Berisha: Familja e Ahmetajt është kërcënuar. Shpalleni bashkëpunëtor të drejtësisë

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, duhet të merret në mbrojtje dhe të shpallet bashkëpunëtor i drejtësisë.
Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiakur Erion Veliaj po tentojnë që t’i mbyllin gojën ish-zyrtarit të lartë me qëllim për të mos publikuar ndërhyrjet e tyre si kupolë kryesore e vjedhjes së djegësave.
“Duhet të shtoj se afera e djegësave, e vlerësuar nga shqiptarët si vjedhja e shekullit, është njëkohësisht hetimi ose dështimi i shekullit.
Ndaj jam këtu sot për të denoncuar përpara shqiptarëve disa zhvillime me të cilat kupola e mafies së plehrave po bën gjithçka për të ndikuar dhe për të penguar hetimin.
Së pari, ju informoj se prej tre javësh, një breshri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt.
Këto kërcënime kriminale dëshmojnë tmerrin dhe datën që Arben Ahmetaj u ka kallur Edi Ramës dhe Erion Veliajt si bosët kryesorë të vjedhjes së shekullit.
Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën për të mos i bërë publike ndërhyrjet e Ramës dhe Veliajt si kupolë kryesore e vjedhjes së shekullit,” tha Berisha.
/rtsh.al/