Berisha: Hetim të plotë të zgjedhjeve, jo cenim të vendimeve të gjykatës

"I garantojmë opozitës shumicën në komisionin hetimor, pavarësisht se kjo pikë nuk përmendet në asnjë prej raporteve të ndërkombëtarëve"
Kryeministri Sali Berisha i deklaron opozitës dhe përfaqësuesve të saj socialistë, që të dëgjojnë apelin e ndërkombëtarëve, lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Duke folur në parlament para deputetëve të mazhorancës, Berisha deklaroi se opozita duhet t’i kushtojë vëmendje thirrjes së përsëritur të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Zhoao Soares, i cili duke iu referuar raportit përfundimtar mbi zgjedhjet, vlerëson procesin dhe kërkon kthimin e opozitës në vendin e saj, në parlament.
“OSBE vlerëson zgjedhjet si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë. I bëhet thirrje opozitës që të rikthehet në parlament. Ka patur një deklaratë nga Presidenti i OSBE, Soares, i cili ka treguar një interes të veçantë për procesin e zgjedhjeve, për përgatitjet që po bëheshin për zgjedhjet dhe ka bërë vlerësimin e tij objektiv në mbledhjen e Komitetit të përhershëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE në Athinë. Soares, i referohet gjërësisht konkluzioneve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. I bën thirrje në mënyrë të përsëritur opozitës që t’i japë fund menjëherë bojkotit dhe të zërë vendet në parlament”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë iu referua edhe çështjes së hetimit të zgjedhjeve, me anë të ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar.
“Presidenti Soares, mirëpret vullnetin e mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e plotë të zgjedhjeve në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit dhe vendimeve të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese. Unë, jam këtu për të garantuar Asamblenë Parlamentare të OSBE dhe Presidentin Soares, për vullnetin e plotë të mazhorancës për tu angazhuar në reforma të thella dhe të gjithanshme, me opozitën, për të respektuar plotësisht të drejtën e saj, për komisionin hetimor parlamentar, për të trajtuar jo ato probleme që kanë vendosur gjykatat dhe për të cilat kushtetuta dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese nuk autorizojnë as mazhorancën dhe as opozitën. është në interesin më të mirë të vendit, që edhe ky dokument i ri, i lëshuar sot nga kryetari i Asamblesë Parlamentare i OSBE-së, një përfaqësues i shquar socialist, të cilin e vlerësoj për mbështetjen ndaj tryezës, ndaj të cilës mund të dilet me rezultate plotësisht të prekshme, me rezultate me të cilat bëjmë të mundur kthimin e opozitës në Kuvend”, deklaroi kryeministri.
Ndonëse raporti, tha kryeministri, nuk kërkon që mazhoranca t’i japë shumicën pakicës, por unë e kam këtë zotim dhe e mbaj, një komision hetimor parlamentar, e garantoj opozitën se do i krijojmë asaj mundësi reale që në çdo votim të jetë shumicë, si një dëshmi, për të dhënë përgjigjen më të mirë ndaj shqetësimeve të saj.
Kryeministri theksoi se në të gjithë këtë debat që zhvillohet, konçensioni më madhor i vërtetë, është ky që bëhet, për hir të ardhjes së opozitës në parlament.
“Nëse lexoni dokumentet ndërkombëtare, në asnjë resht nuk thuhet që komisioni parlamentare i kërkuara nga opozita, kjo e fundit të ketë shumicën. Jo. Kjo nuk i kërkohet kurrë një shumice të votuar nga shqiptarët me vullnetin e lirë”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit theksoi se mazhoranca është e gatshme t’i japë opozitës të gjitha garancitë se do të mund të realizojë të plotë të gjithë hetimin e saj.
“Edhe ky dokument, duhet të them se shton shanset reale që opozita të dëgjojë thirrjet për të thyer bojkotin”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.