Rivitalizimi i PD/ Basha me strukturat në Kukës dhe Lezhë: Të pastrojmë politikën

Kryetari i zgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijon takimet me strukturat drejtuese në qarqe. Këtë të enjte (3 gusht), kreu demokrat u takua me strukturat drejtuese të Qarqeve të Kukësit dhe Lezhës, ku kryefjalë ishte rivitalizimi i Partisë Demokratike.
Sipas kreut demokrat, PD duhet të jetë zëri i qytetarëve përballë padrejtësive të qeverisë, të cilën e konsideron si të korruptuar.
“Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet më 2 shtator për të diskutuar e vendosur aksionin politik dhe të gjitha ato ndryshime që do ta modernizojnë, hapin dhe forcojnë familjen tonë politike, për ta kthyer në alternativën që presin shqiptarët.
Me strukturat drejtuese të Qarqeve të Kukësit dhe Lezhës diskutuam për rivitalizimin e Partisë Demokratike, për t’u bërë zëri i qytetarëve përballë padrejtësive të kësaj qeverie të korruptuar.
Shembujt për këtë janë kudo, nga Afera mafioze e Inceneratorëve, tek fondet IPARD që përdoren për të nginjur qeveritarë të korruptuar dhe jo fermerët shqiptarë; nga abuzimi me PPP-të tek ligji për investimet strategjike”, tha Basha.
Duke ndalur te ligji për investimet strategjike, kreu demokrat akuzoi se po përdoren nga Kryeministri Edi Rama për të shpërblyer miqtë, militantët dhe persona të krimit të organizuar.
Basha bëri me dije se do të kërkojë hetim parlamentar të atyre që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik, për të parë se çfarë përfitimesh strategjike i kanë sjellë vendit.
“Përballja me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia e fuqisë qytetarëve që të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, si edhe vota e diasporës janë jetike për çlirimin e potencialit të madh që ka vendi ynë,” tha Basha.
/rtsh.al/