E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundër të gjithëve

Nuk nxit hulumtim pyetja, “Si u krijua ngërçi “Kuti”?”, por analiza futet në hulli me pyetjen, “Pse u sajua bojkoti “Kuti”?” Eshtë bërë e bëhet edhe humor, me dy emërtimet e dy veprimeve politike të futura në historinë zgjedhore, të shpikura nga e majta jonë: Dushk e Kuti. Bojkoti “Kuti” nuk qe ide që buroi nga fitorja e grabitur, me miratimin e komisionerëve socialistë. Numëruesit e votave, atje poshtë, janë po aq socialistë sa edhe disa akuzues, atje sipër. Shumëpërdorimi i fjalës bojkot e kuti, nuk do të kishte ndodhur, nëse brenda Partisë Socialiste nuk do të ishin bashkuar disa zëra kundër, që i kërkuan kryetarit të dorëhiqej me patjetër, pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershor 2009 dhe parashkrimit të dorëheqjes në nenin 28 të statutit. Organizimi i zgjedhjes përsëri të kryetarit të padorëhequr shihej se nuk qe zgjidhje e qendrueshme, sepse, gjithësesi humbja do të rrinte mbi krye edhe plot katër vjet, dhe neni 28 i statutit nuk mund të hiqej, si prurje demokratike në jetën e partisë. Kundërshtarët nuk do të heshtnin, nuk do të tërhiqeshin, nuk do të lodheshin e, asisoj kriza e krijuar brenda partisë, nga humbja dhe moszbatimi i statutit, doemos do të çonte në ndryshime të thella. Vërvitja e saj në Kuvend, u mendua si rrugë e mbijetesës pas rizgjedhjes, salla gjysmëzbrazur të dëmtonte palën tjetër, ndërsa zhagitja e bojkotit të tërhiqte vëmendjen e ndërkombëtarëve. Dhe, për këtë statregji u ngrit alibia se zgjedhjet nuk janë humbur. Dorëheqja u kërkua mbi humbjen e pranuar, alibia e mos humbjes iu përplas zërave kundër. Kriza tronditëse brenda partisë u emërtua “Shqipëria në krizë”. Por përfytyroni çfarë furtunash do të kalonte kreu i Partisë Socialiste sikur të mos sajonte “hapni kutitë!”, të mos zbatonte bojkotin e të futej në zgjedhjet e pjesshme!Ky qëllim i përcaktuar dhe i ndjekur, mori parasyshë çdo gjë, dhe mbi të gjitha, të vihej kundër të gjithëve, siç thoshte Lenin që, edhe njëri ka të drejtë e tridhjetë e kanë gabim. 1. Ata iu kundërvunë ushtrisë njëzetmijëshe të komisionerëve socialistë, duke hedhur hije të zezë mbi ta, si shitës votash e jo numërues të tyre. 2. Ata iu kundërvunë të djathës për t’ua përbaltur fitoren, duke e akuzuar si grabitëse. 3. Ata iu kundërvunë Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, që njëzëri çertifikoi rezultatin. 4. Ata iu kundërvunë vendimit të Gjykatës, që përmbylli fituesin. 5. Ata iu kundërvunë raportit të OSBE - ODHIR, që i vlerësoi zgjedhjet si më të mirat të zhvillura në Shqipëri. 6. Ata iu kundërvunë Brukselit, që e cilësoi Shqipërinë edhe më afër Bashkimit Europan me këto zgjedhje. 7. Ata iu kundërvunë SHBA, që i përshëndeti zgjedhjet. 8. Ata iu kundërvunë zgjedhjeve të pjesshme duke mos marrë pjesë në to. 9. Ata iu kundërvunë interesave të ngutshme të shqiptarëve, që lidhen me shpejtësinë e procesit integrues. 10. Ata iu kundërvunë zërave brenda Partisë Socialiste, që thanë se zgjedhjet janë humbur dhe kërkuan që grupi i deputetëve të futet në Kuvend. Kjo kundërvënie - të vetëm kundër të tërëve - shkoi aq larg sa, të gjithë që këshilluan e thirrën, “Shkoni në Kuvend!”, nuk u dëgjuan, asnjëherë dhe asnjëri prej tyre. Ironia e madhe është se, mbështjellja e këtij kundërshtimi, bëhet nën emrin e zgjedhjeve të lira e të ndershme të së ardhmes. Zgjedhjet që shkuan, nuk u cilësuan problematike nga askush, por më të mirat e zhvilluara ndonjëherë, madje fillimisht u vlerësuan edhe nga Partia Socialiste, dhe kjo hoqi çdo bazë për t’iu referuar atyre si zgjedhje të këqia dhe vënies së kushtit, të hapen kutitë. “Ngërçi politik”, sipas përcaktimit në deklaratën e BE, në vend të “Shqipëria në krizë” të emërtuar nga socialistët, do të zgjidhet. Por kriza e sajuar për Shqipërinë do të prapakthehet brenda partisë, aty ku ajo nuk fle, por vlon. Zhvillimet e papërfunduara në Partinë Socialiste, tani për tani nuk kanë të bëjnë me ardhjen në pushtet, por kush do të ketë pushtin në drejtimin e partisë.Kjo nuk e ka emrin “Shqipëria në krizë”, por “Partia në krizë”....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›