E Shtunë, 31 Tetor 2026

Entuziazëm mbresëlënës për Doktorin në “Zonën e Lirë“ të Arian Çanit

16-06-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Berisha, si kurdoherë, krijoi një atmosferë të rrallë për kah shtensionimi dhe biseda e qetë, e përzemërt, në një mjedis vërtet miqësor dhe të mirëpritur, me rastin e pranisë së doktorit, për herë të parë, në këtë emision. Ç’është e vërteta, vetë “Zona e Lirë” është një show televiziv nga më të ndjekurit prej shikuesve, për natyrën e larmishme të programit të TV “Klanit”, ku ndërthuren muzika, kënga, baleti, debatet në përgjithësi, humori, por edhe problemet politiko-shoqërore. Kësisoj nuk kanë munguar edhe batuta energjike politike, por jo të asaj kategorie që të kenë qenë jashtë njëfarë moderacioni. Pra, atmosfera në këtë emision ka qenë kurdoherë e ngrohtë. Por në këtë rast mund të themi pa teprim se, për shkak se i ftuari kryesor ishte kryeministri ynë, m’u duk se u krijua një klimë e cila është pak, mbase, që të quhet mbresëlënëse. Ishte entuziazmuese.
Kjo ka faktorët e saj. Le të kujtojmë se Berisha, në komunikim me individët, por edhe me publikun, është i qetë, me një fizionomi mirëkuptuese, që përballon me fytyrë të qeshur edhe pyetjet që, le të themi, mund të duken si provokuese. Asnjë lloj pyetjeje nuk e acaron dhe nuk ia prish humori. Gazetarët e gazetaret i ka mirëkuptuar kurdoherë. Dhe nuk ka ndodhur asnjëherë  që të ketë fyer ndonjërin prej tyre. Gjë që s’mund të thuhet për E. Ramën, në një emision televiziv, gjithashtu, në të cilin ishte bashkë me politikanët e vet dhe me një pjesëmarrje në platé të përzgjedhur nga ndjekës të PS-së.
Jemi në një krahasim. Në atë emisionin tjetër do të paraqitej programi zgjedhor i P. Socialiste. Ishin marrë të gjitha masat që  secili nga ekspertët e Ramës të fliste me projeksione në ekran, të parapërgatitura, për të zbërthyer këtë program , që dukej me frymë ekzaltuese (sipas etalonit të “Kurbanit”). Që të flasim në mënyrë më konkrete, Edvini ka pas qenë edhe afërsisht dy vjet Ministër i Kulturës Rinisë e Sporteve. Ishte personi që do të mbahej mend, në të gjithë historinë e shtetit shqiptar, si më konfliktuali dhe më i pasuksesshmi, në mënyrë absolute. Brutaliteti i tij qé një shkas që përfshiu kundër tij muzikantët, këngëtarët, kërcimtarët e TOB-it, piktorët, skulptorët dhe intelektualët e kryeqytetit dhe të mbarë vendit, në  tërësinë e tyre. Mbeti i vetmuar dhe me aktivitete artistike afër nivelit të zeros. Kjo e acaroi dhe më shumë. Dhe bojkoti i njerëzve të art-kulturës solli, si pasojë, grevën e përgjithshme të njerëzve të artit. Si njerí që nuk i duron grevat – por që këto ia lejon vetëm personit të tij, siç u pa më vonë, në kohën kur u vu në krye të opozitës bojkotuese – kur përdori ashpërsinë policore ndaj grevisteve, duke lënë një pjesë të madhe të të ngujuarve, invalidë, për shkak të dhunës së egër policore që përdori. Pra, E.Rama s’e ka për gjë që dështimin, ta ‘motivojë’ si sukses! Sa për reklamat, në emisionin e Fevziut, në plate vuri edhe daullet (!) që t’i jepte  besueshmëri programit të tij propagandistik, siç thanë Shkullaku dhe Çili. Por reklama mbeti blof, te pyetja se si do të bëhet subvencioni i arritjeve të pritshme, te sukseset e reklamuara, veçanërisht në sistemin shëndetësor, në spitalet e ilaçet pa pare, që kërkojnë subvencion të fuqishëm.
E pikërisht këtu, te buxheti i shtetit, që do të duhej të ishte plot, filloi demagogjia dhe ngritja e nervave të Edi Ramës, që e humbi qetësinë, filloi të bëjë zhurmuesin, me agresivitet, me acarim të zërit e me gjeste e zgurdullim të syve, por pa i dhënë shpjegim  pyetjes. E mori përsipër eksperti i Ramës për ta dhënë shpjegimin, por nuk ishte në gjendjen sesi do të gjendej shuma që kapërcente të dy miliardët. Ai përsëriste vazhdimisht një fjalë, “modelin”, ndërsa i kërkohej shifra përballuese, konkretisht. E mori sërish fjalën Rama, duke teorizuar modelin, por pa ardhur në temë. Mungesa e  argumentimit çoli në stereotipet e sharjeve, me shpërdorim të fjalës ‘rotacion’, ‘katragjysh’ e gjer në vazhdim me sharje. E, përsëri, u përdorën leksionet dhe  pyetja mbeti se mbeti e pazbërthyer...
***
Një panoramë të kundërt, të qetë, të përzemërt dhe në harmoni, kemi në emisionin me të cilin nisi  ky shkrim, Berisha kishte ardhur me këngëtaret e suksesshme Elvana Gjata, Genta Ismajli, Soni Malaj, Eni Koçi, si edhe me E. Mamaqin, V. Ademin, Renis Gjokën, grupin Elita 5, që e kishin ndjekur Berishën në të gjitha udhëtimet e tij, të cilat kishin entuziazmuar mitingje të bollshme nga jugu në veriun e largët. Berisha tregoi jetën e tij fëminore, në përgjigje të pyetjeve të Çanit, etjen e tij për letërsinë, gjuhët e huaja dhe muzikën që në moshë të vogël dhe njohjen e tij për Bitëllsat, për Edith Piafin dhe për këngëtarë të tjerë që këndonin në anglisht. Pastaj habiti auditorin me një pyetësor, sipas të cilit duhej gjetur këngëtari, duke dhënë këngën në bokset. Iu përgjigj të gjitha pyetjeve. Shpjegoi dhe përfitimet që do të kishim nga implemetimi i gazsjellësit TAP, të cilin e quajti leva e Arkimedit. Foli edhe  për mekanizmat financiarë. Ndërkaq dha shpjegimin konkret sesi do të financoheshin spitalet në vendin tonë. I mbante mend pa shkresë të gjitha mundësitë financiare që do të krijoheshin, pa përdorur asnjëherë fjalën “model”, që  nuk ishte veçse një shmangie e  përgjigjes, në rastin e tubimit të Ramës dhe të ekspertëve të tij.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›