“Shkelja e afateve Kushtetuese, djegie e sigurt e mandateve të PS”
BE, presion të ashpër për rikthimin e opozitës në KuvendPrej ditësh me radhë Bashkimi Evropian ka ashpërsuar gjuhën ndaj Partisë Socialiste dhe opozitës në tërësi. Trysnia e ndërkombëtarëve ka ardhur në rritje ditë pas dite, ndërsa po duket ende si një mision i pamundur, futja e opozitës në Kuvend, pas shpalljes së qëndrimeve që bien ndesh jo vetëm me ligjin, por edhe me Kushtetutën. Bashkimi Evropian është shprehur disa herë nëpërmjet Presidencës së radhës spanjolle, për ndalimin e bojkotit dhe hyrjen në Kuvend, në tempullin e demokracisë, për t’u bërë pjesë e skemës së reformave dhe të progresit për afrimin e Shqipërisë në Union. Christina Gallach, zëdhënësja e Presidencës spanjolle u shpreh se “Bashkimi Europian dhe Presidenca spanjolle është jashtëzakonisht e kënaqur për tryezën e dialogut që do zhvillohet të shtunën. Ne mendojmë dhe këtë e kemi shprehur në emër të të gjithë vendeve anëtare, se kjo tryezë është një rast që duhet kapur dhe duhet të përbëjë mbylljen e një kapitulli, e një situate që nuk mund të vazhdojë kështu. Një ngërç i tillë ka për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, një kosto të madhe në jetën e përditshme dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ne shpresojmë, se nga takimi i të shtunës do shohim një qëndrim të ri dhe një rezultat të ri”, u shpreh ajo.Gallach thotë se mungesa e dialogut e vështirëson procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat evropiane. Por, këto deklarata nuk po dëgjohen nga opozita dhe Edvin Rama. Në të njëjtin qëndrim është shprehur edhe Parlamentit Evropian, përmes Presidentit Jerzy Buzek. Zyrtari i lartë i PE, i kujton Ramës rezolutën e institucionit më të rëndësishëm të BE, miratuar nëntorin e vitit të shkuar, për progresin e Shqipërisë dhe vlerësimet për mbylljen me sukses të procesit të zgjedhjeve. “Do të doja të inkurajoja të gjithë liderët politikë të Shqipërisë për tu angazhuar në dialog, me qëllim që t’i jepet fund ngecjes politike. Konsideroj të mirëpritur nismën e Presidentit Topi për të organizuar negociatat tryezë të rrumbullakët me krerët e qeverisë dhe opozitës në Tiranë dhe shpresoj që këto bisedime të çojë në zgjidhjen me sukses. Do të doja të inkurajoja liderët politikë të Shqipërisë për t’i dhënë fund ngecjes politike, të pushojë sa më parë bojkoti i parlamentit, dhe të ecet përpara me reformat e nevojshme dhe vijimin e axhendës së integrimit evropian, shprehet Buzek, duke shtuar se, pres me padurim të marr lajme inkurajuese nga Tirana”.Ndërkaq, edhe ambasadorët e BE të akredituar në Tiranë, janë shprehur kundër bojkotit në të gjitha takimet që ata kanë zhvilluar me Ramën. Ambasadorët e SHBA, BE dhe KE, përkatësisht, Withers, Montobio dhe Lohan, i kërkuan edhe në takimin e fundit Ramës, që t’i drejtohet pa kushte tryezës së thirrur nga Presidenti Topi dhe paralel më këtë të mos vonojë më hyrjen e opozitës në Kuvend. Më i prerë në deklaratën e tij është ambasadori spanjoll, Emmanuel Montobio, vendi i të cilit udhëheq Presidencën e radhës të BE, i cili ka deklaruar qartazi se shkelja e afateve kushtetuese nga ana e opozitës, do të çojë në djegien e mandateve të deputetëve të dalë nga 28 qershori....