Faljet, Nishani merr kompetencat e Topit
Avokati i Popullit dhe disa OJF kërkojnë që të kenë një rol përcaktues në procesin e faljes së të dënuarve
TIRANË - Një sërë institucionesh kushtetuese apo edhe organizatash joqeveritare kërkojnë që të kenë një rol përcaktues në procesin e faljes së të dënuarve me burgim. Të thirrur dje në Komisionin e Ligjeve në një seancë dëgjimore në kuadër të diskutimeve për projektligjin e ri "Për faljen" institucione të pavarura kushtetuese si Avokati i Popullit apo dhe OJF të ndryshme kanë artikuluar në mënyrë të qartë nevojën për t'u bërë pjesë e procesit të faljes nga Presidenti i Republikës.
Ata janë pajtuar me rolin e ri, që merr institucioni i Ministrit të Drejtësisë si i vetmi subjekt, që ka të drejtë të përcjellë kërkesat për falje në institucionin e kreut të shtetit, por kanë kërkuar që në ligj t'u lihet edhe atyre e drejta që në fazën paraprake të bëjnë propozime që në listat e Ministrisë të përfshihen edhe individë të ndryshëm.
"Gjykojmë se në rrethin e subjekteve që mund të vënë në lëvizje me anë një kërkese propozimi Ministrin e Drejtësisë, duhet të jenë dhe ato autoritete që duhet të jenë më afër halleve të popullit dhe që njohim më nga afër gjendjen ekonomike shoqërore të të dënuarve. Të tillë mund të jenë kryetarët bashkive dhe të komunave, deputetët, Avokati i Popullit, organizatat jofitimprurëse në mbrojtje të të drejtave të njeriut", - tha komisioneri i Avokatit të Popullit, Riza Poda.
Në të njëjtën frekuencë qëndrimi ka qenë edhe përfaqësuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçe, e cila ka theksuar se përfshirja e këtyre subjekteve në rrethin e propozuesve do të bënte të mundur që të përfitonin nga institucioni i faljes edhe ata persona të dënuar që s'kanë mundësi fizike apo mendore për të përgatitur një kërkesë të tillë.
Ajo ka qenë kritike për rolin që i lihet presidentit në këtë proces, duke kërkuar, së pari, që kreut të shtetit të mos i vihet afat në dhënien e përgjigjes për kërkesat e ardhura nga Ministri i Drejtësisë.
"Ne nuk jemi dakord me kufizimin në kohë që i bëhet Presidentit të Republikës për dhënien e përgjigjes për kërkesën për faljen", - tha Meçe, ndërsa ka kundërshtuar nga ana tjetër edhe e drejta që i lihet kreut të shtetit për të mos u shprehur në rast mos miratimi.
Ndërkohë, gjatë diskutimit të djeshëm në komision Ministri i Drejtësisë ka bërë të ditur se gjatë korrespondencës së kryer me një sërë institucionesh, si Presidenca, Prokuroria apo edhe EURALIUS është debatuar gjatë mbi faktin nëse ndërhyrja në ligjin aktual cenon apo jo kompetencat e kreut të shtetit në dhënien e faljes.
Sipas Nishanit, në këtë korrespondencë është theksuar se kufizimi i së drejtës për të bërë propozime presidentit për falje vetëm tek Ministri i Drejtësisë nuk përbënë kufizim apo prekje të kompetencave të kreut të shtetit, por vetëm kufizon institucionet që e kanë pasur të drejtën e propozimit. Nishani tha gjithashtu se është konsideruar e panevojshme që projektligji të miratohet me votë të cilësuar, pasi nuk bëhet fjalë për një ligj organik.
Projektligji që pritet të diskutohet edhe sot në Komisionin e Ligjeve parashikon ndërmjet të tjerave që të kufizojë të drejtën e institucioneve që bëjnë propozime tek kreu i shtetit për falje të të burgosurve vetëm te Ministri i Drejtësisë.