OSBE, Bosch: Bëni kujdes me demontimin
Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, apeloi dje nga Mjekësi për kujdes gjatë procesit të demontimit të armëve të vjetra. Ai deklaroi: Dyshoj se ndonjë prej nesh këtu apo në gjithë popullsinë shqiptare do t'i harrojë ngjarjet e Gërdecit të 15 marsit 2008. Një shpërthim i qendrës së çmontimit të municioneve, - tha Bosch, - shkaktoi humbjen tragjike të 26 jetëve njerëzore, plagosjen e qindra njerëzve dhe një dëm material prej disa milionë eurosh, si rezultat i ekzistencës së tonelatave me municione në gjithë vendin trashëgimi e sistemit të vjetër komunist. Tragjedia e Gërdecit solli në vëmendjen e publikut seriozitetin e kësaj situate. Ekzistenca e rreth 100,000 tonë municioneve në vend u pranua se përbënte kërcënim serioz ndaj sigurisë publike. U bë e qartë se kërkohej shumë më tepër punë për shkatërrimin e këtyre municioneve por për një shkatërrim të kryer në mënyrë të sigurt, - theksoi ambasadori. Në përgjigje të kërkesës së qeverisë për ndihmë, - theksoi ai, - dhjetorin e kaluar, me fonde të qeverisë daneze, Prania e OSBE-së në Shqipëri i dhuroi Ministrisë së Mbrojtjes, midis të tjerash, gjashtë sharra industriale për t'i ndihmuar në punën e tyre të jashtëzakonshme për largimin e municioneve të tepërta nga ky vend. Dhjetorin e vitit të kaluar, Prania e OSBE-së në Shqipëri lehtësoi dërgimin e gjashtë sharrave industriale, dy në repartin e çmontimit në Mjekës dhe katër në uzinën e Poliçanit. Këto pajisje të reja do të dyfishojnë kapacitetin e shkatërrimit të municioneve të tepërta, duke e shndërruar shumë shpejt Shqipërinë në një vend të sigurt për të jetuar. Dita e sotme shënon momentin e rëndësishëm kur këto sharra fillojnë punën. Prokurimi i këtyre gjashtë makinerive, siç u përmend dhe më sipër, u mundësua nga kontributi bujar i Mbretërisë së Danimarkës. Do të doja të falënderoja në veçanti ambasadorin Jensen për mbështetjen e tij gjatë këtij procesi. Ky proces tregon edhe një herë nivelet e larta të bashkëpunimit midis Pranisë së OSBE-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me procesin e çmilitarizimit. U uroj të gjithëve, që janë përfshirë në këtë proces, suksese në përpjekjet e tyre të vazhdueshme, - nënvizoi Bosch.