Berisha: Hapat më të mëdhenj që nga Skënderbeu
Nga Kruja kryeministri sërish e krahason veten me Skënderbeun. "Vendi nuk ka bërë hapa kaq të mëdhenj që prej periudhës së Skënderbeut"
Kryeministri, Sali Berisha, përsëriti se nuk ka ndërmend që të hapë kutitë e votimit. Ai tha se kjo nuk do bëhet, edhe sikur Enver Hoxha të ngrihet nga varri.
"Dua t'i them këtu nga Kruja e Skënderbeut një gjë: Jo vetëm me qen të rrahur dhe me kocka mafioze të tipit Gramoz Ruçi, por edhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri, harroje se mund të ndryshosh vendimet e gjykatave të këtij vendi të lirë apo mund të shkelmosh shtetin ligjor. Jo, kjo nuk mund të ndodhë, ndaj edhe mos i mashtro njerëzit për karrigen tënde, por hajde të ulemi në parlament të vazhdojmë reformat, se vendimet e gjykatave janë të paprekshme. Janë edhe rreth 1160 ditë, gjer në vitin 2013, me durim të ulemi, të përgatisim, të përmirësojmë të gjitha ato që janë për t'u përmirësuar. Zgjedhjet nga e gjithë bota u identifikuan si zgjedhjet më të mira që ka njohur Shqipëria. Ndaj dhe ne, të dashur qytetarë dhe qytetare, jemi të vendosur me përkushtim të madh të bëjmë çdo përpjekje që ju gjatë 6-mujorit të parë të keni vendimin përfundimtar të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave, pra të lëvizni të lirë në mbarë Evropën. Këtë prisni ju, këtë kanë dëshiruar baballarët tuaj, këtë kanë dëshiruar gjyshërit dhe stërgjyshërit, këtë kanë pritur shqiptarët në dhjetëra dhe qindra vite, këtë po e shndërrojmë në realitet", - tha Berisha.
Duke folur nga Kruja, ku shpesh ai gjen vendin për ta krahasuar veten me Skënderbeun, ai tha se që nga koha e Skënderbeut nuk janë bërë kaq shumë hapa për vendin.
"Ky vit ka qenë një vit i madh në historinë tonë, vit në të cilin ne, që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, shënuam hapat më të mëdha, arritjet më historike, në drejtim të integrimit tonë në botën e lirë, integrimit tonë në NATO, integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Në prill ne patëm ngjarjen më historike që nga pavarësia e Shqipërisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO; më 28 qershor fitoren më historike pas 22 marsit të demokracisë shqiptare, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që qeveris sot; më 16 nëntor vendet anëtare të Bashkimit Evropian pranuan kërkesën tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian; gjatë tetorit dhe nëntorit u mor vendimi politik për heqjen e vizave, sapo Shqipëria dhe shqiptarët të plotësojnë kushtet teknike. Kurrë ndonjëherë në një hark kohor kaq të shkurtër, nuk kemi pasur vendime kaq të mëdha dhe pozitive për secilin prej nesh, për Shqipërinë në tërësi, për shqiptarët në tërësi", - tha Berisha.
Gjatë fushatës zgjedhore Berisha pati deklaruar në Krujë se do ia bënte Ramës më keq se Skënderbeu turqve.