Berisha: Gati për pakt afatgjatë me opozitën
Kryeministri thekson se paketa e PD-së nuk ka dallime nga ajo e PS-së për drejtësinë
TIRANË- Mazhoranca ka përgatitur paketën e saj lidhur me reformën në drejtësi dhe nuk ka dallime me paketën e opozitës. Kryeministri Sali Berisha ka dalë dje në një konferencë të posaçme për shtyp, ku ka folur mbi konkluzionet e vizitës së sapo përfunduar në Bruksel, të cilat lidhen ngushtë me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë kësaj konference, Kryeministri është ndalur tek çështja e reformës në drejtësi, ku pohoi se mazhoranca ka gati paketën e saj, e cila nuk dallon nga paketa e opozitës. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë siguroi opozitën se mazhoranca është e vendosur për një bashkëpunim afatgjatë me opozitën, për të gjitha çështjet ku ajo e gjykon se përputhen me programin e saj. "Dua ta siguroj opozitën se ne jemi të vendosur për një bashkëpunim afatgjatë, në të gjitha çështjet ku ajo e gjykon se përputhen me programin e saj. Përsa i përket reformës në drejtësi, ne kemi përgatitur paketën tonë, e cila ju siguroj se nuk ka dallime, pasi nëse shtrohet pyetja a ka ndonjë dallim mes mazhorancës dhe opozitës përsa i përket drejtimit të drejtësisë, unë do t'u thosha se nuk di të ketë ndonjë të tillë. Unë i kam dëgjuar edhe ata dhe konstatoj se jemi për të njëjtën reformë në prokurori, për të njëjtën formë të pavarësisë gjyqësore, etj.",- u shpreh Berisha ndërsa vlerësoi faktin se, tashmë po konsolidohet një rregull që e çon para vendin, pavarësisht se kush e mban karrigen e pushtetit dhe kush atë të opozitës. Sipas Kryeministrit, fryma e bashkëpunimit për çështjet e integrimit duhet të jetë një kod i pa ndryshueshëm dhe afatgjatë midis forcave politike. Ky kod, tha më tej ai, buron nga zotimet e tyre para shqiptarëve, se partitë e tyre do të bëjnë çdo përpjekje për të realizuar integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Duke iu referuar vizitës në Bruksel, Kryeministri u shpreh se, mendimi i përgjithshëm ishte që, Shqipëria "ka bërë progres thelbësor dhe se është një vend plotësisht i konsiderueshëm për të marrë ftesën për anëtarësim, ndërkohë që kilometrin e fundit po e përshkon me një sprint të sigurt drejt ftesës".