Sequi: Partitë politike të zgjidhin ngërçin në KQZ
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi deklaroi sot se faktori ndërkombëar nuk po ndërmjetëson mes palëve, duke ia lënë në dorë zgjidhjen partive politike. “Mund t’ju them diçka të thjeshtë. Ne nuk jemi pjesë e negociatave. Gjithsesi ne jemi shprehur për KQZ-në pasi është një shtyllë shumë e fortë e procesit zgjedhor. Deklarata potenciale të mëtejshme për këtë çështje nuk do të mungojnë”- theksoi Sequi.
Deklaratat ambasadori i BE-së i bëri pas takimit që pati me shefen e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it Conny McCormack. Duke ripërsëritur edhe njëherë raportin e Këshillit të Evropës, që i konsideron zgjehdhjet test për integrimin e vendit, Sequi theksoi se zgjedhjet duhet të jenë në përputhje me standardet europiane dhe për të mbikqyrur procesin, në Shqipëri do qëndojë edhe një ekip vëzhguesish nga Bashkimi Europian. “Ju e dini fare mirë dhe konkluzionet e Këshillit Evropian, ishin që organizmi i zgjedhjeve do jetë test kyç për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe po kështu është me rëndësi për rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zgjedhjet do të jenë një test kyç për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe po kështu është me rëndësi për rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. BE po e mbështet këtë proces zgjedhor në Shqipëri. Ne kemi mobilizuar fonde për të mbështetur 32 vëzhgues afatshkurtër dhe 6 vëzhgues afatgjatë” shtoi ambasadori Sequi. Për procesin e zgjedhjeve të 23 qershorit, KQZ mbetet shqetësimi kryesor, por deri më tani palët nuk kanë dhënë asnjë shenjë kompromisi pavarësisht apeleve të ndërkombetarëve. Prej disa javësh Partia Socialiste ka tërhequr përfaqësuesit e saj në KQZ, por kjo nuk e ka penguar për asnjë moment institucionin e administrimit të zgjedhjeve në vendimmarrjen për garantimin e procesit elektoral të 23 qershorit.