Berisha: Harmonia fetare, jetike për shoqërinë

Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në Asamblenë “Drejtësi dhe Paqe”, e konsideroi harmoninë ndërfetare vlerë të pazëvendësueshme dhe paqe mes njerëzve. Po ashtu, kryeministri në fjalën e tij theksoi se nuk ka përpjekje më fisnike, se mirëkuptimi për besimin e tjetrit.
“Janë vlera, në të cilat duhet të bashkohen të gjithë ata që i besojnë zotit pa dallim nga besimet e tyre fetare. Ky dialog, kjo përpjekje, ky mision është i një rëndësie nevralgjike, sepse sërish duhet të pranojmë se muret e padijes, krijojnë përshtypje dhe hendeqe të pamerituara mes besimeve, apo midis kulturave dhe kombeve me besime të ndryshme”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, është për t`u admiruar përpjekja e udhëheqësve shpirtërorë, për të promovuar këtë çështje të rëndësishme për paqen e mirëkuptimin shoqëror e midis kombeve.