E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësuesve do ju bëhet rroga 700 dollarë - arsimi profesional, një zgjedhje e mençur për të ardhmen

17-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguroi rikonstruksionin e shkollës së Mesme Profesionale “Karl Gega”, në Tiranë

“Pagat e arsimtarëve do të jetë 700 dollarë”. Kështu premtoi kryetari i qeverisë, Sali Berisha, pas vizitës në shkollën e mesme profesionale “Karl Gega’ ku garantoi se do të bëhet gjithçka për vendosjen e arsimit profesional në piedestalin e merituar dhe do ta mbështesë biznesin me fond te veçante për financim.
Kryeministri Berisha teksa inauguroi rikonstruksionin e shkollës së Mesme Profesionale “Karl Gega”, ftoi të rinjtë ta shohin arsimin profesional si një mundësi të madhe, ndërsa u shpreh se “kjo është një zgjedhje e mençur dhe një pikëmbështetje e fuqishme për të ndërtuar të ardhmen”. “Në çdo sipërmarrje që kam vizituar, kërkesa më konstante e të gjithëve sëbashku ka qenë punonjës të kualifikuar, punonjës me profesione. Ndaj ne jemi përpjekur e përpiqemi shumë për zhvillimin e arsimit profesional”,  u shpreh Kryeministri, duke i garantuar të rinjtë se nga hapat e para që do të ndërmerret është krijimi i një fondi të veçantë për të financuar bizneset e tyre. 
Shkolla “Karl Gega”, e rikonstruktuar me një fond 55 milionë lekë nga buxhetin i shtetit, ka një traditë të hershme (nga themelimi kanë dalë më shumë se 100 mijë specialistë) dhe është e organizuar në funksion të tregut të punës dhe një komponent themelor i kurrikulës së saj është praktika dhe bashkëpunimi i ngushtë me biznesin. Shkolla ofron arsim profesional për profilet specialist në ndërtim, topografi, termohidraulik, përpunim druri, konfeksione dhe automekanik dhe aktualisht përfitues në këtë shkollë janë 700 nxënës në sistemin  me kohë të plotë dhe rreth 40 nxënës me kohë të pjesshme. Drejtori i shkollës tha se interesi për të ndjekur këtë shkollë është në rritje, kjo edhe për shkak të përshtatjes së saj me kushtet e tregut dhe rezultateve të saj, ku 15 përqind e nxënësve të saj ndjekin shkollat e larta dhe pothuaj të gjithë të rinjtë që kanë dalë prej saj janë të punësuar ose kanë krijuar biznese familjare.  Një nga të rinjtë që ka mbaruar këtë shkollë, duke sjellë përvojën e tij, tha se “ka një biznes të trashëguar familjar dhe kjo më bëri të nisja këtë shkollë profesionale. Ky ishte një avantazh shumë i madh, i dobishëm dhe një sukses në biznesin tim”. “Si shkollë profesionale, “shkolla Karl Gega” ka nxjerrë profesionistë dhe biznesmenë të fuqishëm. Ne të rinjtë e sotëm kemi fatin të marrim informacion dhe horizont në të gjitha degët profesionale që ofron kjo shkollë”, - u shpreh një nxënëse e saj.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›