Mediat e Edvinit, perversitet mediatik pas masakrës, himnizuan krimin, njëlloj siç vepruan me Jaho Salihin
Një tjetër provë për meskinitetin dhe përdorimin e medias për interesa politike e private ishte ngjarja tragjike e ditës së premte që përfundoi me vdekjen e 4 efektivave të uniformave blu në Durrës në përpjekjen e tyre të admirueshme për të mposhtur krimin. Menjëherë sapo u bë i ditur lajmi se ishin dëgjuar të shtëna afër pistës “Iliria” në Durrës, disa media shqiptare, të njohura tashmë për lidhjet e tyre konjukturale me agjenci sekrete a policore, këtu dhe jashtë, u vunë në pararojën e analizës mbi ngjarjen e dhimbshme. Fatkeqësisht edhe kësaj here ato nuk arritën të shkëputen nga disa stereotipe negative për ndërtimin e një imazhi pozitiv për kriminelin nëpërmjet gjoja analizës. Në konceptimin qesharak të ofruar për opinionin, mediat e majta kryesisht, i mëshuan profilit njerëzor të kriminelit duke dashur të përcojnë sinjalin e një lidhjeje gati normale të kriminelit me publikun dhe në lehtësinë me të cilën arrihet ndjesia e pafajshmërisë për veprime kriminale që rrjedhin sipas këtyre pseudoanalizave, për shkak të gabimeve rastësore apo gati pa të keqe të kriminelit. Krimineli Dritan Dajti u paraqit si edhe në raste të tjera (kujtojmë se po këto media ngrinin lart një imazh simpatik edhe për Jaho Salihin) si një personazh që nuk e meritonte fatin e vet, madje hera-herës u la të kuptohej se shteti mund të kishte arritur ndonjë kompromis me të, duke i lypur kriminelit vetëm pendesë e asgjë tjetër. Mediat e majta gati në sinkron nxituan të paraqesin Dritan Dajtin si një kriminel shqiptar të racës së zbutur dhe shumë më pak të rrezikshëm se fjala vjen nga tufa e kriminelëve të tjerë të asgjësuar nga policia shqiptare. Gati-gati Dritan Dajti na u paraqit si një personazh që kishte evoluar qysh nga arratisja e tij në gjykatë në vitin 2003, madje kjo arratisje ishte bërë sipas analizave mediatike të majta se ai ishte i bindur se nuk mund të gjykohej drejt dhe se i kishin ngarkuar kot mbi kurriz të paktën një vrasje. Ndaj edhe armiqësimi i policisë dhe i publikut me të nuk duhet të kishte ndodhur. Pra mediat shqiptare të anësuara majtas dhe të lidhura me interesa dhe afera ekonomike dhe pse jo edhe kriminale nuk e panë asnjëherë dhe në asnjë rast Dritan Dajtin si kriminelin që merr peng, terrorizon, vret biznesmenë, njerëz që nuk i ka qejf apo që duhet të hiqen qafe sipas rastit dhe pagesave përkatëse. Duke qenë se këto lloj mediash e dinë se publiku i tyre është i prirur për t’u përgjigjur pozitivisht në ngacmimet dhe reflektimet antiBerishë e antiqeveri, përpiqen të injektojnë brenda tyre analizën ideologjike pa kritikë për kriminelin dhe me plot vërejtje për shtetin.
E thënë me pak fjalë kriminelët si Dritan Dajti janë të butë, njerëz që përndryshe janë të respektuar e me pozicion të pranueshëm shoqëror, që bien në grackën e krimit si pa dashje ose nga mëndjelehtësia apo pasioni, dhe madje as nuk e ndërtojnë mirë krimin. Sipas këtyre mediave krimineli Dajti dhe të tjerë vrasin se janë të papjekur, se janë mësuar të luajnë, se duan lirinë, madje edhe vrasjet e tyre kanë kuptim pasi bëhen kundër atyre njerëzve që sipas këtyre analizave jetojnë duke grabitur shoqërinë tonë et,etj. Ky lloj pasqyrimi përpiqet të përcojë idenë se, gati-gati as të vjen dot keq për viktimat e këtyre lloj kriminelëve. Interesante është se Dritan Dajti në analizat mediatike të shtypit të majtë u trajtua në njëfarë mënyre si një kriminel që ishte oksidental e që, thuajse ishte aty gjithë kohën si pjesë e botës jokriminale. Madje personazhi Dajti u paraqit si një kriminel kompleks e disaplanësh, që u detyrua thjesht të përdorë forcën kur shoqëria dhe shteti nuk e lejuan që të kthehej në celësin e hapjes së dyerve që ai i kishte rezervuar vetes në botën e krimit.
Me këto gjoja analiza, mediat e majta shqiptare shpresojnë që audienca e tyre të identifikohet pse jo me këto grupe kriminale që shteti po u bie në qafë kot ashtu sic u ra në qafë kot edhe votuesve të majtë apo siç po i bie në qafë kot Edi Ramës si humbës të zgjedhjeve apo gjithfarë marrëzish të tjera si këto. Sipas pseudoanalizës të bërë gjatë këtyre ditëve në shtypin dhe mediat e majta, Dritan Dajti ishte thjesht një njeri që duhet të ndjesh keqardhje për daljen e rastësishme e relative nga tufa njerëzore së cilës i takojnë në mënyrë të qëndrueshme e absolute. Pra krimineli Dajti në këtë rast hidhet në treg nga protektorët e tij mediatikë i mbrojtur, si njeri i gjallë me mish e kockë me sy të shndritshëm e plot jetë, por që e kanë vënë përfund instinktet për të cilat ai nuk ka faj. Ngrtija e kultit të kriminelit nga mediat e majta shqiptare ka për bazë filozofinë që sa më i fuqishëm apo i egër fizikisht e në sjellje është personazhi i krimit në përballje me shtetin, aq më njerëzor e më rezistent ndaj, arsyetimit, kuptimit të krimit dhe pendimit për të, bëhet ai. Dhe sigurisht tentativa kundrejt opinionit publik është që ai të eksitohet sa më shumë me vrasjet e këtyre kriminelëve. Por ka edhe një element tjetër që është paraqitja e këtyre njerëzve të hurit e të litarit si njerëz simpatikë në kuptimin e tipareve të tyre në mënyrë që publiku të ndihet mirëkuptues apo njësues me këtë prototip njerëzor ose jonjerëzor. Rasti i Dritan Dajtit në këndvështrimin mediatik të “Neës 24”, “Top Medias”, “Gazetës Shqiptare” e shumë e shumë të tjerave është ai i një personazhi që nuk kuptohet nga një shoqëri mizerabël e që nuk i ka lejuar atij zhvillimin normal të dimensionit njerëzor.
Në fakt të nisesh nga këto lloj analizash të njerëzve të djallëzuar e me instinkte deri edhe kafshërore që u pasqyruan në ekranet televizive dhe faqet e medieve të majta do të thotë të biesh pre e farës së keqe të shqiptarëve. Një arsye e fortë që askush të mos besojë apo të niset nga gjoja analizat e ditëve të fundit apo që do të pasojnë në ditët në vazhdim është prirja gjenetike e së mirës për të triumfuar mbi të keqen. Në fund të fundit edhe seleksionimi natyror i specieve të mira e të këqia e ka një kuptim. Kuptimin e ndërhyrjes në proces të qenieve më të larta biologjikisht se këta lloj analistësh e pseudo gazetarësh të kalcifikuar me të keqen. Ata janë si një specie shtazarake që e ardhmja u ka paracaktuar vetëm shuarjen dhe zhdukjen e plotë. Na duhet sot më shumë se kurrë rindërtimi i imazhit të shtetit dhe policisë, luftës kundër krimit dhe pa kompromis kundër gjithë negativiteteve që rrezikojnë stabilitetin njerëzor dhe shoqëror. Na duhet sot rindërtimi i imazhit të marrdhënies së favorshme publike dhe rindërtimi i besimit mes shtetit dhe qytetarit. Nuk mund të ketë histori reale për anët e mira të kriminelëve në Shqipëri. Histori të tilla bëhen vetëm për filma që mund t’i konsumojnë jo shqiptarët.