Gjykata e Tiranës njeh deputetët e PS-së edhe pa bërë betimin
Vendimi mbështetet nga Njazi Jaho, ndërsa kundërshtohet nga juristë të tjerë që mendojnë se deputetë cilësohen kur bëjnë betimin
TIRANË - Për Gjykatën e Shkallës së Parë, mandati i deputetëve socialistë është i legjitimuar. Kjo duket qartë në një vendim, që kjo gjykatë ka marrë ndaj të paditurit Vangjel Tavo i akuzuar për kryerjen e veprës penale të "shpifjes".
Sipas këtij vendimi, çështja penale e depozituar pranë kësaj gjykate ndaj deputetit Tavo i ka kaluar Gjykatës së Lartë për kompetencë, pasi vetëm kjo e fundit ka juridiksionin fillestar të gjykimit ndaj të paditurit, që ka fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009-të.
Ky vendim, përveç faktit të kalimit të gjykimit të tij pranë Gjykatës së Lartë, ka legjitimuar, në fakt, një debat të madh të hapur mes juristësh, nëse deputetët aktualë të PS-së mund të konsiderohen si të tillë edhe pse nuk kanë bërë betimin në Kuvend. Pikërisht vendimi në fjalë, nga juristët dhe konstitucionalistët në vend interpretohet në dy mënyra; një palë e cilëson të drejtë vendimin dhe një tjetër si të gabuar.
Gjyqtari magjistrat Albert Meçe, nga shqyrtimi i dokumenteve të sjella nga palët në proces, ka krijuar bindjen se çështja penale ndaj deputetit Vangjel Tavo nuk është kompetencë e tij për shkak të imunitetit. Kjo bindje, sipas gjyqtarit Meçe, është argumentuar mbi bazën e nenit 141 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 75/b të Kodit të Procedurës Penale, të cilat parashikojnë kompetencën e gjykimit ndaj personave me imunitet.
Por, pavarësisht këtij vendimi, disa prej konstitucionalistëve, që nuk pranuan të identifikohen, u shprehen se "vendimi i Gjykatës së Tiranës është i gabuar, pasi deputeti Tavo dhe të gjithë deputetet e Partisë Socialiste nuk janë betuar në Kuvend.
Deputeti në fjalë, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Partisë Socialiste, janë mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm me mandatin politik të deputetit, ndërsa statusi ligjor i deputetit me të gjithë privilegjet e tij fitohet atëherë kur bëhet betimi në Kuvend".
Jaho
Ndërkohë, ndër të paktët konstitucionalistë që mendojnë ndryshe dhe janë dakord me vendimin e Gjykatës së Tiranës, është juristi Njazi Jaho. Në komentin e tij mbi vendimin e dhënë nga Gjykata për deputetin Tavo, juristi Jaho u shpreh se është shumë dakord me gjyqtarin dhe vendimi i tij është i drejtë.
"Mandati i deputetit fillon që nga dita e shpalljes së tij si fitues nga institucionet përkatëse të legjitimimit të zgjedhjeve, që është Komision Qendror i Zgjedhjeve. Që nga ky moment, sipas mendimit tim, ai (personi i zgjedhur) gëzon të gjitha privilegjet e deputetit në aspektin ligjor.
Ndërsa, ushtrimi i mandatit politik të deputetit fillon nga momenti që ai bën betimin në Kuvend", - tha juristi Jaho. Ndërkohë, ky vendim gjykate pritet të bëhet edhe precedent për rastet e tjera, pasi deri më tani gjyqësori shqiptar nuk është përballur me rastet e tilla, ku një numër i caktuar deputetesh, të cilët kanë fituar mandatin nga zgjedhësit, nuk pranojnë të hyjnë në Kuvend të bëjnë betimin, për të përfituar të gjitha privilegjet e një deputeti më pas.
Tashmë, pavarësisht se 64 deputetët nuk janë betuar, ata sipas këtij vendimi, mbrohen nga imuniteti dhe ndaj tyre nuk mund të veprohet në aspektin e procedimit penalisht pa leje të Kuvendit.
Arsyeja që Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet mori në shqyrtim këtë çështje, ishte se deputeti Vangjel Tavo u kallëzua me një padi penale pranë togave të zeza, duke e akuzuar për "shpifje" ndaj ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu.