E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Falenderoj presidencën për tryezën; opozita ftohet të paraqesë çdo propozim për ndryshimin e Ligjit Zgjedhor

Kreu i ekzekutivit shuan çdo shpresë të Edi Ramës se nga tryeza e Topit, mund të dalë një qëndrim të favor të tij dhe të qëndrimeve antiligjore. Kryeministri Berisha thotë shprehimisht se problemet e PS, të cilat e kanë çuar atë të artikulojë ato kërkesa të pabaza, janë probleme të opozitës me gjykatat dhe jo me sistemin partiak në tërësiShefi i mazhorancës dhe kryeministri Sali Berisha shprehet se problemet e partive me gjykatat, nuk mund të kthehen në probleme ndërpartiake dhe që të cënojnë stabilitetin politik në vend. Kreu i qeverisë vë në dukje se kërkesat të cilat nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe, për më tepër janë të fryra nga problemet e një partie, në rastin konkret PS, me Gjykatën e Apelit, nuk janë pjesë e bisedimeve dhe nuk mund të marrin asnjë zgjidhje nga tryeza e Presidentit Topi. Këtë deklaratë kryeministri Berisha e bëri pas takimit të zhvilluar në Presidencë me kryesocialistin Edi Rama, takim ky i kërkuar nga Presidenti Topi, pas rekomandimeve të rezolutës së KiE, mbi situatën politike në Shqipëri. Kreu i qeverisë theksoi se mazhoranca është e gatshme të përmbushë të gjitha kërkesat e KiE, por ajo që mbetet e parealizueshme dhe e cila ka sjellë edhe ngërçin institucional, bojkoti i opozitës, është një problem i brendshëm ndërmjet PS dhe gjykatave. Berisha përshëndeti edhe kreun e shtetit, për këtë iniciativë të rëndësishme, duke e konsideruar atë si jetike për vijimin e progresit politik të Shqipërisë dhe si një detyrim të ushtruar nga rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.Deklarata e plotë e kryeministrit Sali Berisha: “Dua të falënderoj Presidentin e Republikës për ftesën dhe të shpreh bindjen time se tryeza e thirrur nga ai ishte një përpjekje pozitive dhe serioze. Aty ne patëm një shkëmbim të hapur të mendimeve dhe pikëpamjeve. Ne ramë dakord që Presidenti i Republikës të vazhdojë të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergjencave për çështje bazuar në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR –it. Sikundër ne jemi dakord për të plotësuar të gjitha kërkesat e Rezolutës Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR –it mbi zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat janë vlerësuar nga 510 vëzhgues ndërkombëtarë si zgjedhjet që plotësuan shumicën e angazhimeve të OSBE/ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt. Po në këtë kontekst, në kuadër të rezolutës së KE dhe raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR –it, koalicioni qeveritar i ofron zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe mazhoranca do t’i votojë ato.Sikundër jemi të gatshëm të ngremë komisionin hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga kuorumi i tij. Gjithashtu, unë garantova Presidentin e Republikës dhe zotin Edi Rama se ne jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme, për të gjitha çështjet zgjedhore, bilaterale, pra mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në këtë kontekst, unë i propozova zotit Rama të listojë të gjitha çështjet dhe problemet e lishura me zgjedhjet, që ekzistojnë mes mazhorancës dhe opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do t’i trajtojmë ato në mënyrën me serioze dhe më konstruktive. Natyrisht, unë nuk mund të trajtoj problemet zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit. Problemet me vendimet gjykatave nuk janë probleme midis partive, por janë çështje që secila prej partive ka me pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij. Ju e dini se për Partinë Demokratike, në mënyrë të përsëritur, Gjykata e Apelit dhe Kolegji Zgjedhor kanë dhënë vendime të disfavorshme, madje edhe në zgjedhjet e fundit. Por unë nuk i kam bërë asnjëherë ato probleme ndërpartiake, sepse ato kanë qenë probleme midis Partisë Demokratike dhe pushtetit gjyqësor, vendimet e të cilit kemi qenë dhe jemi të detyruar t’i pranojmë. E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Socialiste. Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë jo vetëm kërkesën e zotit Rama për rinumërim të votave në disa zona, por ajo ka hedhur poshtë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërim në distriktin e Fierit, sepse bazuar në nenin 116 të kodit elektoral, i cili sanksionon se rinumërimi votave mund te behet vetëm ne raste kur ka kundërshtime gjate procesit të numërimi të tyre, gjykata konkludoi se nuk mund të ketë rinumërim të votave pa kundërshtime gjatë numërimit të tyre. Përveç kësaj, Gjykata e Apelit shpalli të pavlefshme, me kërkesë të PS, 512 votat e komunës Rushdije vetëm pse fletët e votimit nuk kishin dy vula, por vetëm një (për arsye se njërën vulë e mori komisioneri i Partisë Socialiste dhe u largua nga Qendra e Votimit gjithë ditën). Dhe në këtë mënyrë i dha mandatin Partisë Socialiste. Natyrisht këtë vendim PS e pranon por ajo nuk pranon vendimin tjetër me të cilin Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë kërkesën e saj për rinumërim të votave. Unë nuk kam akuzuar zotin Rama se më grabiti mandatin për Rushdijen. Jo! Mandati iu mor Partisë Demokratike nga Gjykata e Apelit dhe unë e kam pranuar këtë vendim. çështje të cilat Partisë Socialiste ia ka hedhur poshtë gjykata janë çështje mes saj dhe pushtetit gjyqësor dhe jo mes saj dhe Partisë Demokratike. Duke respektuar këto parime mendoj se çdo çështje tjetër mund të zgjidhet. Une dua të siguroj qytetarët shqiptarë se ne mbetemi të vendosur të japim të gjithë ndihmesën tonë për një rezultat pozitiv të dialogut....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›