E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mazhoranca e re, revansh dhe epsh për pushtet - po i dorëzojmë një vend me stabilitet ekonomik

11-07-2013 / Gazeta 55

Apeli i Kryeministrit: “Asnjë punonjës i administratës të mos japë dorëheqje. Auditi ndërkombëtar, një propozim që vjen prej dashakeqësisë, ose Rama s’njeh realitetin”   


Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se situata ekonomike në Shqipëri është në përmirësim progresiv, duke hedhur poshtë kështu deklaratat e PS të cilët flasin për “gropë financiare”. Në vlerësimin e kreut të qeverisë, rritja ekonomike e tre mujorit të parë ka qenë 1,7 %, katër herë më e madhe se sa ishte rritja në tremujorin e parë të vitit 2012. “Për sa i përket situatës ekonomike, sipas KE, situata ekonomike në Shqipëri vazhdon në përmirësim progresiv, d.m.th. rritja  e tre mujorit të parë ka qenë 1,7 %, nuk është një rritje e madhe, por është një rritje 4 herë më  e madhe se sa ishte rritja në tremujorin e parë të vitit 2012. Pozitive qartësisht është fakti se bilanci tregtar ka një përmirësim të ndjeshëm, nga një deficit prej – 13, ka zbritur në – 9. Është ruajtur ne parametrat e parashikuar deficiti buxhetor dhe inflacioni ishte rreth 2.4 %. Pra ekonomia vazhdon rritje, vazhdon krijimin e vendeve të punës. Vendet e punës në sektorin jobujqësor u rritën me 7,1 % në tërësi, u rritën me 1.9% por rritja  e forcës punëtore, gjithashtu për shkak të rënies në treg të mijëra qytetarëve në procesin e urbanizimit, ka bërë që ulja e papunësisë të jetë me 0,5 %. Sidoqoftë të dhënat sipas KE, në rast se Eurozona ka në papunësi prej 12,2%, Shqipëria është i vetmi vend jashtë eurozonës, pra jashtë 15-tesh, jo 28-shes një papunësi prej 12.8 %. Papunësia e të rinjve, po sipas kësaj statistike, është 22,8% në Shqipëri, dhe 22.2% në eurozonë, është 51 % në Serbi, është 58 % në Bosnje Hercegovinë, është 47% në Kroaci, është 48 % në Maqedoni dhe kështu me radhë”- u shpreh Berisha. Duke iu referuar të dhënave krahasuese me vende të tjera të rajonit, kryeministri konkludoi se “për kushtet aktuale të ekonomisë rajonale dhe evropiane, ekonomia shqiptare mbetet dhe mbahet në stabilitetin më të sigurt dhe të qëndrueshëm në rajon”. Duke iu referuar deklaratave të kryesocialistit Rama, Berisha theksoi se këto shenja janë dëshmi në njërën anë të një epshi të papërmbajtur për pushtet dhe në anën tjetër të mosdijes së rregullave të qarta. “Përmbushja e objektivave të programit është shumë e rëndësishme dhe objektivi ynë kryesor është stabiliteti ekonomik, deri ditën që ne ia dorëzojmë mazhorancës së re, e cila po shfaq disa shenja revanshi të papranueshme, shenja që janë dëshmi në njërën anë e një epshi për pushtet të papërmbajtur, sepse do ti diktojë qeverisë në detyrë rregulla që janë të shkruara në Kushtetutën e Bangladeshit, i cili është një vend demokratik, por ata për të patur qeverinë teknike kanë shkruar në Kushtetutën e tyre që tre muaj para zgjedhjeve, qeveria dorëzon dhe e merr detyrën kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Ky model në Evrope nuk ekziston, përkundrazi në Evropë dhe në SHBA ka akte të  qarta, të cilat ekzekutivit i njohin kompetenca të plota, deri në ditën e dorëzimit dhe të instalimit të pushtetit të mazhoranës tjetër”. Gjithashtu, kryeministri ftoi administratën të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e të gjithë programit të qeverisë, deri në ditën e vendosjes së qeverisë. “Kushtetuta i ka të përcaktuara qartë kur fillon mandati i mazhorancës së re, kur mbaron mandati i mazhorancës që ikën. Unë ftoj administratën të mos ndikohet, por të vazhdojë me përgjegjësi detyrat dhe detyrimet e veta ligjore në ushtrim të pushtetit ekzekutiv në këtë vend, deri ditën që fillon mandati i ekzekutivit të ri dhe pastaj është ky ekzekutiv që do të vendosë si për programin e vet, ashtu dhe për administratën. Asnjeri nuk është këtu përveç një grupi këshilltarësh politikë, të tjerët janë që të gjithë në funksion të zbatimit qeverisjes, në funksion të ushtrimit të qeverisjes së vendit. Duke theksuar këtë, administrata ka të drejtat e saj brenda ligjeve të ndërmarr qëndrimet që mendon se i përshtaten asaj më shumë për të zbatuar programin e saj. Përsa i përket shërbimit civil, historiku i tij është ky, ky shërbim fjeti administratë publike dhe u zgjua shërbim civil, për faktin se hyri në fuqi ligji, por pa asnjë lloj shkalle kualifikimi të veçantë dhe merite në këtë drejtim. Dhe kur erdhëm në pushtet ne gjetëm në këtë shërbim dhe në tërësi në administratë vetëm 1 % e punonjësve të tij të shkolluar në shkolla perëndimore, ndërkohë që ishin dhjetëra, mijëra shqiptarë të formuar në këto vende dhe këto shkolla. Për shkak të ligjit, këto nuk mund të futeshin në shërbim civil, sepse ligji kishte mbyllur hermetikisht dyert. Ne sigurisht hapëm dyert për këta dhe për këtë, me ndonjë përjashtim të rrallë, ka patur mirëkuptim të plotë”- tha kryeministri.


Auditi ndërkombëtar - Berisha: Rama s’njeh realitetin/Kryeministri Berisha iu referua dje në mbledhjen e qeverisë edhe deklaratës së kryesocialistit Rama në lidhje me auditin ndërkombëtar duke theksuar se një kërkesë e tillë tregon se ai nuk e njeh realitetin. “Ka dhe disa pretendime që vijnë nga mosnjohja totale  e realitetit, siç është ideja e një Auditi ndërkombëtar. Zotërinjtë duhet ta dinë se Auditi ndërkombëtar është on-line, është i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm. Përveç kësaj, Shqipëria është një ndër vendet e pakta që boton, publikon në faqen e thesarit, çdo qindarkë që shpenzohet në territorin e Republikës së Shqipërisë nga buxheti i shtetit, të nesërmen e shpenzimit të tij dhe këtë mund ta kontrollojë pa asnjë vështirësi, cilido qytetar shqiptar dhe i huaj, në mbarë planetin, por Auditin më të shkëlqyer të financave shqiptare ia ka bërë dhe ia bën siti në Londër, ku Eurobondi i Shqipërisë nga 7,6 % interesi që u ble në fillim ka zbritur në 5,6 %, pra një dëshmi e besimit shumë më të lartë se sa në vitin 2008, për financat shqiptare të vitit 2013. Është Moody’s, e cila sërish e renditi Shqipërinë në të njëjtin pozicion. Shqipëria ka përveç të tjerash, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Institucion i pavarur që kontrollon buxhetin dhe përdorimin e tij në të gjithë territorin e vendit. Unë e ftoj të marrin jo një por 5 kompani Auditi ndërkombëtar i cili është konstant, është FMN, është BB, janë të gjitha këto institucione, është KE në mënyrë të veçantë të cilët ndjekin me interesin më maksimal çdo zhvillim ekonomik të vendit”- u shpreh kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›