Berisha: Hetim Ramiz Alisë për Tivarin

"Këta kriminelë që morën pjesë në këtë masakër duhet të marrin ndëshkimin e tyre ekzemplar"
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha vazhdon që të anashkalojë çështjen e krizës politike, në një kohë kur opozita po kërkon transparencën e zgjedhjeve dhe kur faktori ndërkombëtar bën apel për zgjidhjen sa më parë të saj.
Duke shmangur trajtimin e çështjes së ngërçit politik, Berisha i është rikthyer sërish akuzave ndaj ish-liderit të fundit komunist në Shqipëri, Ramiz Alisë, për masakrën e Tivarit. Kryeministri theksoi dje në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike se ekzistojnë fakte dhe dokumente që vërtetojnë se masakra e Tivarit e ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore është kryer nga Ramiz Alia në bashkëpunim me klikën barbare të Tiranës, siç e cilësoi ai.
"Ky gjenocid u ndhmua, u bashkorganizua, nga klika barbare e Tiranës. Mos harrojmë se ekzistojnë të gjitha dokumentet, se ata kaluan kufirin në Morinë dhe përshkuan territorin e këtij vendi në këmbë gjer tek Hani i Hotit.
Dhe këta kriminelë shqiptarë, që morën pjesë në këtë masakër duhet të marrin ndëshkimin e tyre ekzemplar, si një kusht i domosdoshëm që shpirtrat e tyre të prehen të qetë", - tha dje Berisha.
Për këtë arsye, Berisha kërkoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, i cili, sipas tij, duhet të bashkëpunojë me parlamentet e Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë dhe Maqedonisë për të mbledhur dokumente dhe fakte që vërtetojnë masakrën e Tivarit.
Sipas Berishës, kjo duhet bërë për t'u treguar të gjithëve shqiptarëve se çfarë ka bërë regjimi komunist gjatë sistemit politik të kaluar. "Ekzistojnë të gjitha dokumentet dhe kur diktatori Ramiz Alia vetëm pak ditë më parë do të deklaronte: t'i gjejnë kosovarët se kush i bëri. Nuk mund t'i lash duart xhelat kaq lehtë ndaj këtij akti.
Ndaj dhe Parlamenti duhet të fillojë me vendosmëri Komisionin Hetimor parlamentar, të vendosë bashkëpunimin me të gjitha parlamentet e vendeve përreth, të mblidhet çdo dokument, çdo fakt, çdo dëshmi, ende ka të gjallë, ka dëshmi, ka prova", - u shpreh ai.
Shefi i ekzekutivit i kërkoi kreut të grupit parlamentar, Astrit Patozi, që komisioni hetimor parlamentar të ngrihet pranë Kuvendit me të gjitha mjetet dhe gjithçka që ai ka në dispozicion. Berisha shtoi se Parlamenti nuk ka të gjitha instrumentet, por institucioni ligjvënës, sipas tij, do të mund të aktivizojë të gjitha potencialet e këtij vendi në mënyrë që të zbardhet e vërteta e masakrës së Tivarit.