Zgjidhja, PS shpërndan memorandumin
Socialistët e titulluan si “Memorandumi për zgjidhjen e krizës politike” dhe në tekst vërehet qartë kërkesa për hapjen e kutive dhe hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Një kopje të këtij dokumenti ia dorëzuar pak minuta para fillimit të tryezës Presidentit, Kryeministrit, ambasadorit të KE-së dhe atij të SHBA-së. Në memorandum, PS dëshmon vullnetin për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike që siç theksohet në tekst, i ka rrënjët në deformimin e votës së popullit. Duke iu referuar kërkesës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për hetim të zgjedhjeve dhe kthim të opozitës në Parlament, PS me anë të memorandumit i paraqet Presidentit qëndrimin se "pret me padurim lejimin e një hetimi të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të shkuara për t’u kthyer një orë e më parë në Kuvend". PS konstaton në këtë memorandum se nuk e ka bojkotuar Kuvendin se kërkon marrjen e pushtetit në tavolinë, por si një e drejtë kushtetuese. Duke theksuar se me një hetim transparent merr fund një herë e mirë kontestimi i votës dhe prekja e saj gjatë proceseve zgjedhore, PS-ja bën të ditur përmbajtjen e objektit të hetimit.