Berisha-gazetarëve: Ju keni nxjerrë vendin nga censura
Kryeministri Berisha ka vlerësuar rolin e gazetareve të cilët duke i cilësuar si kalorës të fjalës së lirë kanë nxjerrë Shqipërinë nga censura. Në një takim me gazetarë, botues dhe drejtues të mediave, kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të bëjë çdo gjë që liria e fjalës të konsolidohet si e pacënueshme.
“Njeriu mund të jetë në rrethana mga më të ndryshmet, i mëkëmbur, i pasur, i varfër, me pozitë ose jo por individi që flet lirshëm, që shprehet lirisht është individi me dinjitet, në dallim nga ai tjetri mund të ketë çdo gjë por nuk flet dot lirshëm dhe ai ka një mangangësi jashtëzakonsht të rëndë pasi ka një deficit. Në këtë kontekst roli juaj si kalorës të fjalës së lirë, roli imediave në këtë vend ka nxjerrë Shqipërinë nga censura dhe kjo është i një rëndësie të jashtëzakonshme” ka theksuar Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu ka vlerësuar rolin e medias, duke e cilësuar atë vendimtare për një vend të lirë e demokratik ndërsa ka garantuar që qeveria do të bëjë gjithçka në mënyrë që fjala e gazetarë, me peshën e saj të dëgjohet gjithmonë e më shumë nga autoritetet e këtij vendi.
“Ju siguroj për respektin më të madh, uroj që ky vit të jetë viti i dekriminalizimit të shpifjes si një akt, vendosmëri e politikanëve shqiptarë për të zgjeruar më tej, jo hapësirën e shpifjes, por të fjalës së lirë e për të mos përdorur askush manipulime që në fund të fundit sjellin cënimin e saj” ka shtuar Berisha.
Duke kujtuar se ky vit nuk ka shënuar asnjë proces penal e civil ndaj medias nga administrata, Berisha ka garantuar se kjo gjë do të vijojë edhe më tej.
“Ju garantoj se nuk do ketë, sa të jetë kjo administratë në drejtimin e kësaj qeverie, nuk do ngrejë asnjë proces penal e civil ndaj fjalës së lirë, ndaj jush. Nderim të madh për kontributin tuaj”- shtoi më tej ai.