E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ftoj zyrtarisht LSI për krijimin e qeverise

Sipas Berishës, LSI plotëson të gjitha kushtet për një koalicion me të djathën. Kryetari i demokratëve e justifikoi ftesën si të natyrshme për 3 arsye. "Siç deklarova dy ditë më parë sovrani na dhuroi fitore, por diktoi koalicionin" 

TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike (PD) Sali Berisha i ka bërë ftesë Ilir Metës, kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim të hyjnë në koalicion (LSI) për krijimin e qeverisë së re. Sipas Berishës, LSI plotëson të gjitha kushtet për një koalicion me të djathën, pasi ka program të ngjahëm me atë të PD. Berisha nuk përjashtoi se në qeverinë e ardhshme do të bëjë pjesë edhe Partia Republikane e Fatmir Mediut.

Në një konferencë për shtyp pak para mesditës në selinë e PD, Berisha ka bërë të ditur koalicionin e ardhshëm që ai ka projektuar pas rezultateve paraprake që ka publikuar deti tani KQZ. “I bëj ftesë LSI që të jetë pjesë e qeverisë së re, që do mund ta quajmë qeveri e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Siç deklarova dy ditë më parë sovrani na dhuroi fitore, por diktoi koalicionin nga partitë me të cilat programet janë më afër dhe që është LSI, që në programin e saj ka yll polar integrimin e Shqipërisë në BE dhe punësimin si kryefjalë të reformave dhe përpjekjeve të saj. LSI të vlerësojë sinqerisht ftesën”.
Kryetari i demokratëve e justifikoi ftesën si të natyrshme për 3 arsye, për përqindjen e votave që kanë marrë në këto zgjedhje, për programin që LSI ka dhe për persekutimin që i është bërë në proceset zgjedhore dhe që sot sipas Berishës, meriton të fitojë atë që meriton.
“LSI është subjekti me programet më afër PD. Ka studiuar programin e integrimit të Shqipërisë në BE, LSI ka punësimin si kryefjalë ashtu si PD.
LSI e ftoj gjithashtu me bindjen time se përfaqësuese dinjitoze, jeni dëshmitarë sesa e persekutua kjo parti në dy zgjedhjet e fundit. Jeni dëshmitarë kur unë kam bërë thirrje në atë periudhë qe te gjendet gjuha e bashkimit jo e përjashtimit. Shpreh bindjen se ato 47% të votave qe sovrani i dha koalicionit të parë, i shtohen dhe 6% votave të spektrit të majtë dhe faktikisht. Kam besim se kjo forcë politike do ti përgjigjet pozitivisht ftesës sime të hapur e të sinqertë”.

Gjithsesi Berisha shtoi se qeveritë e minorancës nuk janë shumë të pëlqyeshme, por që parlamenti mund ti mbajë në pushtet për disa arsye. “Jam i sigurt se koalicioni do të funksionojë. Kjo qeveri do të ketë baza solide, sepse ne kemi shtyllat kryesore të programit të përbashkëta”, mbrojti tezën e tij Berisha. Ai siguroi LSI se nuk ne rast koalicioni te mundshem, PD nuk do te ushtrije trysni tek kjo parti.

Berisha: Edi Rama, Gëzuar ditëlindjen!

I pyetur nga mediat sesi do të reagojë kryetari i opozitës rreth kësaj ftese që kreu i PD i bëri LSI në këtë përvjetor të 45 të ditës së lindjes, Berisha u shpreh : “I uroj ditëlindjen Edi Ramës. Vitet e ardhshme t’i sjellin më shumë rini” .

Berisha: Në qeveri edhe PR e Mediut

Qeveria e re sipas Berishës do të ketë në kabinet edhe përfaqësues nga Partia Republikane. I pyetur nga mediat se nëse PR e Fatmir Mediut do të jetë pjesë e qeverisë së re, Berisha u shpreh se “ka një marrëveshje para dhe pas zgjedhore për koalicion me PR, që vlen. Unë do respektoj marrëveshjen”, theksoi Berisha.

Berisha: KQZ veproi drejt me rezultatet

Berisha ka justifikuar rezultatin që u shpall dje nga KQZ për mandatet e fituara nga partitë në këto zgjedhje parlamentare. “Askush nuk dha rezultate definitive. Rezultatet paraprake lejohen. KQZ shpalli rezultate paraprake që është një standard konstant i kërkuar dhe sanksionuar nga konventat ndërkombëtare për zgjedhjet”.

(D.B/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›