Berisha: I dhamë Shqipërisë zhvillimin që meritonte
Mbledhja e 200-të e qeverisë - në 8 vite u miratuan 3430 vendime, ligje dhe udhëzime
Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha dje u zhvillua mbledhja e 200-të e Qeverisë. Në një mesazh në Facebook, kreu i qeverisë vlerëson reformat e ndërmarra nga kabineti qeveritar në këto 8 vite nga anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, rekomandimi i statusit, reformat ekonomike dhe revolucioni fiskal që bëri të mundur zhvillimin e biznesit, investimet e huaja, rriti punësimin si dhe u dyfishuan pagat dhe pensionet. “Të dashur miq, sot u mbajt mbledhja e 200-të e radhës e qeverisë. Në këto 200 mbledhje, nëpërmjet 3430 vendimeve, ligjeve, dhe udhëzimeve të miratuara gjatë 8 viteve të fundit u bë e mundur firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me BE, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë pa viza në BE, rekomandimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë që e bllokoi Edi Rama me mos votimin e tre ligjeve, por që u detyrua t’i votonte më së fundi. Me këto akte u realizua reforma ekonomike dhe revolucioni fiskal që bënë të mundur dy - tre fishimin e bizneseve të mesme dhe të mëdha, trefishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja, uljen e papunësisë, mbi dyfishimin e rrogave të ulëta dhe të mesme dhe pensioneve të ulëta”- thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha. Ndërsa vijoi se në këto 8 vite, u ndërmor projekti Shqipëria e zhvilluar, u ndërtua Rruga e Kombit, Rruga Tiranë - Elbasan gjysma, janë ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë, 1300 shkolla, 370 ujësjellës, 420 sisteme kanalizimesh dhe qindra të tjera vepra publike. “U financuan 45 mijë fermerë shqiptarë. Projektet kombëtare të ullirit dhe arrorëve lëshuan shtat me shpejtësi. Shqipëria arriti në moshën dixhitale, rriti me 14 herë përdorimin e internetit dhe sot ajo renditet në 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë”- tha ai. Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj të gjithë atyre punonjëseve të administratës dhe të tjerë, që me mendjen, përkushtimin e tyre bënë të mundur këto arritje.