E Diel, 1 Nëntor 2026

Islanda do të ratifikojë brenda vitit protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO



Gjatë takimeve të zhvilluara me krerët e shtetit shqiptar, kryeministri i Islandës, Geir H. Haard, premtoi se Parlamenti islandez do të ratifikojë brenda këtij viti protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Këtë premtim kryeministri Geir H. Haard e bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, por dhe gjatë takimeve të zhvilluara me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe presidentin Bamir Topi. “Dua t’ju siguroj ju se Parlamenti i Islandës do të ratifikojë brenda vitit Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Progresi i jashtëzakonshëm i Shqipërisë është i dukshëm dhe ju mirëpresim sa më shpejt në familjen e madhe të NATO-s”, - u shpreh kryeministri i Islandës në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke shprehur të gjithë mbështetjen e vendit të tij për Shqipërinë, zoti Haard theskoi se Islanda është e interesuar për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, në të gjithë fushat. Kryetarja Topalli shprehu falënderimet për mbështetjen islandeze për marrjen e ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në NATO, duke shtuar se Islanda është një model suksesi, veçanërisht për luftën ndaj korrupsionit. “Para pak kohësh, së bashku me kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Bebiç, i kemi dërguar të gjithë parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, një letër, ku i kërkojmë ratifikim sa më të shpejtë të protokollit të anëtarësimit dhe unë ju falënderoj për konfirmimin se pala islandeze do të ratifikojë shumë shpejt këtë protokoll”, - tha kryetarja Topalli. Kryeministri i Islandës, Geir H. Haarde, u prit dje në një takim dhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë takimit, kryetari i shtetit i uroi kryeministrit Haarde mirëseardhjen në Shqipëri në këtë vizitë të parë, duke vënë në dukje se të tilla vizita dhe kontakte të niveleve të larta kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Islandës. Presidenti Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, më konkretisht në atë energjetike, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Nga ana e tij, kryetari i qeverisë islandeze, duke falënderuar presidentin Topi për pritjen e ngrohtë dhe duke vlerësuar progresin e Shqipërisë në vitet e fundit, nënvizoi interesin e qeverisë së tij për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke garantuar mbështetjen në proceset integruese të vendit tonë.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›