E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, padi ndaj Doshit. Rikthen në Kuvend heqjen e imunitetit

Paralelisht me padinë, kryeministri Berisha deklaroi në fillim të mbledhjes së grupit se PD do të rikthejë për shqyrtim draftin për imunitetet


TIRANË - Mazhoranca kërkon të risjellë për diskutim në Kuvend draftin për heqjen e imuniteteve të deputetëve të Kuvendit, në një kohë, kur vetë grupi parlamentar demokrat do të depozitojë ditën e sotme një kallëzim penal në prokurori ndaj deputetit socialist Tom Doshi.


Ky kallëzim penal ka si tendencë heqjen e imunitetit të deputetit socialist, kur në përmbajtjen e tij, Doshi akuzohet nga mazhoranca për kanosje me jetë për shkak të detyrës ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri, në seancën e 24 majit të këtij viti, kur të dy deputetët u përfshinë në fyerje dhe debate të ashpra me njëri-tjetrin. Sipas një prej neneve të Kodit Penal për veprën penale të kanosjes me jetë për shkak të detyrës parashikohet gjobë ose dënim deri në dy vjet burg.


Kërkesën për diskutimin e draftit që prej më shumë së dy vitesh "fle" në sirtarët e Kuvendit e bëri dje kreu i qeverisë Sali Berisha dhe njëkohësisht kreu i Partisë Demokratike gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie. Sipas Berishës, ky draft është shqyrtuar nga Komisioni i Venecias dhe ky komision, sipas tij, pranon në parim heqjen e imuniteteve të deputetëve.


Por, në miratimin e këtij ligji që përfshin Parlamentin dhe drejtësinë nevojiten edhe votat e opozitës, për t'u miratuar me shumicë të cilësuar prej 3/5. Për këtë arsye, Kryeministri Berisha i bëri thirrje eksponentëve të PS-së, që t'i bashkëngjitet kësaj nisme për heqjen e imuniteteve të deputetëve në rastet me korrupsion. "Ky ligj shkoi në Komisionin e Venecias, u shqyrtua dhe ka ekspertizën e shkëlqyer të këtij Komisioni, i cili në parim pranon heqjen e imuniteteve për veprën e korrupsionit.


Së dyti, thekson se me qenë se kemi të bëjmë me institucione siç është Parlamenti, siç është drejtësia, atëherë këto duhet të jenë me tre të pestat, dhe unë shpresoj, dua të shpresoj se Partia Socialiste është e gatshme dhe ne ofrojmë si alternativë cilën dëshirë të ketë Partia Socialiste.


Po të dojë të zbatojë udhëzimin e Komisionit të Venecias dhe të bëjë ndryshimet ligjore në përputhje me ato ndryshime, por, edhe sikur ndryshime kushtetuese të bëhen do të ishte një shërbim jashtëzakonisht i madh që do t'i bënim këtij vendi dhe këtyre qytetarëve",- tha dje Berisha.


Kreu i mazhorancës vuri në dukje se në Shqipëri nuk duhet të ketë deputet me imunitet që ka kryer vepra korruptive, në një kohë kur në kabinetin e tij qeveritar gjenden dy ministra që i kanë shpëtuar drejtësisë për shkak të imunitetit të tyre. Por, sipas Berishës, shumica në pushtet do të votojë çdo kërkesë që qeveria apo gjykatat do të paraqesin për anëtarët e saj për imunitet.


"Në Shqipëri nuk duhet të ketë imunitarë në raport me korrupsionin, pavarësisht nga komentet, por kjo mazhorancë, dhe në kundërshtim flagrant me bindjet e saj, në kundërshtim të hapur me të gjithë opinionin e vet, ka votuar dhe do të votojë çdo kërkesë që qeveria apo gjykatat e vendit do të paraqesin për anëtarët e saj për imunitetet", - u shpreh ai.


Kryeministri i vendit, shpjegoi se kur Partia Demokratike ishte në opozitë gjatë vitit 2003, ka kërkuar miratimin e ligjit për heqjen e imuniteteve të deputetëve por sipas tij, ajo hasi në refuzimin kategorik të Partisë Socialiste në pushtet. Kur e djathta erdhi në pushtet në vitin 2005, sipas Berishës, e kërkoi sërish miratimin e këtij ligji, por ajo hasi në kundërshtimin e opozitës socialiste.


Për këtë arsye, numri një i pushtetit ekzekutiv u bëri thirrje përfaqësuesve të Partisë Socialiste që të kontribuojë në miratimin e ligjit në heqjen e imuniteteve të deputetëve, ashtu siç u miratua me konsensus edhe ligji për heqjen e imunitetit të prokurorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›