Berisha: “Gjeorgjia nuk ka nevojë për armët tona”
Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje ndaj akuzave të qeverisë ruse, sipas të cilave, qeveria shqiptare i ka shitur armë Gjeorgjisë. Berisha është shprehur se nuk ka ekzistuar asnjëherë më parë një tregti armësh midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. Kryeministri Berisha bëri të ditur se nuk çuditej aspak nga akuzat e rusëve, për shkak se, sipas tij, ky është qëndrimi konstant që ka mbajtur Rusia kundrejt shqiptarëve. Kryeministri Berisha e bëri një deklaratë të tillë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Islandës, i cili ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare.
Mohimi
Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se Gjeorgjia nuk ka nevojë për armët shqiptare, pasi ka armët dhe ushtrinë e saj. “Gjeorgjia është një vend mik yni dhe një vend demokratik, i cili do të ketë të gjithë mbështetjen që meriton një vend i tillë, në një situatë të vështirë. Të mendosh që Gjeorgjia paska nevojë për armët e Shqipërisë, kjo është një shpikje. Gjeorgjia është një vend që ka pasur armët e veta, ushtrinë e vet dhe që pësoi agresion. Akuzat ruse nuk më çudisin aspak, sepse kanë një qëndrim konstant ndaj shqiptarëve”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka dënuar qëndrimin e Rusisë ndaj shteteve të vogla. “Për mendimin tim, qëndrimi rus ndaj vendeve të vogla është jashtëzakonisht i dënueshëm. Rusia një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, e kështu me radhë”, - është shprehur kryeministri Berisha.
Vetëm pak kohë më parë, gjatë një konference për shtyp, Berisha dënoi sulmin e Rusisë ndaj Gjeorgjisë, ndërkohë që u bëri thirrje vendeve të BE-së që të ndalojnë Rusinë. Berisha, madje, e cilësoi sulmin rus ndaj Gjeorgjisë, një përpjekje të Rusisë për të krijuar Bashkimin Sovjetik.
Takimi
Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi dje një takim me kryeministrin e Islandës, Geir H. Haard, i cili e vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Gjatë takimit të dy palët biseduan për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve. Më tej palët nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi, konkretisht marrëveshjen për “ripranimin e personave të paautorizuar”, si dhe marrëveshjen për “lehtësimin e regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Islandës”. Gjatë bisedimeve kryeministri Berisha ka ftuar investitorët islandezë që të investojnë në Shqipëri, veçanërisht në fushën e turizmit dhe energjetikës. “Shqipëria ofron mundësi të mëdha reale për investitorët islandezë. Shqipëria ka një potencial të madh turistik për të zhvilluar. Islanda dhe Shqipëria ngjasojnë me njëra-tjetrën në pasuritë e mëdha ujore që kanë. Në këtë kontekst, ne mirëpresim kompanitë islandeze të investojnë në rezervat energjetike të mëdha ujore në Shqipëri dhe të investojnë gjithashtu në të gjitha fushat me interes për to”, - është shprehur Berisha. Kryeministri shqiptar, gjithashtu, ka falënderuar homologun e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Edhe kryeministri islandez, nga ana e tij, theksoi gatishmërinë e qeverisë së tij për të intensifikuar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare. “Unë nuk dua të përsëris atë çfarë tha kryeministri Berisha, por dua të theksoj se ne jemi shumë të interesuar për t’i zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të vijuar me marrëveshjen për evitimin e taksimit të dyfishtë dhe mbrojtjen e investimeve”, - është shprehur, Geir H. Haard.
27 Gusht 2008