E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelja me pagat, PS letër ambasadorëve

Grupi parlamentar socialist ka vendosur t'i drejtohet me një letër ambasadorëve, për t'i vënë në dijeni mbi atë që ndodh realisht me trajtimin financiar të tyre nga ana e Kuvendit


TIRANË - Politika e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, me pagat dhe dietat e deputetëve socialistë përfundon në dyert e trupit diplomatik në Tiranë.


Grupi parlamentar socialist ka vendosur t'i drejtohet me një letër përfaqësuesve të shteteve më të rëndësishëm në marrëdhëniet me Shqipërinë në vendin tonë, për t'i vënë në dijeni mbi atë që ndodh realisht me trajtimin financiar të tyre nga ana e Kuvendit, si një përpjekje e vazhdueshme e kryeparlamentares Topalli për të frenuar apo asgjësuar rolin opozitar parlamentar.


Deputetë socialistë kanë konfirmuar dje se letra do të mbajë firmën e kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, dhe do t'i niset konkretisht kreut të përfaqësisë diplomatike të Komisionit Europian, Helmut Lohan, kreut të ambasadës spanjolle, Emanuel Montobio, si vendi që mban presidencën e radhës së BE-së, ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, si dhe ambasadorit amerikan, Xhohn Withers.


Në letrën e hartuar tashmë pasqyrohet një histori e shkurtër e penalizimeve të njëpasnjëshme që kryeparlamentarja Topalli i ka bërë pagës dhe dietave të deputetëve socialistë, duke bërë interpretime të ndryshme të ligjit "Për statusin e deputetit".


Më tej, siç mësohet nga të njëjtat burime informacioni në letër konstaton shkelje të veçanta të ligjit dhe të rregullores së Kuvendit nga ana e kryeparlamentares, ku natyrisht veprime të tilla cilësohen si të qëllimshme nga ana e saj.


Në letër, çështja e pagave dhe dietave nuk trajtohet thjesht si një e ardhur financiare për deputetët, por si një instrument financiar i domosdoshëm për të kryer aktivitetin normal kushtetues të të zgjedhurit të popullit.


Ambasadorët informohen nëpërmjet kësaj letre se administrata financiare e kryetares Topalli përdor standarde të shumëfishta për trajtimin financiar të deputetëve që, sipas socialistëve, tregon fare qartë se kufizimet apo mbajta e pagës dhe dietave nuk bëhet në bazë të ndonjë ligji apo rregulli të caktuar, por vetëm në referim të dëshirës dhe humorit të kryeparlamentares.


Rasti më i freskët i këtij lloj abuzimi, sipas socialistëve, është paga e muajit maj, ku vendimit të fundit të këtij muaji për detajimin e ri të pagës së deputetit, iu dha fuqi prapavepruese, çka solli për pasojë që deputetët socialistë të merrnin në rastin më të mirë maksimumi 19.4 mijë lekë ose në rastin më të keq minimumi o lekë, pavarësisht se ata morën pjesë në një seancë plenare nga 4 që u kryen gjithsej.


Ndërkohë që më parë ka pasur raste të shumta ku deputetë të të njëjtës zonë zgjedhore, trajtoheshin me dieta në mënyrë të ndryshme, ku përfaqësuesit socialistë arrinin të merrnin vetëm 18 mijë lekë dieta, ndërsa ata demokrat mund të merrnin deri në 80 mijë lekë të reja. Këtu Topalli përfshinte edhe veten e saj, duke akorduar rreth 80 mijë lekë dieta sikur jetonte në Shkodër, megjithëse jeton në Tiranë.


Sipas socialistëve, dietat dhe paga nuk jepet vetëm për pjesëmarrjen në kuvend dhe komisione, por edhe për të mundësuar ushtrimin e funksionit të deputetit në zonat e tyre përkatëse zgjedhore. Lidhur me këtë problem, socialistët kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin edhe nisma hetimore, parlamentare apo penale.


Sipas burimeve pranë grupit socialist, pritet që në ditët në vijim të përcaktohet se cili do të jetë hapi që do të ndërmerret, pasi ekziston mundësia e një padie në prokurori e kryeparlamentares Topalli dhe sekretarit të saj të përgjithshëm për abuzim me pagat dhe dietat e tyre, por nuk përjashtohet si mundësi paraqitja e një kërkese për hetim parlamentar të shpenzimeve të buxhetit dhe funksionimit të institucionit të kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›