E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Humbja me 23 qershor kerkon nje fillim te ri te fuqishem per PD-ne

Partia Demokratike ka mbledhur sot kryesinë për zgjedhjen e lidershipit të ri të ri të kësaj force politke. Në fjalën e tij kryeministri Sali Berisha theksoi se humbja e zgjedhjeve të 23 qershorit kërkon një fillim të ri e të fuqishëm për PD-në, Berisha tha se mënyra më e mirë për zgjedhjen e lidershipit të ri është parimi një anëtar një votë.

“PD ka pësuar një humbje dhe ajo ka jetik një fillim të ri të fuqishëm. Eshtë në detyrimin tonë më madhor moral, t’i japim asaj mbështetjen totale për fillimin e saj të ri më të fuqishëm që ka patur ndonjëherë. Një fillim i ri do të ishte i pamundur pa një lidership të ri. Kemi detyrën kryesore, imediate, të hapim procedurën e zgjedhjes së lidershipit të ri. Ai ka fatin që të ketë në shpinë trashëgiminë e mirë të PD-së. Të ketë vizionin e saj, projektin e saj. Në këtë kontekst ai duhet të zgjidhet, 1anëtar 1 votë. Të gjithë anëtarët e PD-së ta konsiderojnë këtë proces si një mision jetik për fillimin e ri të fuqishëm dhe të suksesshëm të PD-së”- deklaroi Berisha.

Sipas tij, brenda një jave kandidatët duhet të paraqesin kërkesën e tyre për këtë post dhe më pas do të nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të ri, përmes votave të anëtarësisë.

Berisha theksoi domosdoshmërinë që lidershipi i ri të bëjë analizën e humbjes së 23 qershorit, duke nënvizuar se PD nuk kërkon koka turku.

“Lidershipi i ri do të bëjë të gjitha analizat e kësaj humbjeje, e cila është serioze, shumëplanëshe, e cila nuk do të kalojë pa një analizë. Ne nuk jemi parti e filozofisë së gjahut. Ne rrafshin njerëzor ai që humbet ndjehet njeriu më fatkeq. Ai ka bërë gjithçka për të fituar, humbi nuk është mirë, por ne nuk bëjmë gjah kurrë. E kemi këtë punën si popull, duam koka turku, por nuk jam unë. Kjo është staliniste. Ne bëjmë analizat.” – tha Berisha.

Sipas Berishës, nuk është e nevojshme që kryesia aktuale të japë dorëheqjen, pasi lidershipi i ri do të zgjedhë edhe kryesinë e re të PD-së. “Kryesia mund të jepte dorëheqjen, nuk ja këshilloj. Lidershipi i ri do të zgjedhë kryesinë e vet. Dha dorëheqjen kryetari. Në këtë mënyrë ecim të sigurt drejt një fillimi të ri të fuqishëm. Nëse unë do të doja të shënjoja pasardhësin ai do dilte. Unë nuk do ta bëj këtë, do ta le një garë të hapur. Cilido le të vijë të hyjë në garë, por me një kusht të pranojë garën”- tha Berisha.

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha u ndal përpara gazetarëve ku hodhi poshtë cdo mundësi për pëcarje të PD-së, ndërsa shtoi se PD del më e fuqishme, sidomos tani që PD lë historinë dhe mbështetet në trashëgiminë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›