin dhe qytetarët me taksa të larta. Ai me ortakun e tij Koçon, e ka privatizuar Partinë, dhe mendon se mund ta bëjë këtë edhe me Shqipërinë. Ai gjithmonë ka dëshmuar që interesi i tij politik, është më i rëndësishëm se sa interesi publik. Sepse i vetmi vend pune që i intereson Edi Ramës është karrigia e tij si kryetar i Partisë Socialiste. Tashmë alternativa e tij është taksa progresive. Ajo që propozon Rama nuk është një e panjohur për qytetarët e Elbasanit. Para 8 vjetësh, Shqipëria kishte taksa të larta, taksa të cilat nuk i mblidhte sepse kompanitë, bizneset që ishin pranë qeverisë nuk paguanin taksa. U shkatërrua konkurrenca dhe kur shkatërrohet konkurrenca, tregu nuk funksionon dhe monopolet i marrin frymën ekonomisë, çmimet rriten. Me taksën progresive, bizneset e huaja do t’i mbyllnin kompanitë e tyre. Bizneset vendase gjithashtu. Punësimi do të binte mirëqenia gjithashtu. Dhe të jeni të sigurtë që brenda 1 viti Edi Rama do ta shkatërrojë ekonominë shqiptare. Ky nuk është programi i rilindjes. Ky është protokolli i varrosjes së ekonomisë shqiptare. Për këtë jam i sigurt sepse ai e ka një meritë, ai di të shkatërrojë shumë mirë çdo gjë. Shkatërroi Partinë Socialiste, shkatërroi veten me humbje e dështime nga zgjedhjet në zgjedhje. Por Elbasani, Shqipëria nuk do ta lejoje të prekë të ardhmen, punësimin, zhvillimin, mirëqenien, integrimin. Ne e duam vendin tonë, ndaj do të punojmë dhe premtojmë më shumë punë, investime, mirëqenie për qytetarët e Elbasanit! JO Ramës.  PO vendeve të punës.  PO zhvillimit.  PO të ardhmes. PO Kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike” - përfundoi z.Imami.  
Eduard Selami: Ne do të anëtarësojmë Shqipërinë në BE/I pari nga kandidatët për deputet që ju drejtua qytetarëve të Elbasanit nga sheshi “Gensher” ishte, Eduard Selami, i cili premtoi se PD do të bëjë të mundur integrimin në BE. Selami akuzoi kreun e opozitës se bllokoi për 3 vjet marrjen e statusit të vendit kandidat, për të ruajtur karrigen e tij në krye të partisë. “Për mua është nder që kandidoj në Elbasan, entuziazmi juaj tregon besimin që keni tek PD. Besimi jo vetëm për atë që është bërë më përpara për të rrëzuar komunizmin, por edhe punën që është bërë në këto 8 vite. BE i ofroi Shqipërisë statusin, por u bllokua për 3 vjet nga kreu i opozitës që të ruante vendin e tij në krye të partisë, t’i japim fund politikës destruktive, të përqafojmë të ardhmen evropiane. Ne besojmë në anëtarësimin e plotë në BE. Ne do e bëjmë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë”, tha ai.
Ardian Turku:”Të majtës i është bërë fobi tuneli dhe autostrada Tiranë-Elbasan”/Në fjalën e tij, kandidati për deputet, Ardian Turku u shpreh i bindur se qytetarët e Elbasanit, do i japin besimin e tyre PD-së më 23 qershor. “Unë jam pjesë e këtij grupi dinjitoz dhe do përfaqësoj vlerat dhe qytetarinë elbasanase me tradita të hershme”- tha ai. Teksa premtoi punësim e mirëqenie për qytetarët e Elbasanit, Turku u shpreh i bindur se krahut tjetër politik, të majtës, i është bërë fobi tuneli dhe autostrada Tiranë-Elbasan. “Ju siguroj se qytetarët i janë mirënjohës mazhorancës e Berishës. Jam i sigurt që kjo mirënjohje do shprehet me votë më 23 qershor”- deklaroi Turku.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›