E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetësia, ja kuotat e pranimit për specializimet

Tarifa vjetore e shkollimit për studimet specializuese afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë, do të jetë 40 mijë lekë të reja
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje kuotat e pranimit në programet e studimeve specializuese afatgjata pranë fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Në mbledhjen e djeshme, qeveria ka miratuar vendimin përkatës, sipas të cilit, kuotat e pranimit për studimet specializuese afatgjata për Mjekësinë do të jenë 166, të ndara sipas specialiteteve përkatëse. Ndërkohë, po sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria, tarifa vjetore e shkollimit për studimet specializuese afatgjata në fakultetin e Mjekësisë do të jetë 40 mijë lekë të reja, ose 400 mijë lekë të vjetra. Në përcaktimin e kuotave qeveria ka menduar të parashikojë edhe lehtësira, një prej të cilave lidhet me studentët e shkëlqyer. Në vendim thuhet se, studentët e shkëlqyer nuk paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës.
Kuotat sipas specialiteteve
166 kuotat e përcaktuara nga qeveria për studimet specializuese afatgjata pranë Fakultetit të Mjekësisë do të ndahen sipas specialiteteve përkatëse, thënë ndryshe, kurseve të specializimit. Janë katër kurse specializimi, për të cilat Ministria e Arsimit ka përcaktuar më shumë vende sesa për kurset e tjera. Kështu, për kurset e specializimit Anestezi-Reanimacion, Mjek Familje, Pediatri dhe Shëndet Publik, do të ketë gjithsej 40 kuota për specializim, përkatësisht për 10 kuota për secilin specialitet. Përsa i përket specialiteteve të tjera, qeveria ka përcaktuar një numër më të vogël kuotash. Kështu, është përcaktuar kuota 6 për secilin prej kurseve të specializimit të mëposhtëm: Endokrinologji; Kirurgji e Përgjithshme; Lab.Klinik-Biokimik; Obstetrikë-Gjinekologji; Ortopedi-Traumatologji dhe Sëmundje Infektive. Vendimi i miratuar dje nga qeveria ka përcaktuar një numër më të vogël kuotash për kurset e tjera të specializimit pranë Fakultetit të Mjekësisë, të cilët përbëjnë dhe shumicën e kurseve. Kështu, do të ketë pesë kuota për studime specializuese afatgjata, për secilin prej kurseve që përmenden më poshtë: Alergologji; Anatomi Patologjike; Dermatologji; Gastroenterologji; Hematologji; Imazheri; Kardiologji; Kirurgji Maxilo-Faciale; Mikrobiologji; Nefrologji; Neurologji; Okulistikë; Onkologji; ORL; Psikiatri; Reumatologji; Terapi Stomatologjike; Toksikologji. Kohëzgjatja e programeve të studimeve specializuese afatgjata pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës është katër vjet me 240 kreditë, prej të cilave, 60 kredite grumbullohen mesatarisht çdo vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›