E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së, juristët pro dhe kundër mandatit të tyre

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, me anë të një vendimi mos kompetence të lëshuar ndaj të paditurit Vangjel Tavo i akuzuar për kryerjen e veprës penale të "shpifjes" dhe me objekt civil detyrimin për shpërblimin e dëmit të shkaktuar, ka legjitimuar kështu mandatin e 64 deputetëve të Partisë Socialiste të cilët ende nuk kanë bërë betimin në Kuvend.


Sipas këtij vendimi që mban nr. 100 të datës 16 nëntor 2009, çështja penale e depozituar pranë kësaj gjykate ndaj deputetit Tavo i ka kaluar Gjykatës së Lartë për kompetencë, pasi kjo gjykatë ka juridiksionin fillestar të gjykimit ndaj të paditurit që ka fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.


Ky vendim, përveç faktit të kalimi të gjykimit të tij pranë Gjykatës së Lartë, ka legjitimuar kështu të gjithë deputet e Partisë Socialiste të cilët edhe pse kanë kaluar katër muaj që nga dita e zgjedhjes së tyre nuk kanë bërë betimin në Kuvend, për të marr statusin ligjor të deputetit.


Por, ky vendim i gjykatës nga juristët dhe konstitucionalistët në vend interpretohet në dy mënyra, një palë e cilëson të drejtë vendimin dhe një tjetër si të gabuar. Pavarësisht mendimeve të juristëve të ndryshëm, gjyqtari magjistrat Albert Meçe, nga shqyrtimi i dokumenteve të sjella nga palët në proces, ka krijuar bindjes se çështja penale ndaj deputetit Vangjel Tavo nuk është kompetencë e tij për shkak të imunitetit. Kjo bindje, sipas gjyqtarit Meçe, është argumentuar mbi bazën e nenit 141 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 75/b të Kodit të Procedurës Penale, të cilat parashikojnë kompetencën e gjykimit ndaj personave me imunitet. Kështu, pavarësisht këtij vendimi, disa prej konstitucionalistëve që nuk pranuan të identifikohen, u shprehen se "vendimi i Gjykatës së Tiranës është i gabuar, pasi deputeti Tavo dhe të gjithë deputetet e Partisë Socialiste nuk janë betuar në Kuvend.


Deputeti në fjalë dhe të 64 deputet e Partisë Socialiste, janë mandatar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm me mandatin politik të deputetit, ndërsa statusi ligjor i deputetit me të gjithë privilegjet e tij fitohet atëherë kur bëhet betimi në Kuvend"-thanë disa nga konstitucionalistët që dëshiruan të mbeten anonim. Ndërkohë, ndër të paktët konstitucionalit që mendonin ndryshe mendimit të sipërcituar dhe që ishte dakord me vendimin e Gjykatës së Tiranës, ishte juristi i njohur Nijazi Jaho. Në komentin e tij mbi vendimin e dhënë nga Gjykata për deputetin Tavo, juristi Jaho u shpreh se është shumë dakord me gjyqtarin dhe vendimi i tij është i drejtë. "Mandati i deputetit fillon që nga dita e shpalljes së tij si fitues nga institucionet përkatëse të legjitimimit të zgjedhjeve, që është Komision Qendror i Zgjedhjeve. Që nga ky moment, sipas mendimit tim, ai (personi i zgjedhur) gëzon të gjitha privilegjet e deputetit në aspektin ligjore. Ndërsa, ushtrimi i mandatit politik të deputetit fillon nga momenti që ai bënë betimin në Kuvend"-tha juristi Jaho.


Ndërkohë, ky vendim gjykate pritet të bëhet edhe precedent për rastet e tjera, pasi deri më tani gjyqësori shqiptar nuk është përballur me rastet e tilla, ku një numër i caktuar deputetesh të cilët kanë fituar mandatin nga zgjedhësit, nuk pranojnë të hynë në Kuvend të bëjnë betimin, për të përfituar të gjitha privilegjet e një deputeti më pas. Tashmë, pavarësisht se 64 deputetet nuk janë betuar, ata sipas këtij vendimi, mbrohen nga imuniteti dhe ndaj tyre nuk mund të veprohet në aspektin e procedimit penalisht pa leje të Kuvendit. Arsyeja që Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet mori në shqyrtim këtë çështje, ishte se deputetit Vangjel Tavo u kallëzua me një padi penale pranë togave të zeza, duke e akuzuar për "shpifje" ndaj ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›