Berisha-Hoxhaj: Ligjet mes dy vendeve, të njëjta me BE

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, se mes dy vendeve nuk duhet të ketë procedura burokratike në shkëmbimet tregtare dhe aktivitetet e tjera. Kreu i qeverisë shqiptare dhe diplomati kosovar kanë diskutuar dhe për procesin e integrimit të dy vendeve në BE. Në këtë kuadër të dy politikanët kanë theksuar se edhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të bëhet sipas modelit evropian.
“Në takim u pohua vendosmëria e të dy qeverive për të eliminuar çdo pengesë burokratike, në mënyrë që midis qytetarëve të të dy vendeve t’u mundësohet intensifikimi më i lartë i lidhjeve e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, të biznesit, kulturore etj., në shërbim të interesit më të mirë e prosperitetit të tyre, si dhe të zgjerimit të bashkëpunimit të miqësisë në mbarë rajonin. Në këtë kontekst, qeveritë e të dy vendeve do të punojnë ngushtësisht për të garantuar kuadrin më të përsosur ligjor në shkëmbimet midis dy vendeve, të njëjtë me atë që aplikojnë vendet e Bashkimit Evropian në marrëdhëniet mes tyre”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për takimin.
Nga ana tjetër, kryeministri Berisha dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hoxhaj, ripohuan vizionin e palëkundur të të dy vendeve se ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e gjithë rajonit është e mbetet integrimi i plotë në Bashkimin Evropian i Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha vendeve të rajonit. Në këtë kontekst, u vlerësua rëndësia e jashtëzakonshme që edhe qytetarëve të Kosovës t’u jepet mundësia për lëvizje të lirë në hapësirat evropiane ashtu si edhe të gjithë qytetarëve e tjerë të rajonit, çka do t’i shërbejë forcimit të stabilitetit në rajon dhe zgjerimit të bashkëpunimit të qytetarëve të Kosovës me ata të Bashkimit Evropian.