E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Holokausti, akti më barbar në memorien e qytetërimit

Pasi falënderoi Kryetaren e Kuvendit për organizimin e kësaj seance nderimi për miliona viktimat e Holokaustit, Berisha theksoi se “ky ishte procesi më barbar që qytetërimi perëndimor ka njohur në tërë shekujt e fundit, gjahut kolektiv ndaj etnisë hebreje në Gjermaninë naziste dhe 21 vendet e pushtuara prej saj. Holokausti është akti më barabar në memorien e qytetërimit. Ai u bazua në doktrinën raciste të nazistëve mbi epërsinë e racës së tyre ariane dhe kërcënimin e kësaj race nga raca të tjera inferiore, në krye të të cilave, sipas çmendurisë së tyre, renditej njëra prej racave më fisnike të njerëzimit, ajo herreje”.

Kryeministri u shpreh se Holokausti që filloi që në 1933-in dhe përfundoi në 1945-ën, vërtet pati në bazë doktrinën monstruoze të epërsisë racore ariane, por s’do mund të ishte kurrë i këtyre përmasave pa një indiferencë të madhe të pafalshme të burrave dhe grave që, mbase dhe në shpirtin e tyre jo që s’e donin, por që e urrenin nazizmin.

“Holokausti nuk mund të ndodhte nëse fqinjët nuk do ushqenin makineritë naziste me spiunimet e qenieve të pafajshme. Më të këqijat e kësaj toke janë diktaturat, sepse ato burrat e gratë e njerëzishme i shndërrojnë në të çnjerëzishëm. Janë ato të cilat zgjojnë demonë nga nënndërgjegjet njerëzore dhe i bëjnë të ndërmarrin akte dhe barbaritë më të mëdha”, u shpreh Berisha.

Duke përkujtuar me nderim miliona viktimat e Holokausit (fëmijë, burra, gra, të moshuar), të cilët, sipas kryeministrit, kishin fajin e vetëm se ishin hebrenj, Berisha nënvizoi se Ahmet Zogu ishte shtetari i parë shqiptar, i cili me hapjen e kufijve ndihmoi qindra hebrenj, traditë që, sipas tij, e vijuan edhe shqiptarë të tjerë.

“Holokausti pati mbi 6 milionë viktima, ndaj dhe nderimi i parë shkon tek të gjithë ata burra, gra, fëmijë, të moshuar, të sapolindur e të palindur, që u flijuan për fajin e vetëm se i përkisnin etnisë çifute. Sot është ditë nderimi, së pari për Ahmet Zogu, i cili ishte shtetari i vetëm që nuk mbylli dyert dhe kufijtë për hebrenjtë, i hapi kufijtë për të bërë atë që mund të bënte mbreti i vendit më të varfër të Evropës. Shqiptarët shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj”, deklaroi Berisha.

“Nuk duhet të harrojmë Holokaustin - theksoi kreu i qeverisë - sepse gjenocidet, krimet kundër njerëzimit, spastrimet etnike, ne shqiptarët i kemi përjetuar në këtë gadishull edhe pak vite më parë, vetëm 13 vjet më parë. Presidenti Obama, në javën e nderimit të viktimave të Holokaustit shpalli se do të krijonte bordin kundër mizorive dhe gjenocidit. Ai ftonte kombe të tjera në bashkimin e kësaj nisme dhe ne do t’i bashkohemi. Kjo është rruga më e sigurt që shpirtrat e atyre që ranë si viktima të kësaj barbarie të mos harrohen”.
/Start/

                                                                                             2012-05-02 20:55
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›