Krimi në familje, burgim për jetë autorëve
Qeveria propozon ndryshime në Kodin Penal për tre vepra penale si vrasja e policëve, hakmarrja dhe krimi në familje (vrasja e bashkëshortes ose vajzës) me burgim të përjetshëm
Një nga çështjet e rëndësishme të trajtuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave ka qenë dhe fenomeni shqetësues i krimit në familje. Kryeministri Berisha propozoi ndryshime në Kodin Penal, për dënimin me burg të përjetshëm të gjithë autorët që do të tentojnë të kryejnë krime të tilla. “Krimi në familje është rritur me shpejtësi të madhe. N.q.s vrasja e bashkëshortes pothuajse ka qenë in-ekzistente, sot për fat të keq kjo është jo e rrallë dhe është akt tmerrësisht i shëmtuar. Kemi bërë dhe bëjmë përpjekje, por përpjekjet duhet të jenë shumë më të mëdha. Duke pasur parasysh dallimin e qartë në agresivitet mes dy gjinive, mendoj se mund të vendoset dënimi përjetë për të gjithë ata të cilët e shtyjnë krimin gjer në një kufi të paimagjinueshëm të tillë. Le të na frymëzojë kjo konventë për të përcaktuar shkallën më të lartë në kodin tonë penal, për të gjithë ata që ngrenë hanxharin e krimit kundër bashkëshortes e vajzës dhe në tërësi gjë e cila përbën formën më ekstreme të krimit. Për tre vepra penale, vrasja e policëve, hakmarrja dhe vrasja e bashkëshortit vajzës dënim përjetë”, vuri në dukje Berisha.
...