Berisha: Greva e urisë, për interesa politike

Kryeministri Sali Berisha tha sot se respekton çdo protestë paqësore, por duke u ndalur te kërkesat e disa ish të dënuarve politik, të cilët zhvilluan një grevë urie përgjatë 31 ditëve, për t’i dhënë fund dje në mesditë, si shenjë presioni ndaj qeverisë, tha se kauza e tyre nuk ka të bëjë me interesat e shtresës së të përndjekurve, por me interesat e një force politike e cila qëndroi pas tyre në prapavijë. Në këtë drejtim, kryeministri solli në vëmendje se, standardi i qeverisë së Partisë Demokratike ka qenë dhe mbetet kompensimi i të përndjekurve, për vitet e burgut gjatë diktaturës komuniste. Ndërsa grevistët, tha kryeministri, kanë përfituar plot 900 mijë dollarë dëmshpërblim së bashku. “Një vend i lirë, një vend pluralist, respekton protestën paqësore të të gjitha formave. Kjo është një grevë politike, që nuk ka të bëjë aspak me interesat e të përndjekurve politikë, por me interesat për pushtet të një partie të caktuar. Për sa i përket standardit të kësaj qeverie dhe të PD-së, nga viti 1992 e deri më sot, sa herë që ajo ka qenë në pushtet, për martirët e gjallë të fjalës së lirë, ai është standardi më i lartë në të gjithë Evropën ish komuniste. Ky standard përcakton një kompensim prej 18.6 dollarë për çdo ditë të vuajtjes së dënimit për këtë kategori. Përveç kësaj, ky standard përcakton pensione individuale, duke konsideruar çdo vit dënimi sa dy vite punë shumë të rëndë në shtet. Përveç këtyre, janë përcaktuar pensione familjare për të gjithë familjarët e ekzekutuar ose të vdekur në burgjet e diktaturës, pra, pensione për ata që janë mbi 60 vjeç, ose nën moshën 25 vjeç. Janë disbursuar deri më sot mbi këtë tarifë, 102 milionë dollarë lekë privatizimi dhe lekë aktuale. Janë dhënë 21 mijë e 400 pensione, janë dhënë 2200 apartamente. Ata që janë në grevë për qëllime politike, nga këto forma kanë përfituar së bashku 900 mijë dollarë. Këto janë të vërtetat e qëndrimit të forcës politike që unë përfaqësoj dhe qeverisë që drejtoj, ndaj kësaj çështjeje. Përndryshe, ne respektojmë çdo formë proteste paqësore”- u shpreh kryeministri Berisha. Nisur nga interesat e grevës, mirëfilltazi politike, kryeministri theksoi se “do të jenë qytetarët shqiptarë ata që do të përcaktojnë me votë në zgjedhjet e ardhshme kush do t’i qeverisë”. Këto komente, kryeministri Berisha i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin bullgar, Borissov. Pas 31 ditësh ngujimi në çadra, sot në mesditë 6 grevistët e mbetur i dhanë fund protestës së stisur, por duke paralajmëruar se rezistenca do të vazhdojë, ose së paku personat me precedentë penal, të dënuar për krime ordinere, do vazhdojnë të shfaqen në megafonat e opozitës si përfaqësues të shtresës së të përndjekurve. Atëherë kur, shoqatat e ish të dënuarve politik në të gjithë Shqipërinë kanë dënuar përdorimin politik të të përndjekurve dhe rolin bastard të Partisë Socialiste për të damkosur vuajtjet e mijëra qytetarëve në burgjet skëterrë të regjimit hoxhist.
...