E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: I lumtur që kryeministri Berluskoni ka zhvilluar idenë për eksportimin e investimeve në Ballkan

(UPDATE) - Kryeministri Berisha takohet me Ministrin Italian të Ekonomisë Claudio Scajola dhe merr pjesë në forumin ekonomik të Veronës për investimet në Evropën Juglindore. Nesër me kryeministrin Berluskoni nënshkruhet Aleanca Strategjike mes dy vendeveMinistri italian i Ekonomisë Scajola ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme. Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Itali, zhvilloi një takim të veçantë me Ministrin italian të Ekonomisë Claudio Scajola, në Pallatin e Prefekturës së Veronës. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti. Në këtë takim u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë. Ministri italian i Ekonomisë Scajola ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme. Mbështetja e qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve është e padiskutueshme, si dhe mbështetja për projektin e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri-Itali, tha ai. Qeveria italiane gjithashtu mbështet edhe projektet e ardhshme, private e publike, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Ai theksoi se politikat dhe strategjitë e të dy qeverive në fushën e energjisë konvergojnë dhe Italia do të vazhdojë të kryesojë iniciativa rajonale në këtë drejtim. Z. Scajola i vuri në dukje Kryeministrit se ai dhe qeveria italiane janë të impresionuar me sukseset e ekonomisë shqiptare, në kushtet e krizës globale. Kryeministri Berisha, pasi falënderoi qeverinë italiane për mbështetjen e vazhdueshme të të gjitha iniciativave dhe reformave të ndërmarra në vend, ritheksoi rëndësinë dhe fokusimin në koordinimin e punës për të çuar drejt suksesit projektet në fushën e energjisë së rinovueshme. Kryeministri Berisha i shprehu edhe njëherë Ministrit Scajola ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj, gjë që ndihmon në zhvillimin e qëndrueshëm dhe me standarde të larta ambjentaliste të ekonomive të rajonit, përfshi Italinë, dhe që garanton furnizimin e pandërprerë të ekonomive dhe popullsisë me energji, pavarësisht konjukturave ndërkombëtare të tregut, si dhe ofron energji me kosto të ulët për popullsinë dhe ekonominë. Kryeministri theksoi se mbështetja e projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, nëpërmjet garancisë financiare nga Instituti Italian për Garantimin e Investimeve të Huaja, për këto projekte, do të përshpejtojë financimin dhe implementimin e tyre. Më tej, Kryeministri theksoi që zhvillimi i vrullshëm i sektorit energjetik në Shqipëri e bën të domosdoshme linjën e interkonjeksionit nënujor Shqipëri-Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes së tregut shqiptar me atë europian, nëpërmjet Italisë. Përfitimet janë të gjithanshme, prandaj sinergjia e të dy qeverive në këtë drejtim është garanci e suksesit edhe në projektet e tjera. Kryeministri shprehu nevojën e bashkëpunimit me qeverinë italiane, në mbështetje dhe të projekteve të tjera italiane në fushat e fasonit, parqeve industriale, e sektorë të tjerë. Në takim, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i dy qeverive duhet të vazhdojë intensiv dhe në fushën e energjisë bërthamore. Institucionet dhe agjencitë përkatëse të të dy vendeve, të sapo krijuara, duhet të përforcojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të kthejnë në rajonal projektin e ndërtimit të një centrali bërthamor, i cili do të rrisë burimet e energjisë së rinovueshme dhe do të garantojë tregun rajonal dhe atë italian me energji në afat të gjatë. Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e projekteve ndërkombëtar të gazit që përfshijnë Shqipërinë dhe Italinë, si një tjetër kusht i domosdoshëm i krijimit të një tregu të qëndrueshëm energjie, me qendër në Shqipëri, që shton garancitë dhe pavarësinë e furnizimit me energji dhe me gaz. Këtu ai përmendi projektin TAP, projektin Falcone, dhe ACG. Ministri italian i Ekonomisë Scajola i premtoi Kryeministrit Berisha thellimin e bashkëpunimit në projekte konkrete në këto fusha. Ai shprehu sigurinë se takimi i Kryeministrit Berisha me Kryeministrin Berluskoni dhe firmosja e marrëveshjeve dypalëshe, do të kurorëzojë bashkëpunimin dhe do të garantojë suksesin e strategjive të të dy qeverive në fushën e energjisë. Z. Scajola shprehu besimin se qeveria shqiptare, shumë shpejt do të plotësojë objektivat vizionarë për kthimin në një qendër të prodhimit dhe eksportimit të energjisë së rinovueshme. Kryeministri Berisha i përgjigjet interesimit të lartë të medias shqiptare dhe asaj italiane në Verona:Pas pjesëmarrjes në Forumin mbi Investimet në Evropën Juglindore, në Verona, Kryeministri Berisha së bashku me Ministrin e Ekonomisë Claudio Scajola dhe Zëvendësministrin Adolfo Urso mbajtën një konferencë për shtyp për mediat shqiptare dhe ato italiane, me prani të madhe në këtë aktivitet të madh e të rëndësishëm, i pari i këtij lloji në Itali, që synon forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike mes Italisë dhe vendeve të Evropës Juglindore. Kryefjala edhe në këtë konferencë për shtyp ishte diversifikimi i prodhimit të energjisë. Kryeministri Berisha në fjalën e tij u shpreh: Për mua ishte një fat me të vërtet i madh që e hapa vizitën time zyrtare në Itali me këtë eveniment të rëndësishëm, për të pasqyruar para investitorëve italianë potencialet dhe mundësitë e mëdha të Shqipërisë. Do të desha të nënvizoja që nesër unë do të firmos së bashku me Kryeministri italian Silvio Berluskoni një marrëveshje të partneritetit strategjik midis dy vendeve tona, një marrëveshje që do të konsolidojë raportet tona të shkëlqyera. Unë kam qenë përherë i bindur që Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit përfaqësojnë një treg me interes shumë të madh për investitorët italianë. Unë jam shumë i lumtur që Kryeministri italian Silvio Berluskoni ka zhvilluar më tej këtë vizion. Pikërisht, fakti që sot, ne jemi të mbledhur këtu, me përfaqësues nga atë gjitha vendet e Ballkanit, tregon progresin e këtij vizioni. Ne, në Shqipëri jemi duke bërë gjithçka, jemi duke aprovuar çdo ligj, jemi duke marrë e aprovuar çdo vendim për të krijuar klimën më të favorshme për investimet e huaja në të gjitha fushat. Ne kemi vuajtur nga kriza ekonomike botërore, por nuk shkuam në recesion ekonomik. Këtë janar eksportet shqiptare janë dyfishuar, krahasuar me janarin që shkoi. Por ajo që ka qenë shumë domethënës është fakti që edhe eksportet e fasonëve janë rritur me 16 për qind dhe më gëzon fakti që pjesa më e madhe e tyre janë investitorë italianë, të cilët punojnë në sektorin e tekstileve etj. dhe pata shumë kënaqësi kur pashë se eksportet e sektorit të fasonëve ishin rritur me këtë përqindje domethënëse, sepse në këtë sektor janë të punësuar qindra e mijëra punëtorë shqiptarë. Duke e mbyllur, unë dua të shpreh edhe një herë ftesën time drejt jush, investitorëve të Veronës dhe atyre italianë në përgjithësi, për të investuar në Shqipëri, duke ju siguruar se qeveria ime, si dhe ambasada italiane në Shqipëri, e cila jep një kontribut të vyer dhe bën një punë të shkëlqyer në këtë drejtim, së bashku do të bëjmë gjithçka që për secilin nga ju që do të vendosë të investojë në Shqipëri të keni një histori suksesi.Lidhur me interesin e mediave italiane për vizionin e dy qeverive për t’iu kthyer energjisë nukleare, Kryeministri Berisha u shpreh: Kryeministri Berisha: Ambicia kryesore e vendit tim është të kthehemi në një superfuqi energjetike rajonale, që do të thotë se ne jemi të vendosur që në vitet e ardhshme të vëmë në përdorim të gjitha burimet që do të shndërrojnë Shqipërinë në një eksportues të madh të energjisë. Ky është vizioni i qeverisë sime dhe sipërmarrjet italiane do të jenë të mirëpritura të kontribuojnë në këtë vizion.Ministri i Ekonomisë z.Claudio Scajola: Italia përfshihet në projektet nukleare, sepse beson në to. Dhe ashtu siç po orientohen vendet në të gjithë botën, ajo beson se energjia e pastër për të mbrojtur ambientin dhe energjia me kosto të qëndrueshme në Evropën qendrore do të thotë rikthim në energji nukleare për prodhimin e energjisë elektrike për përdorim civil. Po ndodh në të gjitha vendet. Janë aktualisht 60 projekte në botë në rrugë për të marrë autorizimin. Italia është i vetmi vend i G8 - ës që nuk prodhon energji elektrike nga burimet nukleare. Kemi ndërmend ta prodhojmë vet atë duke rikuperuar traditën tonë teknologjike dhe industriale në bashkëpunim me Francën, SHBA-në dhe Rusinë. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›