Berisha-Gruevski: Angazhim për Korridorin VIII, hekurudhën dhe Rrugën e Arbërit
Forumi Ekonomik Shqipëri-Maqedoni
Kreu i qeverisë Sali Berisha zotohet për të mbrojtur rritjen ekonomike të vendit, si faktori më pozitiv për të shmangur efektet e recensionit në eurozonë dhe gjallëruar tregjet.
Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Shqipëri-Maqedoni, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri maqedonas, Nikola Gruevksi, në fjalën e tij, kryeministri Berisha u përqendrua në potencialet që ofron Shqipëria për investitorët, klimën e favorshme për biznes e investime, si dhe në domosdoshmërinë e ndërtimit të infrastrukturave lidhëse midis vendeve të rajonit, për të bërë të mundur shfrytëzimin e potencialeve të mëdha që rajoni i Ballkanit ka.
“Vendet tona kanë potenciale të mëdha reale, kanë proceduar në reforma të thella, për tu bërë sa më tërheqëse për investimet dhe investitorët vendas e të huaj. Duke mbetur të hapur për investime nga mbarë bota, investimet më të afërta janë edhe më të shpejtat dhe marrin një peshë të veçantë”, u shpreh Berisha.
Ai tha se Shqipëria realisht ofron potenciale të mëdha për investitorët, dhe se në katër vite investimet e huaja në Shqipëri, janë rritur me 316 për qind, nga viti 2009 deri në 2011, eksportet shqiptare janë dyfishuar, nga viti 2004 deri 2011, vizitorët dhe turistët në Shqipëri janë rritur nga 300 mijë në 4 milion e 10 mijë.
“Ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël, por dinamike, me stabilitet makro ekonomik të qëndrueshëm”, theksoi kryeministri shqiptar.
Ndërkaq, Berisha tha se së bashku me homologun maqedonas ranë dakord për zgjerimin e të gjitha lidhjeve infrastrukturore, duke shtuar këtu edhe mundësinë për krijimin e një linje hekurudhore, avancimin e Korridorit VIII, Rrugën e Arbërit, po ashtu edhe shqyrtimin për një linjë energjetike Shqipëri-Maqedoni.
“Me kryeministrin diskutuam bashkërisht që të zgjerojmë të gjitha lidhjet infrastrukturore. Ne po ndërtojmë segmentin më të vështirë të Korridori 8 Tiranë-Elbasan dhe e përfundojmë atë pranverën që vjen. Ne jemi të gatshëm ta sjellim atë në Qafë Thanë. Ne, në kohën më të shkurtër mund të sjellim linjën hekurudhorë nga Lini dhe do procedojë me vendosmëri me linjën energjetike. Rruga e Arbërit, që afron ky kryeqytetet tona me 103 kilometra është një projekt në vazhdim, të cilin ne do ta plotësojmë patjetër. Maqedonia do të ketë të gjitha lehtësirat në portet tona, Durrës, Vlorë, Shëngjin etj. Ndaj dhe ju ftoj të konsideroni seriozisht investimet tuaja të nderura biznesmen të Maqedonisë në Shqipëri. Ju siguroj qe qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka, që ju të keni në këtë vend një histori të vërtetë suksesi”, theksoi kryeministri Berisha.