Tragjedia, Berisha, Topi e Topalli, homazhe në ambasadën polake
Kryeministri Sali Berisha, Presidenti Bamir Topi dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bënë dje homazhe në mjediset e ambasadës polake në Tiranë. Në këtë mënyrë, ata i shprehën zyrtarisht ngushëllimet ambasadores polake në vendin tonë, Irena Tatarzinska, për humbjen e parakohshme në një aksident tragjik ajror të Presidentit të Polonisë, Lech Kaczynsky, bashkëshortes së tij, anëtarëve të kabinetit dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit zyrtar që u shuan në Smolensk. Duke e cilësuar Presidentin Kazinski si një mik të madh të Shqipërisë, Kryeministri Berisha i shprehu ngushëllimet e tij në emër të qeverisë shqiptare trupit diplomatik polak të akredituar në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht edhe konsideratën më të lartë për ish-Presidentin polak, një nga promotorët e zgjerimit të Aleancës të Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Evropian. Në zi është kombi polak dhe miqtë e tij kudo në botë; janë në zi për zonjën Kaczynsky, por edhe për elitën e shkëlqyer parlamentare, civile dhe ushtarake që humbi jetën në aksidentin tragjik në momentin që po shkonte për të nderuar 20 mijë bijë të Polonisë që u ekzekutuan në masakrën më të madhe të kohës. Shqiptarët ndajnë këtë dhimbje të madhe me kombin polak, me qeverinë polake, - deklaroi z. Berisha. Para fotos me shiritin e zi të çiftit të ndjerë Kaczynsky të vendosur në mjediset e ambasadës polake, Presidenti Topi shprehu edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta dhe dhimbjen më të thellë të shoqëruar nga tronditja për vdekjen e parakohshme të kreut të shtetit polak. Më tej, ai nënshkroi Librin e Zisë, duke theksuar para mediave të pranishme: Humbja tragjike e Presidentit Kaczynsky, e bashkëshortes dhe e personaliteteve të larta që e shoqëronin, përbën një shok të jashtëzakonshëm për të gjithë. Kurse kryetarja Topalli theksoi se me vdekjen e parakohshme të Presidentit polak Kaczynsky, Evropa dhe mbarë bota humbet një prej liderëve më të shquar të saj, i cili përgjatë gjithë karrierës së tij politike kontribuoi dhe luftoi në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të saj. Ajo shprehu vlerësimin për figurën e Presidentit polak, duke lënë edhe një shënim në librin e ngushëllimeve.