Berisha-Frattini, diskutohet centrali bërthamor
Në axhendën e ministrit të Jashtëm italian, gjatë 6 orëve të qëndrimit në Tiranë, ishte edhe diskutimi me autoritetet shqiptare të çështjes së centralit bërthamor. Vetë Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me z. Frattini konfirmoi se është i vendosur për një projekt të tillë në Shqipëri në bashkëpunim me italianët. "Diskutova me mikun tim për bashkëpunimin për projektin nuklear. Dua të përshëndes takimin më të fundit për këtë çështje, më të fundit mes Berlusconit dhe Sarkozysë, për të rishikuar këtë mundësi të prodhimit të energjisë. Mbetem i vendosur për të përgatitur popullin tim për të përfituar në këtë fushë", - tha Berisha. Por dhe ministri i Jashtëm italian i quajti frytdhënëse bisedimet për këtë çështje. "Ishte mjaft e frytshme biseda për sa i përket prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe asaj bërthamore dhe së bashku do të punojmë për të lançuar Korridorin 8, që është një nga projektet infrastrukturore më të rëndësishme transevropiane", - theksoi z. Franco Frattini.