Bullgaria votë "pro" integrimit të Shqipërisë në BE

Nënshkruhen marrëveshjet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bullgarisë
Kryeministri Sali Berisha ka pritur sot në një takim homologun e Bullgarisë, Boiko Borisov dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Ceremonia e pritjes ka nisur në orën 11.00 në selinë ë Këshillit të Ministrave, ku pas takimit kokë më kokë mes dy kryeministrave dhe bisedimeve mes delegacioneve u nënshkruan tre marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve. Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshje, Kryeministri Berisha vlerësoi bisedimet e hapura miqësore dhe të frytshme me kryeministrin Borisov. “Bullgaria është faktor paqeje e stabiliteti në rajon, për çka unë shpreha mirënjohje dhe falënderim të përzemërt. Vizita është një moment i rëndësishëm dhe kontribut i veçantë për marrëdhëniet tradicionale mes vendeve. Me Kryeministrin dhe delegacionin shqyrtuam zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat”, vuri në dukje kreu i qeverisë shqiptare. Njëkohësisht, pjesë e rëndësishme e bisedës, sipas Kryeministrit Berisha, ishte pikërisht bashkëpunimi në fushën ekonomike. “Shprehën angazhimin tonë që të mbështesim fuqishëm zhvillimin në fushën ekonomike, potencialet në këtë fushë janë të shumta. Ballkani ka potenciale të mëdha, por ajo që i mungon rajonit korridoret e gjëra të bashkëpunimit”, u shpreh Berisha. Në këtë kuadër, bashkëpunimi përmes një korridori hekurudhor dhe kontributit për ndërtimin e Korridorit 8, ishin një tjetër temë e bisedës. Njëkohësisht ky bashkëpunim do të shtrihet dhe do të fuqizohet dhe më tej dhe në fusha të tjera si në atë të kulturës, arsimit, të mbrojtjes, bujqësisë rendit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Gjatë bisedës me homologun e Bullgarisë, kreu i qeverisë shqiptare ka marrë garancinë për mbështetje në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Garanci kjo e deklarua dhe në konferencën e përbashkët për shtyp nga ana e kryeministrit Borisov, i cili u shpreh se Bullgaria jep votën e saj pro dhënies së statusit kandidat. “Dua t’ju siguroj se zëri i Bullgarisë dëgjohet në Bruksel, do ndihmojnë edhe vendin tuaj siç bëmë me Kroacinë. Do t’ju japim kontribut për vendosjen e bisedimeve të aderimit me BE. Mund të shpresoni për votën tonë”, vuri në dukje Borisov. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha apeloi në adresë të opozitës parlamentare për të votuar kriteret e BE për marrjen në dhjetor të statusit. “Kërkesat janë në Kuvend dhe është duke u punuar për to dhe ne ofrojmë konsensusin më të madh të mundshëm brenda kuadrit kushtetues. Unë shpresoj se nuk ekziston pengesa për t’i votuar ato. Natyrisht qeveria s’ka 3/5 e votave për të miratuar këto ligje pasi 2 prej tyre janë ligje organike. Cilido që të jetë qëndrimi i opozitës kjo varet nga kryetari i opozitës. Gjatë Kongresit të PPE-së unë kam biseduar për problemin e integrimit për çdo kryetar qeverie që ndodhej në kongres. Natyrisht kërkesa ime ka qenë shumë korrekte dhe këtë iu paraqita edhe mikut tim, mbështetje nëse miratohen ligjet dhe nuk mund tu kërkojmë të tjerëve atë që nuk e bëjmë vetë, ky është dhe do mbetet qëndrimi im i ndershëm dhe i prerë. Qytetarët na kanë votuar që të votojmë në parlament dhe jo të bllokojmë dhe ky është një proces detyrimisht që kërkon gjithëpërfshirje. Ky është rregulli i integrimit”, u shpreh Berisha, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë. Por përveç mbështetjes në fushën ekonomike, kryeministri i Bullgarisë ka parashtruar për Kryeministrin Berisha dhe një kërkesë. “Ne mbështesim Shqipërinë për ndërtimin e HEC-eve. Njëkohësisht kemi një kërkesë për Shqipërinë që ajo të eksportojë bitum në Bullgari pasi ka rrugë që janë ndërtuar në vendin tonë me bitumin e ardhur nga Shqipëria. Jemi të gatshëm të marrim të gjithë sasinë që ka vendi juaj”, deklaroi Borisov. Ndërkohë që, Kryeministri Berisha është ndalur dhe në një tjetër zhvillim në vend, e konkretisht në grevën e urisë së ish-të përndjekurve politikë. Sipas tij, greva është politike, e zhvilluar për interesa pushteti dhe nuk ka lidhje me ish-të përndjekurit. Për këtë kategori, u shpreh Berisha, qeveria ka hartuar dhe ka respektuar një kuadër ligjor, i cili do të jetë bazë në ecurinë e këtij procesi.
...