Erion Braçe: Rama të rikonfirmohet në krye të PS-së
Intervista / Anëtari i kryesisë dhe nënkryetari aktual i grupit parlamentar të PS-së, kërkon që Rama të qëndrojë në krye të PS-së
"Humbja e PS-së artikulohet sot si nevojë e Sali Berishës, humbja artikulohet sot si nevojë e Ilir Metës"
Zoti Braçe, çfarë pritet të ndodhë në Asamblenë e PS-së?
Në fakt, ajo që pritet duhet të jetë një analizë serioze, parimore mbi zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri! Mbajtja e zgjedhjeve politike buron nga Kushtetuta e Shqipërisë, në përputhje me të del ligji zgjedhor! Zgjedhjet, për t'u gjykuar të lira e të ndershme, në përputhje me standardet zgjedhore ndërkombëtare, duhet të zhvillohen në përputhje me këto dy dokumente ligjore! Ne e kemi ndjekur me shumë vëmendje këtë proces, kemi folur për të në kohë.
Për këtë arsye kemi parë e dokumentuar shkelje të rënda të ligjit, të cilat kanë bërë që këto zgjedhje të mos materializojnë vullnetin e popullit, por të materializojnë vullnetin e paligjshëm të qeverisë së Sali Berishës, të përfshirë në dhunimin dhe tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve! Kjo tashmë është një bindje e shumicës dërmuese të shqiptarëve!
Por KQZ-ja që mori në shqyrtim ankesat tuaja nuk e evidentoi këtë.
Shikoni, vendosmëria e PS-së në Fier, për shkak edhe të zgjatjes së procesit atje, bëri që Sali Berisha të kapej në flagrancë në dhunimin e zgjedhjeve e deformimin e rezultatit! Madje, këmbëngulja jonë në vijimësi, bëri që Sali Berisha të kapej në flagrancë në përpjekjen e përsëritur për të ndërruar rezultatin, kur keqbërësit e tij në KQZ e shpallën një rezultat të tillë në favor të tij.
Ky është fakt. Procesi i evidentimit ligjor të shkeljeve të rënda, natyrisht që kishte një "shtëpi", KQZ-në. Por ky institucion thellësisht partizan, për shkak të sjelljes thellësisht politike e aspak ligjore të keqbërësve të Sali Berishës atje, refuzoi të bënte këtë proces. KQZ-ja e kishte detyrim ligjor të bënte këtë!
Dhe detyra e KQZ-së, e kryer përbënte standard në këto zgjedhje, e pakryer i rrënon ato! Pra, ju më pyesni për evidentim kur ky proces u refuzua e më pas u ndalua të kryhej! Më lejoni t'u kujtoj se bëhet fjalë për zbardhje e transparencë të votave në tre qarqe të rëndësishme të vendit, në Shkodër, Tiranë, Berat dhe për vota të numëruara "keq" apo "shumë keq", siç evidentohet në raportet paraprake të ndërkombëtarëve. Vota, të cilat janë numëruar kështu në të paktën 1/3 e vendnumërimeve të të gjithë Shqipërisë! Pra, hetimi u ndalua të ndodhë dhe në Kolegjin Zgjedhor u varros!
Në media është folur për një rezolutë, e cila pritet të miratohet në asamble, mund të na zbardhni ndonjë pikë të saj?
Nuk di të them për të. Nuk e kam parë ende. Por është e rëndësishme që asambleja të shprehet me një dokument serioz. Ashtu siç analiza duhet të jetë e tillë. Unë mendoj që gjykimi ynë për zgjedhjet nuk mund të nisë nga neni tashmë shumë i njohur i statutit. Ne nuk mund t'i gjykojmë zgjedhjet nisur nga nevoja e cilitdo individ për karrierë brenda PS-së.
Neni "çudibërës" i statutit po bën të domosdoshme "humbjen" dhe humbja po artikulon si domosdoshmëri "njohjen e rezultatit të zgjedhjeve". Kjo po ndodh realisht, por nuk ka lidhje me atë që ka ndodhur në zgjedhje. Imagjinoni, për nevoja të "karrierës", ne duhet të pranojmë "humbjen", për të materializuar humbjen, ne duhet të "njohim rezultatin", e për t'i bërë të gjitha këto, ne duhet të pranojmë si standard e t'i ligjërojmë-mbase në një reformë të re brekëgrisur:
fushatën elektorale të dhunshme, deri në vrasje politikanësh; sjelljen kriminale ndaj qindra mijë njerëzve në punë, për të dhënë votën me dhunë për qeverinë-të kërcënuar të gjithë jo si qenie njerëzore me liri e të drejta të plota, por si buxhetorë; shpërdorimin në raport me ligjin dhe përdorimin kriminal në raport me zgjedhjet, të fondeve publike, të paktën në shumën 180 mln dollarë, me qëllim blerjen e varfërisë, blerjen e votës, deformimin e vullnetit politik të zgjedhësve, duke i vënë me këto para nën agresionin e një skeme mashtruese për punë e investime kudo, e provuar si false tani; komisionimin e votës nga një numër shumë i lartë kriminelësh, të nxjerrë nga burgjet pak ditë para zgjedhjeve në shumicë, për të mbuluar territore të caktuara elektorale, ku PD-ja e Sali Berisha ndjeheshin në nevojë; votimin familjar, shpesh në distancë deri përtej kufijve të Shqipërisë, për të mbuluar rritjen e shumëfishuar të pjesëmarrjes pro PD-së në zonat model jashtë kontrolli ligjor; numërimin skandaloz, jo transparent, të dhunshëm e më pas nxjerrjen e një rezultati të pavërtetë, që nuk pasqyron verdiktin në votë e vota-kundërshton vullnetin e zgjedhësve shprehur me votë; refuzimin e hetimit administrativ për këto shkelje të renda të ligjit deri në krim, nga ana e KQZ-së për të çuar deri në fund garancinë qeveritare për keqbërësit elektoralë; shfuqizimin e garanteve ligjore për pakicën, në të drejtën e saj për të bërë transparencën e votës përmes rinumërimit e rivlerësimit të votave të numëruara e vlerësuara keq, si kontribut në saldimin e një rezultati të gënjeshtërt, që nuk materializon vullnetin e zgjedhësve! Këto kanë ndodhur, ne kemi faktet! Kjo është kosto e madhe.
Nuk besoj se do të ketë njeri në PS që ta mbajë këtë! Natyrisht që peshon shumëfish më shumë se pesha e cilësdo karriere personale në tentativë. Këto zgjedhje nuk mund të njihen.
Për vete, dua të them se: nëse kjo quhet humbje legjitime, jam gati ta pranoj, por nëse, qoftë edhe një socialist i vetëm, i çliruar nga çdo interes personal, e quan këtë ashtu siç është, vjedhje, unë do të jem me të, jo vetëm për shkak të PS-së, por për shkak të çdo shqiptari dhe lirisë së tij për t'u zgjedhur e për të zgjedhur në këtë vend.
Së dyti, mendoj se në asamble nuk duhet të paraqiten rezoluta grupesh, ato duhet të jenë dokumente pune të asamblesë! Duhet t'ua kursejmë socialistëve një ndarje të re me grupe në PS. Është e tepërt e nuk na çon gjëkundi, veç në një kacafytje që e parashikoj të padenjë!
A do të japë Rama dorëheqje pas kësaj?
Për këtë duhet të pyesni Edi Ramën. Unë di t'ju them që mosnjohja e zgjedhjeve, e shprehur më shumë se dhjetë herë dhe nga vetë kryetari i PS-së, nuk është alibi për të.
Duhet të çlirohet kushdo nga një "brengë" e tillë, që e bën të ngutur e jo racional. Rama nuk ka nevoje për alibi. Rama ka marrë bashkë me PS-në aq vota sa e kanë bërë PS-në nën drejtimin e tij partinë e parë e më të madhen në vend. Ju thashë, këtu nuk bëhet fjalë për nevoja personale, por për demokracinë në Shqipëri.
Në thelb të kësaj çështjeje qëndron besimi i shkatërruar i shqiptareve tek vota. Po krijohet bindja, në një shumicë gjithnjë e më të madhe njerëzish, se Sali Berisha, sa të jetë frymëmarrës politik, do vjedhë zgjedhjet. Ky "besim" i vjetër, do të largojë gjithnjë e më shumë njerëz nga zgjedhjet, po mbi të gjitha nga PS-ja. Unë mendoj se ec e ikja e drejtuesve në PS nuk zgjidh asgjë në këtë drejtim. Thjesht i ndih për mbarë Sali Berishës në rekordet e tij të dhunimit të votës.
Çdo të ndodhë me kryetarin e PS-së pas kësaj?
Unë besoj se njerëzve u intereson më shumë se çdo të ndodhë me ekonominë, punën apo mungesën e saj, të ardhurat, bankat etj., në shtator. Natyrisht që interes i madh është edhe kryetari i partisë më të madhe në vend. Atëherë, PS-ja ka kryetarin e saj dhe unë besoj se ekziston një vullnet i madh për ta rikonfirmuar atë në krye të PS-së.
Në çdo formë. Me lejoni t'ju kujtoj se projekti i tij, i yni, i PS-së, u votua më shumë se çdo projekt tjetër në këto zgjedhje.
Gjatë ditëve të fundit janë shtuar zërat ndryshe, si Blushi, Malaj, Harasani etj., të cilët deklarojnë se PS-ja ka humbur dhe Ramës i ka mbaruar mandati...
Çdo njeri që shpreh një mendim, është në të drejtën e tij, siç unë po bëj. Aa, kur po i njëjti njeri ngre akuzë, atëherë ka tejkaluar të drejtën e tij. Besoj se kjo çështje do të sqarohet sot, atje ku e ka hapësirën pa klon dhe të drejtën për t'u shtruar seriozisht. Humbje?
Dua të theksoj dhe njëherë se humbja e PS-së artikulohet sot si nevojë e Sali Berishës, humbja artikulohet sot si nevojë e Ilir Metës, humbja artikulohet sot si nevojë e të dyve ngjitur për të justifikuar qeverinë e tyre të pamundur.
Humbja artikulohet sot si nevojë e një klani ekonomiko-financiar, që mbart sot barrën më të madhe të korrupsionit në Shqipëri, që pasi emëroi qeverinë, tani po bën çmos të emërojë dhe opozitën. Nëse ia arrin, atëherë çdo gjë në këtë vend ka marrë fund. Për mua, humbje si kjo - arsyet i përmenda me sipër - nuk mund të pranohet. Kush e bën, natyrisht që nuk mund të jetë alternativë për PS-në. Është e thjeshtë: një qëndrim i tillë nuk i kthen zgjedhjet e lira e të ndershme, pra nuk e bën PS-në fituese.
Qëndrimi për zgjedhjet
Këto zgjedhje nuk mund të njihen. Për vete, dua të them se: nëse kjo quhet humbje legjitime, jam gati ta pranoj, por nëse, qoftë edhe një socialist i vetëm, i çliruar nga çdo interes personal e quan këtë ashtu siç është, vjedhje, unë do të jem me të, jo vetëm për shkak të PS-së, por për shkak të çdo shqiptari dhe lirisë së tij për t'u zgjedhur e për të zgjedhur në këtë vend
Dorëheqja e Ramës?
Unë di t'ju them që mosnjohja e zgjedhjeve, e shprehur më shumë se dhjetë herë dhe nga vetë kryetari i PS-së, nuk është alibi për të. Duhet të çlirohet kushdo nga një "brengë" e tillë, që e bën të ngutur e jo racional. Rama nuk ka nevojë për alibi. Rama ka marrë bashkë me PS-në aq vota sa e kanë bërë PS-në nën drejtimin e tij partinë e parë e më të madhen në vend. Ju thashë, këtu nuk bëhet fjalë për nevoja personale, por për demokracinë në Shqipëri
Zërat për humbjen e PS-së
Dua të theksoj dhe njëherë se humbja e PS-së artikulohet sot si nevojë e Sali Berishës, humbja artikulohet sot si nevojë e Ilir Metës, humbja artikulohet sot si nevojë e të dyve ngjitur për të justifikuar qeverinë e tyre të pamundur. Humbja artikulohet sot si nevojë e një klani ekonomiko-financiar, që mbart sot barrën më të madhe të korrupsionit në Shqipëri, që pasi emëroi qeverinë, tani po bën çmos të emërojë dhe opozitën