E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët e dinë mirë se pabesitë ndaj shtetit dhe kombit i ka bërë e majta shqiptare

16-06-2013 / Nga Rexhep Kastrati

Ky Edi Rama që nga tallava politika ka kaluar në rep politikë, foli për pabesitë që u janë bërë shqiptarëve, duke shkelur kështu në një terren të minuar për vete dhe për opozitën shqiptare. Është kështu për faktin se është vetë Edi Rama sinonim i pabesisë ndaj bashkëpartiakëve të tij, të cilët i preu në besë, edhe kur ata pranuan sakrificën më sublime: grevën e urisë për çështjen personale të tij. A nuk u pre në besë Dogjani, një nga grevistët e urisë, i cili, jo vetëm që u poshtërua, por edhe u shpall armik i Edi Ramës? Po pabesitë e tjera ndaj drejtuesve të lartë të PS-së, e të cilët kanë meritën partiake për historinë politike dhe qeverisëse të saj? A nuk i preu në besë shqiptarët, e në mënyrë të veçantë votuesit e opozitës shqiptare, që kanë dashur dhe duan anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave me BE-në dhe anëtarësimin në këtë organizatë evropiane, po aq sa edhe pjesa tjetër e shqiptarëve, me gjithë atë fushatë kundër anëtarësimit në NATO, kundër liberalizimit të vizave me BE-në,e më rëndë për statusin e vendit kandidat për në BE? Vallë janë pabesi të vogla këto pabesi që u janë bërë socialistëve të thjeshtë, socialistëve përfaqësues, socialistëve drejtues partiakë, si dhe shtetit e kombit shqiptar? Dhe pse i bëri të gjitha këto? Shqiptarët menduan se Edi Rama po i bënte këto pabesi vetëm për të mos i krijuar epërsi kryeministrit Berisha për fushatën aktuale zgjedhore, por e vërteta doli se gjithë këto pabesi u bënë ngaqë ai trashëgon mendësinë e regjimit enverist të shpikjes së armiqve të brendshëm (Islami, Kadeli, Dogjani etj.), si dhe të armiqve të jashtëm (NATO, të cilën e quajti natë, si dhe të gjithë mekanizmat e tjerë ndërkonbëtarë që nuk tumirin sklerozën politike të Edi Ramës), si dhe ngaqë trashëgon pabesinë ndaj shqiptarëve jashtë shtetit aktual shqiptar. Siç e kam thënë edhe në një rast tjetër, Edi Rama dhe në përgjithësi opozita e majtë shqiptare, dha konsensusin për miratimin e tre ligjeve për statusin e vendit kandidat për shtetin shqiptar vetëm pasi që Serbisë iu mundësuan marrëveshje tepër të favorshme, e që e konturojnë Kosovën si një entitet me dy rajone thuajse të pavarura nga njëri-tjetri: rajonin shqiptar dhe atë serb, dhe pasi që iu bë e qartë se pas qëndrimit konstruktiv ndaj Kosovës, do e merrte datën për fillimin e negociatave për anëtarësim, si dhe pasi që ishin fshirë të gjitha afatet më të afërta për të marrë statusin e vendit kandidat nga ana e shtetit shqiptar. Dhe kur jemi te pabesitë ndaj shqiptarëve brenda dhe jashtë shtetit aktual shqiptar, duhet të kujtojmë patjetër pabesinë më të madhe që u është bërë shqiptarëve në njëzet e sa vite të fundit: përdorimin e një fatkeqësie të shqiptarëve në shtetin shqiptar të krijuar nga një marrëdhënie tërësisht private ndërmjet tyre dhe drejtuesve të skemave piramidale, për të shkaktuar një anarki që do ta rrënonte shtetin shqiptar. Pabesia këtu ka të bëjë me faktin se opozita e majtë, e të cilën, e përfoli sipas qejfit të tij Edi Rama gjatë bashkëbisedimit të tij me mbështetësit e programuar, mbi këtë fatkeqësi kishte programuar rrënimin e plotë të qytetarëve dhe të shtetit, dhe këtë nëpërmjet një pabesie tjetër shumë të madhe: nëse do votoni për ne, thoshte Nano, do t’ua kthejmë 100% të parave të humbura në skemat piramidale, e që nuk ndodhi kurrë. Me këto dy pabesi, e majta shqiptare dëshmoi se pabesia historike e saj ndaj shtetit dhe kombit shqiptar që nga viti 1941 e këndej, është veçoria kryesore e saj, si duket edhe për shkak të orientimit ideologjik si ideologji sllavo-komuniste, pra kudërshqiptare, si dhe për shkak të historisë së themelimit të saj si parti, nga komunistët serbë, në krye me Miladin Popoviqin, dhe me miratimin e Kominternit. Pasojat e këtyre pabesive ndaj kombit dhe shtetit shqiptar janë: shkatërrimi i të gjitha të arriturave të shtetit dhe të kombit shqiptar në fushën e vendosjes së demokracisë, të ekonomisë dhe të diplomacisë, pasi që nëpërmjet anarkisë së vitit 1997, shqiptarëve jo vetëm që nuk iu kthyen paratë 100%, siç i kishte prerë në besë Fatos Nano dhe e majta në përgjithësi, por edhe u shkatërruan edhe ato pak ndërmarrje ekonomike private që ishin krijuar atëherë, kurse proceset integrative në strukturat euro-atlantike, e që për shqiptarët do të thotë rikthim në kontekstin gjeopolitik e gjeostretgjik euro-perëndimor, u shkatërruan, dhe u desh rikthimi i së djathtës në krye me Berishën, që të rimerrnin dinamikën dh seriozitetin e merituar.
Në anën tjetër, pabesia që më 1997 iu bë shqiptarëve jashtë shtetit shqiptar, është aq e madhe, sa që ka pasur një çmim të lartë njerëzor dhe territorial. Kur them këtë kam parasysh këto fakte: 1. Kryeministri i kohës, Fatos Nano, ua nguli thikën pas shpine shqiptarëve të Kosovës, duke u thënë se ju jeni komunitet entik dhe për kryeqytet keni Beogradin, e jo Prishtinën, duke trajtuar kështu Kosovën pjesë të Serbisë, edhe pse shqiptarët e Kosovës, më 1991 kishin shpallë pavarësinë nga RSFJ-ja; 2. Futi në Kosovë përçarjen e madhe nëpërmjet rekrutëve shqiptarë të shërbimeve sekrete serbe, përçarje, e cila po të mos ishte mençuria, durimi dhe kujdesi tepër i madh i presidentit Rugova, do të përfundonte në një luftë qytetare vëlla-vrasëse, duke i bërë kështu shërbimin më të madh Serbisë dhe regjimit të Milosheviqit; 3.Ndihmoi tepër shumë në ndryshmin e relievit etnik të Kosovës, e që u bë bazë për ndarjen e brendshme të saj; 4. Heshti, pra nuk kundërshtoi marrëveshjen ndërmjet Beogradit dhe Shkupit të arritur në Shkup, në kuadër të Samitit të Shteteve të Ballkanit, në të cilin takim merrte pjesë edhe shteti shqiptar i drejtuar nga qeveria e majtë socialiste, sipas së cilës marrëveshje Serbia ia jepte Maqedonisë rreth 3000 hektarë territor; 5. Implikimi i SHIK-ut të Tiranës në krye me Fatos Klosin në eliminimet e ushtarkëve shqiptarë të Kosovës, të politikanëve, gazetarëve dhe të personaliteteve të tjerë publikë të linjës institucionaliste të presidentit Rugova, qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet degës de facto të tij në Kosovë, të kryesuar nga Kadri Veseli. Pra, pabesitë e së majtës shqiptare jo vetëm të Tiranës, por në përgjithësi të së majtës shqiptare, janë aq të mëdha, aq të rënda dhe aq tragjike, sa që shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet t’i harrojnë kurrë, sepse falë këtyre pabesive, shqiptarët kanë paguar çmim shumë të lartë, sepse falë pabesive të së majtës shqiptare, Kosova është e ndarë në baza etnike, sipas interesave serbe, territoret shqiptare në Maqedoni janë të ndara në baza etnike, sipas interesit të sllavo-maqedonasve, territoret shqiptare në Kosovë lindore po spastrohen etnikisht, sipas interesave serbe, kurse territoret shqiptare në Mal të Zi po spastrohen etnikisht nga shqiptarët, sipas interesave malaziase, ndërkaq, shqiptarët në shtetin aktual shqiptar kanë mbetur shumë mbrapa se shtetet e rajonit në proceset integruese evropiane.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›