"Kutitë", Kristo takim me anëtarët e Venecias

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese shfrytëzoi ceremoninë e organizuar me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Venecias
TIRANË - Kriza politike në vend dhe gjetja e mundësive ligjore për zgjidhjen e saj po zhvendoset edhe në takimet informale që drejtues politikë, por edhe institucionet kushtetuese po zhvillojnë jashtë vendit.
Në kushtet kur rinumërimi ose jo i fletëve të votimit mbetet pika ndarëse mes dy partive kryesore në vend, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, ka zhvilluar disa takime dje me anëtarë të Komisionit të Venecias, duke shfrytëzuar ceremoninë e organizuar me rastin e 20-vjetorit të krijimit të këtij komisioni në Venecia, Itali.
Gjatë kësaj veprimtarie, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kristo, zhvilloi takime me drejtorin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquiçhio, dhe anëtarë të tjerë të Komisionit, si dhe me disa Kryetarë të Gjykatave Kushtetuese simotra.
Edhe pse në njoftimin zyrtar nuk thuhet asgjë nëse është diskutuar për krizën politike në vend, takimet e kryetarit të Kushtetueses janë shoqëruar edhe me diskutime dhe rrahje mendimesh pikërisht për kutitë e votimit. PS-ja ka kërkuar që çështja e fletëve të votimit të shkojë në Komisionin e Venecias për mendim, një variant të cilin jo publikisht e ka mbështetur edhe PD-ja, por ndahen në mënyrën se si duhet të shkohet tek ky komision.
Komisioni Europian për Demokracinë nëpërmjet Ligjit, i njohur më gjerësisht si Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës, është një organizatë ligjore e pavarur që e ka filluar veprimtarinë e saj me ndihmesën e dhënë për hartimin e kushtetutave të demokracive të reja në përputhje me kulturën kushtetuese europiane. Sot, Komisioni i Venecias jep opinione ligjore për çështje të rëndësishme, që lidhen me kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve.
Kryetari i PS-së, Rama, dhe Kryetari i G99, Veliaj, zhvilluan takime në Londër për krizën politike
Londër, Rama takim me ish- kryeministrin britanik, Blair
LONDËR - Çështja e krizës politike që lidhet pikërisht me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit po merr përditë e shumë përmasa më të mëdha. Përveç turit përgjatë këtyre ditëve nëpër qytetet e Shqipërisë, kreu i opozitës po intensifikon kontaktet edhe me aktorë të huaj politikë, me qëllim zgjidhjen e situatës politike përmes transparencës së procesit zgjedhor.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, është nisur dje në Londër, ku ka zhvilluar një takim privat me
ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Blair, si dhe me gazetarin Alistair Campell, i cili në vitet 1997-2003 ka qenë drejtor i Komunikimit dhe Strategjisë për ish-kryeministrin britanik. Në këtë takim privat me ish-kryeministrin Blair, lideri i së majtës shqiptare shoqërohej nga kryetari i G-99, Erjon Veliaj.
Gjatë këtij takimi mësohet se Rama dhe Blair kanë folur mbi situatën politike në Shqipëri, e cila ka rreth 1 vit që nuk po merr zgjidhje, për shkak të refuzimit kategorik të shumicës ndaj kërkesave të opozitës për hetimin e zgjedhjeve të vitit 2009. Përveç takimeve me ish-kryeministrin e Anglisë, Veliaj dhe Rama kanë zhvilluar takime edhe me zyrtarë të lartë të ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe. Megjithëse nuk bëhen të ditura detajet e këtyre takimeve, diskutimet janë fokusuar më shumë në krizën politike dhe zgjidhjen e saj.
Pas darkës së Strasburgut ku u ulën në tryezën e bisedimeve dy drejtuesit e forcave politike shqiptare, Kryeministri Berisha dhe kreu i PS-së, Rama, kauza e opozitës për transparencën e zgjedhjeve parlamentare, si dhe gjithë situata politike ka marrë një përmasë të trajtimit të saj në një rang europian, megjithëse ndërkombëtarët pas këtij takimi u kanë kërkuar liderëve shqiptarë që ta zgjidhin vetë krizën politike. Ndërkohë, Berisha dhe Rama kanë zbritur në bazë, me turet e tyre respektive, ku njëri kryen inaugurime rrugësh e shkollash, ndërsa tjetri kërkon transparencën e zgjedhjeve.