E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fitorja e thellë e 23 qershorit nis nga Kukësi

16-06-2013 / Gazeta 55

Madhështor mitingu i Kukësit, kryeministri: Do marrim mandatin e 4-t

Berisha, votuesve socialistë: Votoni 44 për të qenë bashkautorë të fitores së madhe në 23 qershor

Në vijim të tubimeve elektorale në Qarkun e Kukësit, kryeministri Sali Berisha zhvilloi prezantoi dje në qytetin e Kukësit, kandidatët e PD, për deputetë. Atmosfera në sheshin qendror të qytetit dhe entuziazmi për fitoren e 23 qershorit, ishin preludet e Kukësit për Partinë Demokratike dhe kryeministrin Berisha. Në fjalën e tij, shefi i mazhorancës premtoi punësim, infrastrukturë rrugore moderne dhe rritje të rrogave dhe pensioneve. Ai deklaroi se qeveria është e vendosur të ndërtojë infrastrukturën më moderne në gjithë vendin, në të cilat do të punësohen mijëra qytetarë në mbarë vendin. “Këto vite sëbashku kemi shndërruar në realitet disa nga ëndrrat tona më të bukura. Le të ecim përpara drejt fitores sepse në pak vite ne e bëmë Shqipërinë anëtare të aleancës së NATOS, të aleancës që çliroi Kosovën. Zotohem para jush se me deputetët e qarkut të Kukësit do të bëjë gjithçka në mënyrë që të mbështesim përpjekjet tuaja për punësim dhe jetë më të mirë, rroga dhe pensione më të larta”- tha Berisha. Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se qytetarët në 23 Qershorit do të përballen me dy alternativa, atë të suksesit dhe alternativës së rreme. “Po shkojmë drejt 23 Qershorit, ditës së vendimit të madh. Dy alternativa përballen në këto zgjedhje, ajo e mundit dhe djersës suaj, guximit dhe suksesit dhe besimit tek vetja, njëri-tjetri, Kukësi dhe e ardhmja, ky është modeli i Sali Berishës që bashkë me ju djersin gjithë ditën për të ecur përpara. Modeli tjetër, model i njeriut që 270 ditë nuk ka shkelur në zyrën e punës. Që merret gjithë ditës me shpifje mashtrime dhe trillime. Modeli i atij që kur ndërtonim rrugën e kombit vërsulte deputetët e tij për të ngritur çadrat në tunelin e Kalimashit dhe nisi grevën e urisë. Ky është modeli i njeriut që kur ne të gjithë bëjmë gjithçka për të ecur drejt integrimit ai mban pengje tre ligjet, përdor pushtetin e zgjedhësve socialistë për të bllokuar rrugën e integrimit të Shqipërisë.  Në 23 Qershor përballen 2 modele, modeli juaj , të parët e të cilëve kanë vaditur me gjak rrugët e këtij vendi dhe modeli i Edvin Kristaq Ramës, i cili nuk ka lënë fjalë të ndyrë pa përdorur për ju dhe për socialistët kudo që janë”- tha ai.
Numri 1 i demokratëve, sulmoi liderin e kreun e Partisë Socialiste se ka përdorur në librin e tij fjalët më të ndyra për kolegët, ndërkohë që kujtoi vlerësimin që Rama i ka bërë Goran Bregoviç, këngëtarit siç tha kryeministri që i ka thurur himne, barbarëve që dogjën kosovarët. Nga Kukësi, kryeministri Berisha u bëri thirrje socialistëve që të mendohen këto ditë që kanë mbetur nga dita e votimit dhe të bashkohen me alternativën e  PD-së, të lënë pas modelin e Edi Ramës, kalorësit të betejave të humbura. Sipas kryeministrit alternativa e Partisë Demokratike do të sjellë zhvillimin dhe do e çojë vendin drejt Bashkimit Europian. “Vota e tyre do të jetë zhvillim për komunat, Kukësin dhe Shqipërinë. Ftoj qytetarët, demokratë, socialistë e të paparti të bashkohen për të ecur në rrugën e punësimit, mirëqenies e zhvillimit. Le të bashkohemi drejt fitores demokratë socialistë dhe qytetarë të çdo bindje se në pak vite çamë malet, çamë Kalimashin, ndërtuam rrugën e Kombit. Rrugën që bashkoi shqiptarë , rrugën që i dha Kukësit gjallërinë më të jashtëzakonshme. Të bashkohemi, pasi në pak vite në këtë qark ndërtuam qindra kilometra rrugë të reja. Le të bashkohemi demokratë, socialistë dhe të paparti, për të hapur qindra vende të reje pune, për të bërë të vërtetë integrimin tonë në BE. Socialistë dhe të paparti të rrethit dhe qarkut të Kukësit dhe mbarë Shqipërisë, cila është alternativa tjetër. Alternativa tjetër është alternativa për të mbjellë zi, pesimizëm dhe poshtërim kudo. Ju gra dhe burra të Kukësit për atë alternativë nuk jeni të lirë, të lirë ishit vetëm në republikën e etërve të shokut të autobusit. Për alternativën tjetër rrugët tuaj nuk janë reale, shtëpitë që keni ndërtuar ju janë kasolle pa vlerë shkollat që ndjekin fëmijët tuaj janë piramida. Sipas kësaj alternative lëvizje e lirë nuk është e vërtetë, anëtarësimi në NATO është natë për ju. BE nuk ka vlerë se nuk është as bukë as ujë. Kjo është alternativa që mbjell vrer dhe ndjell dëshpërim në çdo vatër dhe zemër shqiptare. Le ta leme ne, Kalorësin e humbjeve dhe disfatave, kalorësin e çdo humbje që është mbyllur në autobusin mavi. Socialistë dhe pa parti ejani me ne. Së bashku do punojmë më shumë. Do asfaltojmë më shumë, do punësojmë shqiptarët , do rrisim rrogat, do ecim drejt Evropës”, u shpreh Berisha. Në vijim, kryeministri Berisha u ndal në tubimet elektorale në Maqellarë dhe Shupenzë, ku ftoi të gjithë votuesit që në 23 qershor t’i bashkohen alternativës së zhvillimit dhe integrimit; të votojnë 44-ën. “Edhe 10 ditë nga ndajnë nga fitorja. Ju ftoj ju të bëheni bashkautor në fitoren e madhe, fitoren për punësimin tuaj, fitoren për mirëqenien tuaj, për shtimin e pasurive të mëdha në vlera për qytetarët, për integrimin në BE, fitoren për një të ardhme më të mirë, për një jetë më të mire”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›